Arian Ferracaku, 30 vjeç, banues në Shkodër u ekzekutua dje në periferi të Shkodrës. Vrasja e tij ndodhi në zonën e Livadeve, ku Ferracaku së bashku me dy të tjerë po stërviteshin me kuaj. Në momentin kur ka filluar breshëria e plumbave dy shoqëruesit e Ferracakut ndodheshin larg tij. Me të dëgjuar krismat janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Sipas grupit hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes biznesmeni është qëlluar fillimisht nga një distancë prej 20 metra. Më pas, autori e ka ndjekur dhe pas rrëzimit nga kali e ka qëlluar dhe në distancë të afërt, duke e lënë të vdekur në vend.
Viktima ka tentuar që me kalin e tij të largohet, por është rrëzuar në tokë nga plumbat që ka marrë në trup. Arian Ferracaku ka marrë plumba në trup, ndërsa pjesën më të madhe i ka në kokë. Pasi është rrëzuar si shkak i plagëve, autori është afruar dhe e ka qëlluar disa herë në kokë. Sipas burimeve për “Panorama”, Ferracaku ka të paktën 8 plumba në trupin e tij, duke bërë që të humbë jetën menjëherë. Kanë qenë kushërinjtë e 30-vjeçarit, ata të cilët kanë dëgjuar krismat dhe pasi kanë dëgjuar të shtënat, kanë njoftuar Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe Drejtorinë Vendore të policisë.
Në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e Spitalit Rajonal të Shkodrës, por ka qenë e pamundur për të ndërhyrë sepse Arian Ferracaku ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Pas njoftimit, me dhjetëra forca Policie kanë shkuar në zonën e Livadeve ku ndodhi vrasja. Menjëherë është bërë rrethimi i gjithë zonës dhe grupi hetimor ka bërë hetimet paraprake, ndërsa janë mbledhur edhe provat. Në total janë afro 17 plumba që janë qëlluar nga arma e zjarrit automatik kallashnikov.
Sipas burimeve policore, personi që ka qëlluar nuk qenë i vetëm në vendngjarje dhe ka dyshime se është ndihmuar nga persona të tjerë. Autori, sipas burimeve, ishte fshehur pas shkurreve dhe sapo 30- vjeçari ka mbërritur aty ka qëlluar në drejtim të tij.
Para se të largohej autori i ka marrë atij sendet personale që kishte me vete. Nga grupi hetimor mësohet se 30-vjeçarit i janë marrë telefoni celular dhe portofoli,duke u larguar më pas në drejtim të paditur.