Masa e shpërblimit është e barabartë me diferencën e çmimit të ushqimit, kur ushqimi përgatitet nga i punësuari ose në kuzhina të përbashkëta me çmimet me pakicë në restorante.
Pagesave varion nga 300 lekë për një vakt, në 500 lekë kur punonjësit rri më gjatë në punë. Sipas këtij vendimi, nëse punëdhënësi nuk krijon kushtet e duhura për ushqim, do të duhet të paguajë në muaj 6600 lekë (300 lekë për 22 ditë pune) dhe në vit 79 mijë lekë, apo gati 600 euro.
Vendimi përcakton që vlera, mënyrat dhe kriteret e dhënies së pagës në natyrë do të jenë, si më poshtë vijon:
- a) Kufiri i vlerës së shpërblimit në formën e pagës në natyrë do të jetë deri në masën 300 (treqind) lekë për një vakt dhe deri në masën 500 (pesëqind) lekë kur trajtohet me më shumë se një vakt për ditë pune;
- b) Në kontratën kolektive apo individuale të punës, palët mund të përcaktojnë edhe trajtime të tjera si dhe ndryshimin e kufijve të pagës në natyrë, në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit;
- c) Shpërblimi në formën e pagës në natyrë mund të jepet në trajtim ushqimor, kupon dhe mall. Në raste të veçanta, kur nuk ekzistojnë mundësitë për dhënien e shpërblimit në asnjë nga këto forma, punonjësit i jepet shpërblimi në para dhe ky shpërblim, për efekte fiskale, trajtohet si paga;
ç) Masa e shpërblimit në formën e pagës në natyrë përcaktohet në kontratën kolektive apo individuale të punës. Në rastet kur paga në natyrë zbritet nga paga e punonjësit, atëherë shuma e këtij shpërblimi për të gjithë muajin nuk mund të kalojë 20 % (njëzet) për qind të pagës mujore.
- Punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë strehim punëmarrësit, në kushtet kur ky i fundit nuk ka mundësi të kthehet në vendbanimin e tij për shkak të largësisë së vendit të punës me qendrën e vendbanimit.
- Për efekt të llogaritjes së pagës për rastin e pushimeve vjetore, shpërblimi që i përgjigjet pjesës së pagës së përfituar në natyrë përllogaritet si raport i ditëve të punës, gjatë të cilave punëmarrësi ka përfituar pagë në natyrë me numrin e përgjithshëm të ditëve gjatë të cilave ka punuar, shumëzuar me ditët e punës që përfshihen në periudhën e pushimeve vjetore dhe pagën ditore në natyrë, të përcaktuara në kontratën kolektive apo individuale të punës.
- Vendimi nr.139, datë 14.3.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për kufijtë e përcaktimit të pagës në natyrë dhe kriteret e përllogaritjes së shpërblimit, që i shtohet pagës për leje vjetore”, shfuqizohet.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.