Pas takimit që zhvilloi ditën e djeshme me një grup mësuesish në Kryeministri, kreu i qeverisë Edi Rama e ka nisur këtë të martë me një video dedikuar teksteve shkollore.
“Me sugjerimin që ta shihni këtë prezantim të shkurtër e kuptimplotë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Në videon që gjeni më poshtë shihet ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla mes librave.
Ajo thotë se 1310 tekste prodhoi alterteksti, duke krijuar një kaos të vërtetë, korrupsion dhe gabime të panumërta.
Ministrja shprehet se tekstet ishin në duart e fëmijëve, duke arritur në 11 alternativa për një tekst dhe ku mësuesit, prindërit dhe mediat denonconin kaosin e krijuar.
“600 tituj nga 1310 u refuzuan nga mësuesit, pasi ishin me gabime të rënda. Kaosit ju përgjigjëm, ftuam mësuesit që me votim të fshehtë refuzuan 600 tekste. Pastruam tekstet me gabime dhe filluam reformën e re të tekste. Tekstet e reja janë të standardeve ndërkombëtare, u përshtatën me universitete si Oxford he Cambridge, të lehtësuara por edhe të pajisura me CD për të punuar dhe me mjetet alternative”, deklaron ministrja.
Madje ajo sqaron se para se tekstet të futen në katalogë dhe të licencohen kalojnë vitin e provës dhe mësuesit pyeten sërish nëse ka kaluar një gabim, në mënyrë që teksti të jetë i licencuar.