Vrasja e Azem Hajdarit, liderit të Dhjetorit ’90, për 20 vite me radhë vijon të trondisë politikën dhe drejtësisë shqiptare, pasi është e pazbardhur plotësisht.
Megjithëse kanë bërë disa rrotacione pushteti, Berisha ka ardhur dhe ikur nga pushteti për t’ia lëshuar PS, pavarësisht premtimeve të mëdha, kjo dosje asnjëherë s’është zbardhur plotësisht.
Ndonëse ndodhet në burg Jaho Salihi, ndonëse janë dënuar me burg vëllezërit Haxhia, ndonëse ish badigardi i Berishës Izet haxhia është rikthyer nga Turqia, gjasat janë që çështja të vijojë të mbetet pezull pasi hetimi po shkon me dashje në drejtimin e gabuar.
Tërë gabimi i drejtësisë shqiptare ka filluar dhe ka mbaruar nga mosmarrja me hetimin fillestar të vrasjes së Azem Hajdarit, dhe për më tepër mospyetja e njerëzave të duhur për të zbardhur sa dhe si duhet të vërtetën e këtij krimi politik që tronditi Shqipërinë e trazuar në vjeshtë të 1998-ës. Dikush mund të thotë se ishte situatë e rëndë asokohe, direkt pas vrasjes kur militantët e PD me urdhër të Berishës nuk lanë as polici gjyqësore dhe as forcat e rendit dhe as prokurorinë që të afrohej të kufoma e Azem Hajdarit.
Madje iu zhduk dhe celulari nga xhepi liderit të dhjetorit, pasi po të ishte në duart e drejtësisë do të zbardheshin telefonatat e fundit të Hajdarit dhe emrat me të cilët kishte komunikuar, dhe sot s’do kishim legjenda urbane se kush e nxori e kush e mori në telefon që doli para selisë së PD.
Ndërkohë Marjan Gryka ish truproja e Azem Hajdarit, teksa këmbëngul se vrasësi është Sali Berisha, nënvizon faktin se me urdhër të Saliut, Shaban Memia ish drejtuesi numër 2 i PD për Tiranën, njëherësh dhe krahu i armatosur i PD, e mori celularin e Azemit dhe e zhduku.
Dhe akuzat e Grykës por dhe e shumë të tjerëve të brengosur për vrasjen e liderit të dhjetorit që drejtonin gishtin nga Berisha si vrasës i Hajdarit, konvergojnë me një paralajmërim të asaj kohe të shtabit të UÇK se, Sali Berisha do të vrasë një figurë të lartë të PD, për të gjetur shkak dhe për të përmbysur socialistët nga pushteti.
Njëherësh, dhe gazeta “Koha Jonë” në atë kohë ka shkruajtur tre ditë para vrasjes së Azem Hajdarit për vrasjen e një figure të lartë në PD.
Gazeta iu referua një deklarate të Berishës në ceremoninë mortore të një drejtori të lartë të SHIK dhe të afërmit të tij të vrarë në Tropojë, ceremoni që u zhvillua në sheshin “Skënderbej” se “dhe dikur dikush nga ne të vritet, ne do të bëjmë çmos të rrëzojmë Fatos Nanon nga pushteti”, ku paralajmëroheshin trazira.
Ndërkohë që dhe gazeta “Shekulli” në një artikull të shumë muajve më parë, më konkretisht në ditët e para të janart të vitit 1998 paralajmëroi një grusht shteti të organizuar nga Berisha në vjeshtën e këtij viti.
Këto paralajmërime janë botuar në të dyja këto gazeta të asaj periudhe, më të mëdhatë po në këtë periudhë, dhe gjithkush që dëshiron të verifikojë vërtetësinë e asaj që po themi, mund të shkojë te Biblioteka Kombëtare dhe ti lexojë nga arkiva ose dhe ti skanojë apo ti fotokopjojë për t’i disponuar më tej. Eshtë në të drejtën e kujtdo.
Deri më tani as Berisha, as Marjan Gryka, as Shaban Memia, askush tjetër që ndodhej aty, bashkë dhe me lidershipin e PD duke filluar nga Genc Pollo dhe përfunduar tek badigardët e shumtë që kalonin ditën para selisë së PD, nuk janë pyetur.
Njëherësh deri më tani nuk janë marrë si provë as gazetat në fjalë që kanë shkruajtur konkretisht për përgatitjen e grushtit të shtetit, por as është kërkuar nga arkiva e UÇK dokumenti në fjalë që paralajmëronte se Berisha do të vriste një figurë të lartë të PD për të bërë grusht shteti.
Ndërkohë që personazhi kryesor që duhej të ishte pyetur nga ana e organeve ligjzbatuese shqiptare, ish badigardi tjetër i liderit të dhjetorit Zenel Neza, nuk është pyetur për natën e vrasjes së Azem Hajdarit.
Për më tepër nuk është pyetur dhe për situatën që ekzistonte para se të vritej Hajdari, pasi ai dinte shumë. Kjo dhe për faktin se Azem Hajdari i besonte por e kishte dhe maninë për të biseduar me zë të lartë në telefon në makinë, për të komentuar me ata që kishte afër shumë detaje dhe Zenel Neza di shumë.
Ndërkohë, duke qënë se është në azil në SHBA por që ndan jetën mes këtij vendi të madh të demokracisë në botë dhe Kanadasë, mësohet se organet ligjzbatuese amerikane në kuadër të ndihmës për drejtësinë e re, pritet të sjellin shumë shpejt dhe dëshminë e Zenel Nezës.
Dëshmia e Zenel Nezës tashmë është marrë nga FBI dhe organet ligjzbatuese amerikane dhe së shpejti do të jetë në tavolinën e Arta Markut, për t’u përdorur nga drejtësia shqiptare dhe për t’i dhënë fund njëherë e mirë zvarritjes së zbardhjes së vrasjes së Azem Hajdarit.
Njëherësh pritet dhe një vidio-konferencë në ditën e gjyqit, për të qënë dëshmitar real në gjykimin e çështjes më të madhe që është gjykuar deri më tani në Shqipëri.
Nga ana tjetër mësohet se Sali Berisha do dërgohet dhe forcërisht për të dëshmuar në Prokurori, bashkë me të dhe Genc Pollo, por dhe të tjerë nga kupola e PD. Njëherësh do kërkohet dëshmia e Marjan Grykës, ish truprojes tjetër të Hajdarit, dhe ky në azil politik në një nga vendet e BE.
Gryka do të dëshmojë në organet ligjzbatuese të atij vendi ose përmes videokonferencës.
Nga ana tjetër do të merret gjithë dokumentacioni që ekziston te arkiva e UÇK për këtë rast, si dhe mediat shqiptare që kanë paralajmëruar.
Nuk përjashtohet mundësia që dy gazetarët që kanë shkruajtur në dy gazetat e ndryshme ai “Koha Jonë” dhe ai i “Shekullit” të dëshmojnë. Megjithëse gazetari i “KJ” tashmë është jashtë vendit, i larguar pak kohë pas vrasjes së Azem Hajdarit, ndërsa ish gazetari i “Shekullit” nuk ka lëvizur nga Shqipëria, por ka zgjedhur të mbajë gjithnjë një profil të mesëm në gazetari pa tentuar ngjitjen në karrierë. Ku në të gjitha rastet ka refuzuar drejtimin e mediave për këtë arësye.
Dritëhijet e largimit të dëshmitarëve të vrasjes së Azem Hajdarit
Pas atentatit ku mbeti i vrarë Azem Hajdari dhe truproja e tij Besim Çera, Zenel Neza truproja tjetër i Azem Hajdarit i mbijetoi i plagosur atentatit. Për këtë dëshmitar, Jaho Salihi shprehet se ka ofruar për hetuesit dhe gjyqtarët të dhëna kontradiktore, duke theksuar se Neza në asnjë moment nuk ka lëshuar një deklaratë dhe dëshmi me shkrim, të firmosur vetë kundër tij.
Ashtu rezulton vërtetë në fakt, Neza, thjesht bëri një video-konferencë gjatë gjyqit dhe në finale rezulton se ai është shprehur se ishte dëmtuar rëndë nga plagosja me armë zjarri dhe se “me aq sa i kujtohej, Jaho Salihi edhe mundet të ishte vrasësi dhe personi që qëlloi mbi Hajdarin”.
Pra, gjatë video-konferencës në gjyq, Zenel Neza në mënyrë të përmbledhur, kur është pyetur nëse ishte Jaho Salihi personi që ka qëlluar mbi Azem Hajdarin ka thënë thjesht një: EDHE MUNDET.
Dëshmitari kryesor i asaj ngjarje, i mbijetuari i vetëm, ka dhënë një përgjigje që mund ta japë kushdo mbi këtë pyetje.
Praktikisht, nuk ka dhënë përgjigje, nuk ka dëshmuar. Por përtej dëshmisë në gjyq të Zenel Nezës, ai rezulton të ketë dhënë një tjetër dëshmi, të incizuar, fill pasi kishte dalë nga reanimacioni dhe këtë dëshmi e ka dhënë as më shumë e as më pak për vetë Berishën.
Në disa pamje video, të transmetuara për herë të parë në emisionin e gazetarit Artan Hoxha, duket qartë Berisha në spital që i rri tek koka Zenel Nezës dhe komunikon me të.
Ky kontakt mes Berishës dhe Nezës është bërë vetëm pak orë pas vrasjes dhe vihen re dy fakte për pozicionet e Berishës dhe shoqëruesit të tij Ylli Rakipi.
Fakti i parë është komunikimi mes Berishës dhe Zenel Nezës në prezencë të botuesit Ylli Rakipi, i cili duket qartë në pamje se mban një diktofon regjistrues në dorë.
Dhe fakti i dytë, është vetëm Berisha kokë më kokë me Zenel Nezën, pa praninë e Ylli Rakipit dhe të askujt tjetër.
Kaseta me incizimin e Zenel Nezës nuk dihet çfarë fati ka pasur dhe për këtë duhet të pyetet në mënyrë të pashmangshme Ylli Rakipi, në atë kohë drejtues i gazetës “Albania”. Por nuk ka asnjë dyshim se ajo kasetë ka pasur një vlerë të padiskutueshme dhe asnjëherë nuk është kërkuar të administrohej nga organi i akuzës.
Zenel Neza ka qenë i sapo kishte dalë nga reanimacioni, në një gjendje të rënduar e të tronditur dhe pikërisht tek kjo gjendje e rënduar e tij qëndron dhe vlera e kasetës dhe incizimit. Pasi Zenel Neza ka folur në konfidencë dhe shumë pak kohë pas ngjarjes, duke mos ditur se si do të ishte fati i shëndetit të tij apo duke mos ditur se si do i shkonte halli kësaj çështje.
Në këto rrethana psikike, ai ka rrëfyer në mënyrë të dokumentuar ngjarjen për të qënë në çdo rast i shlyer me ndërgjegjen e tij. Ai ishte i mbijetuari i artë, ishte asi nën mëngë i zbardhjes së asaj ngjarje, për çdo hetues, ajo kasetë do të kishte një vlerë të paçmuar.
Por kaseta nuk dihet ku është apo nëse ekziston më, ndërsa Zenel Neza me sa duket mori premtimin për t’u larguar jashtë vendit dhe tashmë është në azil. Ndërsa Berisha, personi i parë dhe i fundit që i mori rrëfimin e rëndësishëm dhe që më pas disponoi incizimin, nuk u paraqit kurrë në gjykatë.
Ende nuk dihet ku ndodhet sot kjo kasetë, çfarë ka biseduar Berisha me Nezën, çfarë di ish presidenti dhe pse nuk u ekspozua kurrë transkripti i këtij incizimi. Të gjitha këto pyetje mbi këtë incizim delikat kanë mbetur pa përgjigje, prokuroria nuk është investuar fare mbi këtë detaj tejet të rëndësishëm të Berishës dhe të mbijetuarit-dëshmitar kryesor.
Ndërkohë që Zenel Neza, truproja e Hajdarit që i mbijetoi atentatit, pretendoi se ai nuk i njihte vrasësit, por, ndoshta, mund t’i identifikonte ata po t’i shihte. Neza i kërkoi Berishës që ta ndihmonte të siguronte azil politik jashtë Shqipërisë, dhe me sa duket e arriti, pasi ka qënë ish oficer i SHIK-ut të Gazidedes dhe Berisha e kishte pajisur dhe me pasaportë diplomatike. Ish truproja e Azem Hajdarit u largua nga Shqipëria dhe që nga ajo kohë jeton përtej oqeanit.
Ish truproja tjetër i Hajdarit, Marjan Gryka akuzon: Shaban Memia zhduku celularin
Ish truproja tjetër i Azem Hajdarit, Marjan Gryka përpos faktit që akuzon Sali Berishën se e vrau Liderin e Dhjetorit, e akuzon ish presidentin se zhduku dhe gjurmët për të mos u zbardhur kurrë kjo vrasje. Gryka thotë se Berisha urdhëroi Shaban Meminë të merrte celularin e Azem Hajdarit dhe ta fshihte njëherë e mirë për të mos u zbardhur telefonatat e fundit të tij.
“Kam punuar dhe jetuar me Liderin e Dhjetorit, Azem Hajdari për shumë vite. Kemi kaluar gjithë këto vite më shumë të këqija se të mira, deri në atentate të mirëorganizuara nga vetë eksponentë të PD-së dhe në shumë raste kanë dështuar duke shkuar për të bërë mbledhje dhe organizime të reja nga Kodra e Priftit e deri në shtëpitë e vjetra tek fusha e Aviacionit!!!
Ndërsa atë natë që u pushkatua Azem Hajdari çdo gjë ishte e mirëorganizuar nga vetë grupi i Katovicës me në krye Sali Berishën ku si një hijenë shikonte nga dritarja trupin e Azemit që po merrte plumba me breshëri dhe Pollo me disa “lakej badigardë” nga Tropoja fërkonin duart nga gëzimi që Azemi iku dhe Saliu shpëtoi.
Sot ka ardhur momenti më shumë se kurrë të përmendim emrin e të dyshuarit që i vodhi telefonin Azemit në xhep me urdhër të Saliut në momentin që plumbat e rrëzuan Azemin… Njeriu që ka dalë me vrap i pari në drejtim të Azemit direkt nga zyrat e PD-së, është Shaban Memia, skilja e “Penicilinës” që me shpejtësi të madhe shkoi e iu afrua trupit të Azemit, por në ato momente Azemi merrte frymë! E ka kthyer trupin e tij në krahun tjetër ku Azemi kishte telefonin dhe punë sekondash telefoni i Azemit është zhdukur dhe zëri i skile Memisë u dëgjua duke thënë se Azemi ka vdekur, kur ekspertiza në spital doli se Azemi ishte gjallë në makinën që e solli aty!”, ka deklaruar Marjan Gryka për zhdukjen e celularit që do të zbardhte shumë fakte.
Mungesa e autopsisë së Azem Hajdarit, gafa e shekullit. Berisha nuk u pyet asnjëherë
Misterioze mbetet dyllosja e dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit pa i marrë Sali Berishës qoftë dhe një dëshmi të vetme. Berisha nuk shkonte në gjyq pasi i konsideronte “politike” prokurorinë dhe gjykatat dhe me këtë e kishte goditur politikisht procesin.
Më pas, prokuroria tentoi në vitin 2001 me një lëvizje që ta impononte Berishën, kur çoi në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për të interpretuar nëse një deputet si Berisha mund të merrej forcërisht për të dëshmuar ose jo.
Gjykata Kushtetuese nuk dha kurrë një përgjigje për këtë çështje, nuk dihet madje sot e kësaj dite fati i kësaj kërkese të prokurorisë. Njëherësh Berisha kishte dhënë një dëshmi në prani të ambasadorit të atëhershmë të SHBA, Fruik, por mbetej dëshmi politike dhe jashtë suazës së drejtësisë.
Por disa vite më vonë, Berisha ka nisur një tjetër alibi që justifikonte refuzimin e tij për të dëshmuar. Kur Jaho Salihi aplikoi në Gjykatën e Strasburgut dhe e pretendoi si shkelje të procesit refuzimin e ‘personit kyç’ Berisha, shteti shqiptar, në vitin 2006, e justifikoi këtë mungesë të Berishës në gjyq me një arsye tjetër.
Sipas Avokatit të Shtetit, Berisha nuk u paraqit asnjëherë në gjyq sepse “i rrezikohej jeta nga ndonjë atentat”. Duket e pabesueshme, asnjëherë Berisha apo të vetët nuk e kanë bërë publik këtë alibi të tyren në Shqipëri, por në letrat e Gjykatës së Strasburgut, ky është justifikimi i paraqitur dhe i shkruar e zezë në të bardhë. Dhe atë kohë Berisha ishte në pushtet madje.
Nga ana tjetër, nëse sheh me vëmendje aplikimin që Jaho Salihi ka bërë në Strasburg, gjen referenca për një numër dëshmitarësh që prokuroria i ka marrë për bazë dhe i ka cilësuar si të rëndësishëm, ndërkohë që këta dëshmitarë në raste të përsëritura kanë kundërshtuar veten e tyre me detajet e dëshmive, për më tepër që dy prej tyre e jepnin dëshminë nga burgu. Ishin të dënuar për vepra të tjera edhe jashtë vendit.
Por detaji më i rëndë në hetimin e dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit është mungesa e autopsisë. Vrasja e Shekullit, nuk ka autopsi. Azem Hajdarit nuk i është bërë kurrë një autopsi zyrtare mjeko-ligjore.
I vetmi detaj është një deklarim ‘vullnetar’ e një mjeku-ligjor për prokurorët. Sipas dosjes, për prokurorinë u vetë-ofrua mjeku-ligjor B. Y që të jepte disa të dhëna. Sipas mjekut, ai natën e vrasjes, kishte bërë një ‘këqyrje private’, me iniciativë personale të kufomave të Hajdarit dhe truprojës së tij dhe ofroi ato detaje që ‘mbante mend’ për prokurorët.
Menjëherë pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet në vitin 2005, ky mjek u emërua drejtues i Institutit Mjeko-Ligjor në Tiranë, çka tregon se iniciativa vërtet ka qënë private, por asnjëherë personale, por e urdhëruar nga Berisha në opozitë për të zyrtarizuar alibinë e tij.
Paralajmërimi i ardhur nga UÇK për vrasjen e Hajdarit nga Berisha
Vrasja e Azem Hajdarit preku një aspekt më të gjerë se thjesht akti i ekzekutimit të tij, sidomos goditi rëndë ekuilibrin e forcave dhe nëntokën e lojës së shërbimeve inteligjente me atë që po ndodhte në Kosovë.
UÇK-ja nga një anë dhe FARK-u nga ana tjetër ishin dy organizime ushtarake që po operonin në atë kohë. Të dyja kishin lidhjet dhe ndikimet relative nga Tirana, si në konjukturë shërbimesh, por edhe në marrëdhënien e tregtisë së armëve.
Hajdari dhe Berisha ishin të lidhur fort me linjën Bukoshi, një linjë që cilësohej nën ndikimin e shtetit serb nga ana e ushtarakëve të UÇK. Por brenda radhëve të FARK të Bukoshit, ekzistonte një ushtarak i lartë që bënte lojë të dyfishtë, dhe kjo është shënuar në arkivat e UÇK.
Nuk është shkruar asnjëherë për këtë fakt, por në arkivën e UÇK gjenden dokumente mirëfilli që flasin për paralajmërimet e kësaj strukture ushtarake për vrasjen që do të ndodhte në Tiranë. B.H ishte një ushtarak karriere që i shkoi në vitin 1997 Ali Ahmetit (Drejtues i Zonës së Dytë Operative të UÇK) dhe i’u ofrua për t’iu bashkuar lëvizjes. Por Ali Ahmeti tepër i zgjuar dhe nuhatës i caktoi ushtarakut B.H një detyrë tepër interesante.
“Na duhesh më tepër në radhët e FARK-ut të Bukoshit, që t’i kemi nën kontroll ata. Do shkosh atje të ofrohesh dhe do jesh lidhja jonë atje brenda në Shtabin e tyre”, e instruktoi Ahmeti.
Këtë rol, ushtaraku B.H e mori zyrtarisht, duke firmosur madje dhe dokumentin e infiltrimit në prani të krerëve më të lartë të UÇK asokohe.
Sido që të shkonte puna, diku ekzistonte një dokument që vërtetonte përkatësinë e tij me UÇK-në, ndonëse shërbente formalisht pranë FARK-ut të Bukoshit. Është pikërisht ushtaraku kosovar që informoi dhe dha alarmin në Gushtin e vitit 1998, një muaj para vrasjes së Azem Hajdarit, për atë që në fakt ndodhi më 12 Shtator.
“Pranë shtabit të FARK-ut të Bukoshit, erdhi një informacion që opozita në Shqipëri, PD, së bashku me disa struktura të FARK-ut, po përgatitnin ngjarje të pazakonta në Shqipëri, që mund të sillnin edhe përmbysjen e situatës.
Ishte periudha pik e sulmit të forcave serbe, sidomos në zonën operative të Dukagjinit, dhe një situatë e tillë, e jashtëzakonshme në Shqipëri, do të ishte një goditje e rëndë për UÇK-në. Prandaj, ishte i natyrshëm interesimi i mëtejshëm.
Informacioni i ardhur në të njëjtën rrugë sillte të dhëna konkrete për ngjarje të rënda që mund të ndodhnin në Shtator 1998, sidomos për një lëvizje që mund të sillte përmbysjen e pushtetit, që drejtohej nga socialistët.
Ky informacion, së bashku me të dhënën se po organizohej një skenar i ngjashëm me atë që kishte ndodhur disa dekada më parë, me vrasjen e Avni Rustemit, ishte shumë tronditës, dhe për këtë, përmes ambasadorit të Shqipërisë në Gjermani, Bashkim Zeneli, personalitet i lidhur ngushtë me lëvizjen çlirimtare, iu dërgua edhe strukturave të larta të shtetit shqiptar.
Por ky skenar ishte përcaktuar që të zhvillohej në Shqipëri dhe të vritej një figurë shumë e lartë, për të justifikuar rrëzimin me dhunë të qeverisë së Fatos Nanos, gjë që shkonte dhe në dëm të UÇK, e cila ndihmohej me të gjitha mënyrat nga qeveria e asaj kohe e socialistëve.
Fakt është se lëvizja për përmbysjen e pushtetit do të kishte një drejtim të kundërt me atë të ndodhur disa dekada më parë, ajo do të vinte nga veriu, dhe kjo ishte dyfish e rrezikshme, pasi atje ndodheshin edhe portat e dërgimit të logjistikës për UÇK-në.
Ngjarjet e më pasme, vrasja e Azem Hajdarit dhe dhuna e 14 shtatorit, dëshmoi se gjithçka kishte qenë e saktë dhe kjo ëhstë konfirmuar dhe nga disa prej ish krerëve të UÇK, i cili nënvizon gjithë dokumentacioni arkivor që ekziston tashmë e verteton këtë fakt.
Me këtë shpjegohet dhe reagimi i Sali Berishës ndaj Hashim Thaçit kur ky i fundit i përmendi aktivitetin e ish kreut të PD në atë periudhë kundër shqiptarëve dhe UÇK.