Ka ngecur sërish rigjykimi i dosjes “Hajdari”, ku pas dorëheqjes së gjyqtares Fatmira Hajdari në trupën gjykuese bashkë me Shkëlqim Mustafën dhe Andi Civicin, u bllokua procesi për Izet Haxhinë.
Burime për gazetën bëjnë me dije se dhe trupa e re e përbërë nga Valdete Hoxha dhe Genti Shala e Astrit Haxhialushi ka kërkuar dorëheqjen për dosjen e bujshme.
Gjykata e Apelit të Tiranës konfirmon se trupa e re gjykuese ka ndërmend të dorëhiqet por se vendimi i tyre nuk është pranuar akoma, vendim i cili pritet të merret brenda muajit shtator.
I pandehuri Izet Haxhia, i cili ndodhet aktualisht në burg pritet të rigjykohet për dënimin me burgim të përjetshëm, si bashkëpunëtor në vrasjen e deputetit Azem Hajdari, më 12 shtator 1998.
Ish-truproja i Sali Berishës, i ekstraduar muaj më parë nga Turqia, pretendon pafajësinë dhe për rrjedhojë kërkon rihapjen e kësaj çështje./Ekskluzive.al