Eduart Halimi hoqi dorë sot nga mandati i deputetit përmes një statusi në Facebook me shpjegime që në të vërtetë nuk japin asnjë shpjegim në lidhje me arsyen e vërtetë.
Ai ishte një teknicien i mirë, të cilin ish-kryeministri Berisha e pikasi në vitin 2009 duke e futur në listat e deputetëve, ndërsa e bëri ministër në korrik 2011 pasi kalimit të Nishanit në Presidencë.
Halimi do t’ja kthente 100 fish Berishës nderin që i bëri duke e emëruar ministër të kabinetit të tij.
Nëse ka shumë persona përgjegjës sot se përse në Shqipëri nuk është vendosur drejtësi për zullumet e ndodhura gjatë 27 viteve gjoja demokraci, një ndër ta është pikërisht Eduart Halimi.
Ai ishte arkitekti i kapjes së sistemit të Drejtësisë nga Berisha dhe këtë e bëri në një ndër periudhat më të vështira të pushtetit të shefit të tij, pikërisht në 2011-2012 kur kishin shpërthyer një serë skandalesh, përfshirë edhe vrasjet në shesh gjatë demonstratës së 21 Janarit, ndërsa PD po bëhej gati që të largohej nga pushteti në verën e vitit 2013.
Përmes KLD-së dhe makinacioneve të tij, Halimi kapi thuajse të gjithë sistemin e drejtësisë në vend duke e bërë Berishën dhe të tijtë të paprekshëm për disa vite. /albeu.com/