Shkëlzen Berisha është një personazh që prej vitesh akuzohet për përfshirjen në afera korruptive.
Ai u shfaq fillimisht në aferën e Gërdecit, ku u vranë 26 persona, dhe që prej atëhere, emri i tij është përmendur në disa skandale.
Por, duke përfituar nga pushteti i babit, që vendosi në pozicione kyçe të Prokurorisë dhe gjykatave njerëz të tij, ai nuk u hetua dhe nuk u thirr kurrë të dëshmonte për skandalet ku i dilte emri.
Për këtë arsye, pavarësisht se në media mishte denoncime të shumta ndaj tij, ai kurrë nuk u shfaq në to për t’i përgënjeshtruar.
Këtë nuk e bëri kurrë deri sa i ati ishte kryeministër, ndërsa pas largimit të tij nga pushteti, për t;u mbrojtur hapi një portal, ndërsa filloi të bëhej aktiv edhe në rrjetet sociale.
Por gjithsesi, vazhdonte t’iu qendronte larg mediave.
Gjithçka ndryshoi pak muaj më parë, pas ngritjes së Komisionit Hetimor Parlamentar nga mazhoranca.
Ai u thirr më në fund të dëshmonte diku, për përfshirjen në aferën e CEZ.
Atij Komisioni iu shmang, duke refuzuar të përgjigjet.
Por rruga ishte hapur dhe u bë e qartë që nuk mund të zgjaste pafundësisht mos-dhënia e llogarisë, pasi emri i tij del në email-et e drejtuesve çekë të CEZ, për një lobim që ka bërë Shkëlzeni, që ata të takonin babin e tij kryeministër.
Dhe më në fund, pas largimit të Adriatik Llallës nga Prokuroria e Përgjithshme, dosja për aferën me CEZ u rihap.
Jo vetëm kaq, Prokuroria thirri vetë Shkëlzenin të dëshmonte.
Nuk dihet nëse ai do të përfundojë në listën e të pandehurve për këtë aferë, por fakt është se ai ndjen frikë.
Është trembur dhe për këtë arsye, ka disa ditë rresht që shfaqet në televizione, duke hedhur shashka.
Fillimisht doli në TV Klan, ndërsa mbrëmjen e së enjtes u shfaq në Top Channel.
Një gjë që se kishte bërë kurrë për vite me radhë, pavarësisht se akuzat ndaj tij kanë qenë edhe më të rënda.
Kjo shfaqje e tij nëpër televizione, për të mbrojtur veten nga akuzat, nuk shpjegohet veçse me frikën e madhe që e ka kapur.
Sepse tani duhet t’i dalë zot vetes.
Babi nuk mund ta ndihmojë dot më!/Tema