Dosja për vrasjen e ish-liderit demokrat, Azem Hajdari pritet të rihapet. Të mërkurën Gjykata e Lartë e Turqisë vendosi të ekstradojë në Shqipëri, ish-truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhinë, i cili pritet të trazojë ujërat e politikës shqiptare. Izet Haxhia është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Hajdarit dhe ekstradimi i tij ka ngjallur shumë pikëpyetje. Dilema është nëse ish-truproja e Sali Berishës do të vijë në Shqipëri për të kryer dënimin e vendosur nga gjykata apo rikthimi i tij po shihet si një mundësi për të rihapur dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit? Për të sqaruar nga ana juridike këtë çështje dhe për të treguar procedurat që pritet të ndiqen, gazeta kontaktoi ditën e djeshme me avokatin Saimir Vishaj, i cili njëkohësisht mban edhe postin e kryetarin e Avokatëve Penalistë Shqiptarë dhe ka informacione sa u takon këtyre rasteve. Sipas Vishajt, duke u bazuar tek Kodi i ri i Procedurës Penal që është futur në fuqi pas miratimit të reformës në drejtësi, Izet Haxhia ka të drejtë të kërkojë rishikimin e vendimit të gjykatës, pra mund të kërkojë apelim. “Me ligjin e ri, çdo person që është gjykuar në mungesë, ka të drejtë të bëjë kërkesë pranë gjykatës që e ka dënuar për të ushtruar të drejtën e rishikimit të vendimit. Atij i lind e drejta në momentin që do të vijë në Shqipëri t’i drejtohet Gjykatës së Tiranës për rishikimin e gjyqit dhe ta rifillojë nga e para. Për atë! Jo për të tjerët”, theksoi avokati Saimir Vishaj.
Provat e reja
Më tej, i pyetur për ndikimin që dëshmitë e Izet Haxhisë mund të kenë në dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit, kreu i Avokatëve Penalistë Shqiptarë shpjegoi se vetëm në rast se ish-truproja e Sali Berishës sjell fakte dhe prova të reja, atëherë këto të fundit mund të merren parasysh për rishikimin e vendimit të marrë për të dhe të bashkëpandehurve të tij. “Në rast se dalin prova të reja gjatë gjykimit të Izet Haxhisë mund të shërbejnë për rishikim të personave të cilët janë dënuar në këtë proces, të bashkëpandehurve të tij. Ai ka një status, është i dënuar dhe do të futet në burg. Por edhe pse Gjykata e Lartë e Turqisë është shprehur, të drejtën për ta ekstraduar apo të drejtën për ta pezulluar është vetëm firma e ministrit të Drejtësisë”, tha Saimir Vishaj.
Vrasja e Azem Hajdarit
Ish-lideri i PD u ekzekutua mbrëmjen e 22 shtatorit 1998 disa metra larg selisë së PD në kryeqytet. Për vrasjen e Hajdarit, Gjykata e Tiranës dënoi me burgim të përjetshëm Jaho Mulosmanin, i cilësuar si organizatori dhe ekzekutori kryesor, së bashku me Fatmir Haklajn, i cili ishte vrarë në Tropojë, me 25 vjet burg në mungesë Izet Haxhinë, me 20 vjet Ismet Haxhia, ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Isamedin Haxhia dhe Fatmir Meta janë dënuar me kohën e paraburgimit. Lidhja e Izet Haxhisë me Sali Berishën e ka zanafillën në vitin 1992 kur u caktua me shërbim në grupin e truprojave te ish-presidentit. Pak kohë më vonë Izet Haxhia do të binte në sy edhe si një prej personave të besuar dhe pranë lidershipit demokrat. Ai përflitej në korridoret e PD si njeriu që natën e 12 shtatorit ka hyrë në seli dhe ka shkuar në zyrën e deputetit Azem Hajdari. Pasi është takuar me të, i ka thënë se jashtë selisë ndodhej një makinë e zezë me targa të Vlorës. Në këtë makinë ndodheshin disa tropojanë, të cilët donin që ta takonin. Bazuar në fjalën e Haxhisë, Azem Hajdari ka dalë nga zyra e tij dhe pas tij kanë shkuar truprojat Zenel Neza dhe Besim Çera.