Kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi, duke parë që nuk mundi të kapte ndonjë copë nga byreku i tepsisë së pushtetit, u largua nga koalicion duke u kthyer në prehërin e “heronjëve të çështjes Çame”, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, të cilët Gjykata Kushtetuese i ka akuzuar si shitës të trojeve kombëtare, me një marrëveshje në kufinjtë e tradhëtisë ndaj atdheut.
Por “shpëtimi” i Idrizit, nuk ka lidhje aspak me nacionalitetin dhe as me çështjen Çame, por me çështjen “Tepsia”, që kryetari e shfrytëzoi që kur i vodhi partinë ish-themeluesit të saj, Artur Dojaka dhe një kauze të vjedhur nga ish-kryetari i “Aleancës Kuq e Zi”, Kreshnik Spahiu. Por, më në fund Idrizi e kuptoi se paska gabuar dhe duhet të bënte atë që bëri kur ishte në koalicion me Berishën, shitjen e trojeve shqiptare tek grekët.
Të jeni të sigurtë, se Shpëtimi pa shpëtim, mes çamëve është thjeshtë një akrobat karrigesh dhe nuk ka asnjë lidhje me pronat dhe pasuritë e popullit të krahinës së Çamërisë.
Nëse i kanë ngelur sadopak mend në kokë Shpëtimit të drizave dhe ferrave të politikës, nuk duhet të harroj, se e vetmja forcë politike, që ka guxuar të ngrej në mes të Athinës dhe Shqipërisë çështjen Çame është PS-ja dhe ministri i jashtëm Ditmir Bushati. Abrogimi i Ligjit të Luftës, ishte një fitore e diplomacisë shqiptare dhe e çështjes së çamëve, por me sa duket jo e Shpëtimit.
Kjo, sepse pronat e Çamërisë, në bazë të Ligjit të luftës, ishin sekuestruar nga fituesi (Greqia) si dëmshpërblim. Por me heqjen e Ligjit të Luftës, qytetarët çam kanë të drejtë, sipas Konventës së të Drejtave të Njeriut, të kërkojnë pronat e tyre.
Shpëtimi duhet ta dijë shumë mirë, se çeshtja Çame tashmë ka marrë rrugë dhe shtetet nuk mund të kërkojnë ndryshim kufijsh apo pronësie, por shqipatrët e Çamërisë tashmë kanë të gjithë të drejtën për tu dëmshpërblyer. Natyrisht që rruga nuk është aq e lehtë, sepse duhet të kalohet në disa procese të Gjykatave Ndërkombëtare, por pengesa është zero!
Të vjen vërtet për të qeshur, kur Shpëtimi qënka penduar pse u largua nga tradhëtarët e vendit dhe të “kauzave” të partisë së tij, që kurrë nuk e përmendën çështjen çame dhe Çamërinë as në kafe me njëri-tjetrin dhe akuzon si tradhëtar, ato që patriotizmin e tij fals, e zhbënë duke e nxjerrë lakuriq para qytetarëve çam, si hajdut kauzash dhe dashnor karrigesh pushteti të pamerituar!/ Ekskluzive.al