Ish Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj pritet të merret nën hetim për “Gërdecin” por dhe për tëshumëpërfolurin mikun e Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Argita Berisha Malltezit, serbo-boshnjakun Damir Fazlliç.
Për hetimin e serbo-boshnjakut që futi në dorë tërë pasurinë e shqiptarëve dhe e ndau me familjen Berisha dhe Basha, Prokurorja e Përgjithshme e asaj kohe Ina Rama kërkoi thirrjen e tij me polici për të dëshmuar. Për afera të ndryshme që fillonin që me pastrimin e parave bashkë me Argita Berisha Malltezin e familjes Berisha në Qipro, përmes kompanive fantazmë e deri tek blerja e Porto Romanos badihava. Dhe ku me një vendim të qeverisë Berisha të asaj kohe më pas që i çoi rrugën dhe bonifikimin, vlera e kësaj prone të përbashkët Argita-Fazlliç arriti të 100 fishohej.
Dhe kur Ina Rama kërkoi marrjen nën hetim të Damir Fazlliç, ish ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, sapo Berisha deklaroi se mikun e tij Fazlliç do ta sillte dhe në Kuvend, kërkoi largimin e ish kryeprokurores Ina Rama.
Këtë kërkesë “atleti” i drejtësisë së pavarur e bëri në mes të sallës së Kuvendit për të mbrojtur një mashtrues, trafikant dhe pastrues parash si Damir Fazlliçi, vetëm e vetëm se ishte miku i Berishës e Bashës. Me një arrogancë të paparë ish ministri i Drejtësisë Alibeaj, formuloi një ditë të dielë një shkresë – urdhër për të kërkuar hetim për prokurorët që donin të merrnin në pyetje Damir Fazlliçin. Një pengim i pastër i prokurorisë për hetimin e “peshqve të mëdhenj”.
Dhe FBI, ekspertët gjermanë e italianë si dhe organet ligjzbatuese shqiptare teksa kanë nisur verifikimin e pasurive, kanë hasur dhe në atë të Porto Romanos në pronësi të Argita Berisha Malltezit por dhe Damir Fazlliç. Ku shfletimi më i detajuar ka nxjerrë dhe shkeljen e ligjit, pavarësisë së institucioneve dhe ndarjes së pushteteve nga ish ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj.
Ndaj është kërkuar një hetim i detajuar për këtë rast. Bëhet fjalë për pastrim parash dhe pasuri të vënë me mashtrim.
Alibeaj përgatiti dosjen e instalimit të punishtes së vdekjes të Shkelzen Berishës në Gërdec
Burime të prokurorisë kanë shpjeguar se është përfshirë në dosjen e “Gërdecit” dhe praktika e hartimit të projektligjit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe kabinetit të kryeministrit, i cili i hapi rrugë përfshirjes se kompanive private në biznesin e demontimit të municioneve dhe tregtisë së armëve. Vetë ish ministri Alibeaj ka pranuar në atë kohë se ka ndihmuar në bërjen e ligjeve që krijuan “Gërdecin”. Madje ai ka shpjeguar me krenari që legjislacioni kishte mangësi dhe ishte ai që këshilloi të krijoheshin ato ligje.
“Me modesti mund të pranoj që jam një jurist, i cili nuk pranon të ketë dhënë mendime të gabuara në këtë rast. Sepse në këtë rast puna që është bërë është serioze. Më kujtohet legjislacioni në atë rast ka pasur mangësi, ka pasur vakuume që të duhet të plotësoheshin. Veprimtaria e një shtetit duhet të ndërtohet mbi baza ligjore. Jo nuk besoj se kam gabuar, do jepja sërish të njëjtën këshillë”, ka thënë në atë kohë ish ministri i Drejtësisë. Ndërkohë që këtë ndihmëse për ngritjen e punishtës së “Gërdecit”, një biznes i Shkelzen Berishës, djalit të ish kryeministrit Sali Berisha, nuk e ka bërë me statusin e një juristi të thjeshtë sikurse e thotë ai me krenari.
Bërjen e ligjeve për këtë punishte vdekjeje ku humbën jetën nga shpërthimi shtetëror 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosen mbi 300 të tjerë e ka bërë me statusin e kreut të strukturës antikorrupsion të ngritur asokohe pranë ish kryeministrit Sali Berisha. Dhe që kishte atributet e një Task Force kundër korrupsionit, për ta luftuar jo për ta instaluar siç bëri Alibeaj.
Ndërkohë që kreu i saj, Enkelejd Alibeaj u përdor nga Shkelzen Berisha dhe familja Berisha për të bërë ligje në funksion të demontimit të minicioneve në Gërdec. Vetëm e vetëm që familja kryeministrore të pasurohej. Madje duke ndikuar dhe në eleminimin e konkurrentëve siç ishte rasti i përjashtimit nga biznesi i Kosta Trebickës dhe më pas eleminimi fizik i tij. Njëherësh ka me qindra e-maile të ish kreut të njësisë antikorrupsion në kryeministri, më vonë ministër Drejtësie Enkelejd Alibeaj me specialistë të të Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me Gërdecin. Ndërkohë që dhe në kryeministri, në zyrën e njësisë antikorrupsion janë marrë të gjitha materialet dhe dokumentet që ka lidhje me bazën ligjore të dosjes “Gërdeci”, që janë kopsitur në këtë dosje të rëndë. Gjithashtu, janë në dosje dhe oponencat e disa anëtarëve të Këshillit të Ministrave, për mënyrën e dhënies së lejes për firmat private që kryen demontimin e municioneve.
Debatet apo propozimet në mbledhjen e qeverisë që miratoi “ligjin” për demontimin e municioneve janë verifikuar dhe janë përfshirë në dosje. Dhe në këtë kuadër është në dosje dhe tërë veprimtaria e Enkelejd Alibeajt, gjatë kohës që punonte si vartës i Berishës në zyrën antikorrupsion. Por dhe letërkëmbimet e ish ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me këshilltarin e Mediut, Plarent Ruka si dhe të gjitha shkresat dhe korrespodencat e mbajtura mes këtyre dy institucioneve, nga dhjetori 2006 deri në fillim të marsit 2007.
Në dosje janë dhe deponimet e Këshilltarit të ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili ka pranuar se takimet janë zhvilluar brenda në Kryeministri, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në lokalet e qendrës së kryeqytetit. Ndërsa sa u përket letërkëmbimeve, ato kanë filluar nga dhjetori i vitit 2006 dhe janë shpeshtuar jashtëzakonisht në muajt e parë të vitit 2007. Ku sipas tij këto takime dhe biseda mësohet se janë kryer në kohën kur kompania amerikane “Southern Ammunition Company” (SAC) kishte hyrë në negociata dhe kërkonte kryerjen e demontimit të municioneve të lehta, ku Ministria e Mbrojtjes ishte gati t‘i ofronte këtë punë me prokurim të drejtpërdrejtë.
Dosja e Gërdecit ka dhe argumentin e përdorur sipas të cilit, mungesa e bazës ligjore për të kryer këtë punë të kërkuar nga SAC-i, bëri që Ministria e Mbrojtjes të kërkojë asistencë, apo ndihmë juridike nga drejtuesi i auditit në Kryeministri në atë kohë, Enkelejd Alibeaj. Njëherësh në letërkëmbimet mes tyre bëhej fjalë për mënyrën se si Ministria e Mbrojtjes, si pjesë e qeverisë shqiptare, duhej të lejonte nisjen e aktivitetit të SAC-it për demontim, që më pas do të niste bashkëpunimin me kompaninë shqiptare “Albademil” e drejtuar nga Mihal Delijorgji, biznesmeni që bëri burg për tragjedinë e Gërdecit.
Në bazë referimit të Alibeajt në atë kohë, dërguar ish-këshilltarit juridik të Ministrisë së Mbrojtjes, Ruko, më pas rezultoi në pikën tre të vendimit të Këshillit të Ministrave me Nr. 138, të datës 14 mars 2007, ku autorizohej Ministria e Mbrojtjes që “të nxjerrë udhëzimin e hollësishëm përkatës, për kriteret teknike dhe procedurat e asgjësimit, ose çmontimit a tjetërsimit të armëve e të teknikës së FA, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”.
Pra sikurse shihet ish ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, në kohën kur ka qënë drejtues i zyrës antikorrupsion pranë ish kryeministrit Berisha ka qënë njeriu kryesor që ka përgatitur bazën ligjore për instalimin e punishtes së vdekjes së demontimit të municioneve në Gërdec. Pikërisht. Referuar Strasburgut por dhe deklaratës së Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku se do të hapen të gjitha dosjet e mbyllura padrejtësisht, dosja e “Gërdecit” do të ketë në përbërje të saj dhe hetimin e ish ministrit të drejtësisë Enkelejd Alibeaj./Pamfleti.com