Këto janë arsyet se përse Rovena Gashi duhet të largohet nga sistemi i drejtësisë dhe shumë shpejt duhet të përballet me drejtësinë e re, për disa akuza, si ajo e korrupsionit pasiv, fshehje pasurie, pastrim të produktit të veprës penale, fallsikim dokumentesh dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Poshtë po japim 12 shkeljet e Rovit në detaje për çdo element të konstatuar si shkelje ;
1. Ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me çmimin e blerjes së apartamentit te Shkëmbi i Kavajës, si dhe mbi momentin e pagesës së tij;
2. Ka paraqitur deklarime të pasakta dhe me përmbajtje të ndryshme nga sa rezulton nga të dhënat e kontratave të nënshkruara prej saj;
3. I ka dhënë Komisionit përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet dhe kontratat e nënshkruara prej saj;
4. Nuk ka pasur mjaftueshëm burime financiare të ligjshme për të kryer pagesën e çmimit të apartamentit të mësipërm, sipas kontratës dhe deklaratës noteriale të datës 14 nëntor 2011;
5. Ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me paguesin/t dhe kohën e pagesës së çmimit të blerjes së apartamentit në ish-rrugën “***” Tiranë;
6. Ka paraqitur deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme në lidhje me formën e përfitimit të pasurisë si në pikën më lart, me përmbajtje të ndryshme dhe në kundërshtim nga sa rezulton nga kontrata e shitblerjes së datës 12.11.2013, e nënshkruar prej saj;
7. Ka dhënë përgjigje, ndaj pyetësorëve të Komisionit, të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet dhe deklarimet periodike të bëra prej saj, në lidhje me periudhën e banimit në këtë apartament, si dhe kur nuk ka deklaruar posedimin apo përdorimin e sendeve/pasurive të tjetërkujt;
8. Ka bërë deklarime të pamjaftueshme përgjatë periudhës 2004 – 2012, pasi nuk ka deklaruar në ILDKPKI posedimin e vazhdueshëm të apartamentit në ish-rrugën “***” Tiranë;
9. Nga analiza financiare rezultoi se subjekti i rivlerësimit ka pasur një mungesë të aftësive paguese, me të ardhura nga burime financiare të ligjshme, pasi dalin me bilance negative pesë vite, respektivisht: viti 2011 (- 4.123.421 lekë); viti 2012 (- 103.233 lekë); viti 2013 (- 3.417.236 lekë) dhe viti 2015 (-180.064 lekë), dhe për rrjedhojë, bilanci total i këtyre viteve del negativ, me – 7.823.954 lekë.
10. Babai i subjektit të rivlerësimit, z. N. G në vitin 2004 nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme për të paguar çmimin prej 38.800 USD të apartamentit në rrugën “***” në Tiranë;
11. Për periudhën kohore, 2004 – 2016, ka pasur një mungesë të theksuar burimesh financiare (të ligjshme) për të justifikuar shpenzimet e kryera ndër vite, pasi ka investuar në pasuri të paluajtshme shifra të cilat tejkalojnë ndjeshëm mundësitë dhe burimet financiare të ligjshme, pasi bilanci i periudhës 2004 – 2016, për z. N. G. del negativ, me -80.004.952 lekë;
12. Bilanci i përgjithshëm financiar i z. N. G., për periudhën 1990 – 2016, rezulton negativ, me – 85.718.826 lekë. /Adriatik Doci/Sh.c