Nga Bardhyl BEJKO
Pasi u provuan në këto vite të gjitha aleancat, u bë zhurmë pafund, u renditën parti e partiza, shoqata e individë, u shpallën bashkimet më të mëdha në historinë e Shqipërisë, u krijuan “KOPI”, “Mbro të ardhmen”, “Ne jemi ndryshimi”, u thurën këngë e u bë muzikë e hite për fushatat elektorale,u bashkuan të majtët me të djathtët, komunistët me ballistët, e gjithfarëlloj organizmash e organizimesh, më në fund u kujtuan se mungonte edhe një aleat i rëndësishëm, çuditërisht i papërfillur bile edhe i anatemuar e përbuzur që ishte populli. Po nuk mbetet këtu historia e aleatëve dhe aleancave. Nuk ishin të mjaftueshme gjetjet e derisotme. Këto ditë, kryetarja e LSI-së, zonja Monika Kryemadhi arriti të kërkojë aleancë, të ftojë në koalicion fuqinë e mbinatyrshme: Vetë Babazotin.
Nuk jemi çuditur nga dëshirat e pazakonta që për disa vota më shumë sa herë që gjenden ngushtë shtabet elektorale të partive të vogla e të mëdha të shkojnë nëpër zona të thella, fshatra, krahina, lagje, qytete, të ashtuquajtura zona me besim të thellë tek feja, por edhe zona më të civilizuara duke u kërkuar me çdo çmim, jo vetëm me të holla votat zgjedhësve, duke u vendosur përpara syve, Biblën e Kuranin. Në zona të veçanta, militantët partiakë kanë shkuar shtëpi më shtëpi, duke kuvenduar me gjyshet e gjyshërit, të rinjtë e fëmijët, u kanë folur për partitë dhe programet e tyre si dhe për objektivat e fushatave elektorale pa lënë mënjanë objektivat madhore që do arrinin forcat politike sa të vinin në pushtet. Atje ku shikonin se puna nuk ecte dhe nuk mund të garantohej vota masive që të bënte deputet apo kryebashkiak dhe shumë nga votuesit ishin të lëkundur dhe thoshin një “po” sa për të përcjellë mysafirët edhe për traditë se u kishin shkelur shtëpinë, të deleguarit e qendrës për t’u siguruar 100 përqind, u vinin përballë librin e shenjtë dhe u kërkonin të betoheshin mbi të si një garanci se fjala e dhënë nuk do të ndryshonte pasi kishte të bënte pas këtij veprimi, jo më me liderët partiakë, po me vetë zotin, i cili siç cilësohet edhe në faqet e librave të shenjtë të dënon me fis e familje, me të ardhmen e të djeshmen, si një njeri që i ke dalë ndesh vetë zotit me qëndrimin kundër fjalës së dhënë. Dhe në zona të posaçme për hir të traditës dhe besimit të ngulitur ndër shekuj si dhe dashurisë e bindjes së verbër tek i Plotfuqishmi, votuesit para kutisë së votimit edhe pse në zemër mund të kishin një kandidat të pëlqyer, votonin për atë që ishin betuar. Ndryshe, “ndëshkimi” binte mbi ta dhe fëmijët e tyre nuk do kishte më as mbështetjen e të Madhërishmit as kujdesin dhe uratat e tij.
Po deri në këtë cak edhe pse veprime që bien ndesh me kodet dhe ligjet, civilizimin e përparimin si dhe cënimin e pavarësisë së votës dhe kërkesën për aleat tokësor, këto ditë filozofia dhe propaganda, oreksi është ngjitur më lart dhe ka prekur fronin e perëndive. Është Zonja Kryemadhi, e cila nuk lë asgjë pa sharë kundër Ramës dhe pasi i numëron njëmijë e një të zezat, pasi e etiketon si gjithnjë në këtë periudhë pas zgjedhjeve si kryeministri i krimit dhe udhëheqës të bandave, si përvetësues të tenderave dhe tutor të trafikantëve, duke mos harruar të citojë njëmijë e një të zezat në drejtim të qeverisë, pasi ia etiketon e nxin bashkëpunëtorët me emër e mbiemër, me racë e familje, më në fund iu drejtua qiellit, atje ku qëndrojnë perënditë, zotat e plotfuqishëm. Sapo partia që kryeson doli në opozitë me dëshirën e vet, pasi lutjet për një koalicion si ai i 2013 vijuan pafundësisht deri në bezdi, pasi u bashkua me të gjithë kundër ish bashkëkryetarit të koalicionit dhe hodhi baltë mbi tërë arritjet e katër viteve, ku natyrisht ishte edhe kontributi i partisë që kryeson, veçanërisht në reformat e thella dhe ligjet që kërkonin shumicë të cilësuar, ndihmesë e cila nuk mund të hidhet poshtë as të flaket si e pavlerë, u vu në kërkim që veç aleancave tokësore të bëjë aleatë edhe jashtëtokësorë. Pasi anatemoi vitet e Ramës në pushtet, duke mos përjashtuar edhe kohën ku kishte gjysmën e qeverisë dhe legjislativin, hodhi sytë tek Zoti.
Një aleat i ri i paplanifikuar deri sot është duke u konfiguruar në koalicionin e madh PD-LSI. Sipas Monikës është vetë zoti. Ajo, në debatet e deklaratat e saj, pasi i thotë të gjitha dhe jep sihariqin se opozita do jetë me kandidat të përbashkët, e drejta e saj për ta gjykuar si të mendojë dhe interesojë për të fituar sa më shumë bashki sot dhe nesër deputetë i drejtohet aleatit më të fuqishëm, vetë zotit. Nuk është një shpikja jonë. Aq më pak një gjetje gazetareske për shou. Të gjithë që e kanë ndjekur lideren e LSI-së pas betimeve njerëzore dhe pasi tregon për aleanca të fuqishme dhe shtim të radhëve me militantë të rinj, pasi ka demostruar në vendbazimet e të rinjve në Jalë në betime dhe nderime për aksione revolucionare në muajin që sapo ka filluar, zbuloi për opinionin e gjerë, aleatin më të ri e të pathyeshëm. Vete zotin. – Nëse Ramës nuk kemi ç`ti bëjmë ne tokësorët, opozitarët dhe vete populli shqiptar, atij do ia bëjë atë që s’e meriton zoti. Do ta ndëshkojë vetë perëndia. Është një mallkim po edhe një “ftesë” për një aleat jashtëtokësor. Dhe kujtojmë vitet kur ishim fëmijë, po edhe sot kur dëgjojmë jo rrallë shprehjet: Të vraftë zoti! Ia lë në dorë ta zgjidhë zoti! Nëse unë të bëj një padrejtësi, le ta gjykojë zoti! T`ia lëmë në dorë të plotfuqishmit! Unë nuk kam ç`të bëj më! I bëra të gjitha! Deklarata të tillë pa fund përmes të cilave, njerëzit e zakonshëm në kushtet kur nuk ndihen të plotfuqishëm ia lënë zgjidhjet e halleve të tyre personale apo familjare fuqisë së mbinatyrshme, vetë zotit. Po individët janë të vetëm. Nuk kanë as seli. As pasuri. As parti. As njerëzi. Nuk kanë mundësi të bëjnë aleanca me rininë, intelektualët, aktorët, regjisorët, u mungojnë analistët e opinionistët, shkrimtarët puntorët, mjekët, mësuesit. Dhe në këtë pafuqishmëri e kanë të justifikuar të presin që hallet e tyre t`i zgjidhin përmes zotit.
Po kryetarja e LSI-së është në krye të një partie plot dinamizëm. E suksesshme. E privilegjuar në këto tri dekada. Tërë periudhën post diktaturë, deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Në krye të Eurosocialistëve. Më vonë në krye të LSI-së. Sot zonja e Parë e Shqipërisë. Aktive dhe me plot energji. Themelorja është kryesuese e një force politike dinamike dhe e mbushur me entuziazëm ekstrem. Novatore në politikë, e prerë në vendime. E bashkuar në opozitë duhet ta ndjente veten plot shpresë dhe besim se në qeniet e zakonshme, votuesit që mezi presim të përmbysim “diktatorin” Rama do të votojmë pa rezerva LSI-në dhe Monikën, që nesër Petrit Vasili të jetë kryeministri ynë novator dhe reformator për t`i mbyllur shtigjet emigrimit, për një mirëqenie më të mirë, për të ardhura më të larta, për të luftuar korrupsionin me sukses. Dhe aq më tepër që siç thotë edhe vetë zonja Kryemadhi:- Sot, shumë militantë të majtë po i bashkohen LSI-së duke e bërë gjithnjë e më të fuqishme dhe më prestigjioze këtë forcë politike. Po pikërisht në këtë kulm arritjesh të dukshme sipas llogarive të saj dhe të evidentuara orë pas ore nga kryetarja sikur të mos mjaftonin tërë këto rezultate dhe të mos llogaritej tërë kjo fuqi që rrezaton kjo parti, lihemi mënjanë ne tokësorët, votuesit shqiptarë dhe kërkohet aleancë me qiellorët. Që kemi dëgjuar për Babazotët e kryeministra të reve, ata që drejtojnë e komandojnë gjithësinë, kjo nuk është e panjohur dhe e paditur nga të gjithë.
Deri sot, zotat janë parë si simbolika e utopi që kemi besuar në fuqinë e tyre të ndryshimit. U jemi drejtuar kur nuk kemi pasur fuqi për të arritur ëndrrat e dëshirat tona. Sidoqoft në emër të pafuqisë i kemi lartësuar e besuar. Më shumë nxitur nga legjendat e bëmat të thënat e treguarat. Nga hiperbolat e përrallat e treguara nga gjyshet e leximet e fantazitë. Po që të kërkonim edhe fuqinë e zotit për ta bërë LSI-në të pamposhtur dhe triumfatore, kjo është një surprizë e re, e cila është vërtetë një risi që u shfaq më së fundi. Sigurisht, gjetja e një fuqie aleat me Zotin do kishte për tutore zonjën Kryemadhi. Ajo gjithnjë është dalluar si novatore e eksploratore, si në etiketime e kauza, në protesta e revolta edhe në përdorimin e simbolikave si mjete të përdorura kundër qeverisë e deputetëve të Shqipërisë. Po që të na jepte sihariqin e madh se tani e tutje opozita nuk do ketë në radhët e saj vetëm frymorët tokësorë, njerëzit e këtij vendi, si të ishin të pamjaftueshëm sjell në ndihmë edhe vetë zotin, i cili duhet ti tregojë vendin kryetarit të qeverisë. Kjo po është një risi. Ndaj këtej e tutje, dridhuni!/