Patetizmi dhe sidomos fjalia “të çojmë në rradhë të parë politikanët e lidhur me krimin jashtë institucioneve dhe pastaj para një drejtësia të reformuar” do të thotë që pikërisht elita e krimit në politikë, ti shpëtojë drejtësisë! Kush do ti çojë politikanët e lidhur me krimin jashtë institucioneve? Basha, elita e tij, ai në bashkëpunim me Ramën, të dy në bashkëpunim me Berishën, të tre në bashkëpunim me Monikën?! Këta, të nxjerrin jashtë institucioneve politikanët e lidhur me krimin?! Ky person flet përçart, por në mënyrë arrogante dhe diletanteske! Këtij njeriu dhe elitës së tij, afër tij, rreth tij, mbi të, mbushur me ngjarje, veprime, rrethana, që janë plot model prokurorie, ti besohet nxjerrja jashtë e politikanëve të lidhur me krimin?! Këtij njeriu dhe politikës sot, ti besosh një institucion që del dhe është partiak!? Po pra, që bën vetëvetingun në politikë?! Kjo është pastaj deliri i fundit i njerëzve që po ju vjen fundi, jo në politikë, por si qytetar normalë të këtij vendi!
Asnjë vetëveting nuk i bën politika në Shqipëri vetes! Po sigurisht një pjesë e saj, lejon që drejtësia të fillojë vetingun në politikë! Kryeministri i Shqipërisë ka pranuar të bëhet njeriu i politikës që ka rënë dakord për të qëndruar jashtë ndikimit të politikës në rrethanat kur të huajt, amerikanët, gjermanët dhe institucionet e tyre, institucionet e ndërkombëtarëve, po bëjnë me vetingun në drejtësi! Por asnjë bashkëpunim nuk duhet të pranonte për të ngritur institucione politike, të emëruar prej tyre që të “qelb ndërtohet” strategjia, institucione prej tyre, mbi vetingun në politikë! Nuk mund të shpëtojnë kaq kollaj njerëz që kanë vrarë qytetarë shqiptarë pa faj! As njerëz politikë që kanë shkallmuar demokracinë dhe rrëzuar shtetin!
Njerëz në politikë që kanë hedhur në erë fshatra komplet dhe kanë kryer vrasje masive për korrupsion! Nuk mund të mbrohen kështu njerëz politikë dhe familjarë të tyre, soj soj sorollopësh të inkriminuar në trafik dhe njerëz, që kanë hyrë në politikë për të mbrojtur pasurinë e tyre mafioze të ngritur mbi trafikun dhe krimin ekonomik, por edhe atë penal që sot kanë miliarda dhe janë arrogantë deri në histeri! Kujt kujton se i tregon “veting” Basha, duke ulëritur kundra medemek qeverisë dhe duke e ditur të gjithë shqiptarët, se “po të mos jetë ai, kjo qeveri do të ishte në vështirësi të jashtëzakonshme politike dhe njerëzore”?!
Lulzim Basha, tarikati i tij i ri i formuar në PD, tarikati i vjetër i SB-së, por dhe tarikate të tjerë, prej vitesh të formuar mbi korrupsionin do të largojnë veten nga politika?! Si nuk kanë turp?! Së paku keq janë boll, por deri në këtë marrëzi socialistët nuk bien. Shumë kujt aty mund ti pëlqejë propozimi i Lulit, i cili do të shpëtojë jo vetëm veten, por dhe shumë të tjerë duke “nxjerrë ai dhe partneri i tij Rama” (ky i fundit nuk besoj se do të pranojë në kushtet e mungesës së drejtësisë së vërtetë institucionale dhe sidomos nën kontroll të huaj) njerëzit në politikë bashkëpunëtor me krimin dhe pjesë të tij?! Ky është delir, por është i kuptueshëm për një dorë të tillë, të cilët tanimë ka realisht frikë, e përsëris jo nga Rama, por nga ” jo pengesa” që ai ju ka dhënë ndërkombëtarëve, për të riparuar drejtësinë dhe filluar ligjin mbi të!
Budallallëku dhe demenca e madhe, duket në formulimin e katër pikave sa idiote dhe retorikë politike mbi vetëvetingun e turpshëm të Bashës! 1 – Dekriminalizimi i plotë përmes vetingut të politikanëve të lidhur me krimin. Çfarë do të thotë “dekriminalizim i plotë?! Ai i pari që bëri ishte i pa plotë, apo jo? Ishte pra, sepse ishte gabim që në fillim, kur e merrte përsipër politika veten! Po pra, nuk e bënte drejtësia! Sepse vetëm ajo e bën! Si në Itali shumë më përpara, pastaj Greqi mbas krizës, Spanjë, Kroaci, Rumani e kudo ku ka vepruar seriozisht! Politika i ka hapur rrugën nuk ka penguar drejtësinë! Kurse Basha kërkon pikërisht që politika të pengojë dhe shpëtojë veten! Basha kërkon që politika të zëvendësojë drejtësinë dhe kërkon ndihmë dhe nga Rama?! 2 – Çlirimi i drejtësisë nga kapja politike në funksion të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin! Basha e ka fjalën këtu për të zhbëri Vetingun! Atë që kanë bërë ndërkombëtarët!
Ka hallin të kthejë në detyrë maskarenjtë e drejtësisë gjykatës dhe prokurorë, që i kishte vendosur ai dhe partia e tij së bashku me SB-në, për të ruajtur krimin e tyre politik në drejtësi! Kujt kujton se ja hedh Basha ndërkombëtarëve! Deliri tjetër është pika e tretë si “risi” e madhe e një dementi politik! 3 – Zgjedhje të lira të ndershme, demokratike ku qytetarët të jenë ata që vendosin! Shikoni çfarë marrëzish dhe folklorizmash donkishoteske formulon në pika sa idiote dhe pa kuptim! Ku qytetarët të jenë ato që vendosin?! Jo mor, ky është krejt anormal?! Kështu tha dhe kur u bashkua me Ramën me 18 qershor 2015! Biles përpara tha se do të ndërtonte dhe “Republikën e Re”?! 4 – Një ekonomi e çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar, në funksion të mirëqenies së qytetarëve. I ka oligarkët afër, në familje, në parti, dikur ato që ka sot PS, i kishte ai dhe vazhdon marrëzinë e thirrjeve patetike dhe idiote, për ti larguar dhe çliruar ekonominë sipas tij nga ato që ka ndërtuar si oligarkë vetë! Ai dhe partia e tij bashkë me kryeplakun e tij! Biles i shkoi mendja se “socialistët dhe Rama” nuk do dinin! Po po, se do ishin “adoleshentë” për punë oligarkësh”?! Në fakt, “edramistët oligarkë” ju treguan se janë më të zgjuar dhe më “modern” se sa “folkoligarkia” e PD-së!
Nejse, deliret idiote të një njeriu që ka lënë vendin pa opozitë dihen dhe është fatkeqësi për PD! Problemi është se po pranoi të tilla delire jashtë drejtësisë Edi Rama, do të thotë se edhe ai ka shumë për të paguar dhe për të shpëtuar! E kjo është një delir tjetër akoma dhe më i keq se sa marrëzitë e Lulzim Bashës! Askush ose pothuaj askush në popull, nuk beson më! Janë lodhur me marrëzi dhe delire të tilla që qëllim kanë vetëm pushtetin e tyre! Vetingun në politikë e bën drejtësia e reformuar, e ngritur me njerëz jashtë politikës dhe ndikimit të saj dhe e kontrolluar e mbrojtur rreptë nga ndërkombëtarët! Po pra, amerikanët dhe gjermanët, europianët në përgjithësi. Institucionet partiake, “dypalëshe, trepalëshe etj., etj., palëshe” të ngritura për vetëveting politikës janë anti ligjore, anti shoqëri dhe anti kombëtarë, që kanë qëllim largimin e Shqipërisë nga demokracia!
Nga Besi BEKTESHI