Pasi Rama i mbylli të gjitha shtigjet dhe i mori dy deputetet kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi nuk i mbetet derë tjetër. Ai po sheh mundësinë për t’ju bashkuar opozitë së kryesuar nga Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha. “Rrudhjen’ e partisë së tij Idrizi ia ka faturuar strategjisë së mazhorancë për të nxjerrë faktorin politik jashtë, si dhe ekzekutimit të mandateve të Tiranës dhe Fierit.
“Nuk dua t’iu referohem emrave të përveçëm, por ajo që mund të them qartësisht sot është se, në kushtet kur kjo mazhorancë e ka marrë të gjithë tepsinë për vete dhe deklaron se do të hyjë e vetme në zgjedhje, e në kushtet që për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë kemi ndryshim 180 gradë të qëndrimit të kësaj mazhorance dhe të Edi Ramës, në mbledhjen e para dy ditëve të Kryesisë së PDIU-së vendosëm mbledhjen e Këshillit Kombëtar sot për të diskutuar për kalimin në opozitën zyrtare dhe mundësitë e negociatave me Partinë Demokratike, për t’u rreshtuar në këto zgjedhje me koalicionin opozitar”, deklaroi Shpëtim Idrizi në emisionin “Top Talk” në Top Channel.
Nga Asambleja e Partisë Socialiste, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla e bëri mëse të qartë vendimin: “Të gjithë e dimë se në Zgjedhjet Vendore 2019, ne kemi vetëm një aleat.Në koalicion me ne do të jenë vetëm qytetarët e thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi dhe përballë kemi përsëri një aleancë politikanësh, që politikën e duan si mjet për interesat e tyre, jo për interesat e Shqipërisë.”
PDIU u largua nga koalicioni i djathtë në 2014-ën pasi në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës siguroi pesë mandate, ndërsa Idrizi u zgjodh në listat e PD. Koalicioni me PS nuk funksionoi, ndërsa në zgjedhjet e qershorit 2017 PDIU arriti të marrë vetëm 4 mandate, 3 në Elbasan Aqif Rakipi dhe Bujar Muça dhe Elena Xhixha, si dhe Reme Lala në Dibër. Rakipi dhe Muça të dy të larguar më pas, i pari për efekt të dekriminalizimit dhe i dyti dorëzoi mandatin. Ndërsa Reme Lala, e cila deklaroi publikisht pas zgjedhjeve se i është bashkuar Partisë Socialiste tha se bashkë me të është edhe kolegia e saj Xhixha, edhe pse kjo e fundit hiqet si “e pavarur”.