Shqipëria mund ta parakalojë Serbinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, shkruan gazeta e njohur britanike ”Financial Times”.
Në një editorial kushtuar zgjerimit të BE-së, kjo gazetë nënvizon faktin se ”unioni nuk duhet të zmbrapset (nga premtimi për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor – shën. i përkth.) pasi, në të kundërt, Rusia dhe Turqia do të mbushin këtë boshllëk”.
“Pas një pauze të gjatë, BE ka dëshirë të flasë sërish për zgjerimin e kufijve të saj. Vitin e kaluar, presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker premtoi t’u ofrojë gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të besueshme për anëtarësimin në BE”, shkruan gazeta.
“Mbetet në interesin e të gjithëve për të dhënë parashikime realiste për shtetet e Ballkanit, ndërkohë që janë të shumtë ata që dyshojnë në sinqeritetin e BE-së, pas viteve të tëra pritjeje përballë dyerve të mbyllura”, shton ajo.
“Premtimi i BE-së për anëtarësim ka qenë një nxitje kryesore për qeveritë ballkanike për të marrë vendime të vështira… Por, ka ende shumë rrugë për të bërë dhe ndikimi i BE-së po ulet. Vetëm 26% e serbëve mendojnë tani se anëtarësimi në BE është një gjë e mirë”, shkruan ”Financial Times”.
”Sidoqoftë, asnjë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i ka plotësuar kushtet e anëtarësimit”.
”Dhe, përderisa KE ka shprehur qartë se progresi drejt integrimit do të matet mbi bazën e meritave dhe, teorikisht çdo shtet mund të parakalojë kryesuesit aktualë në garë (Mali i Zi dhe Serbia), atëhere ajo merr në konsideratë përpjekjet e bëra kohët e fundit, për shembull, nga vende si Shqipëria, çka u përgjigjet dyshimeve për favorizim, në veçanti, të Serbisë”, thekson gazeta e njohur britanike ”Financial Times”./ATSH