Edhe pse është vendi i dytë që kontribuon më shumë në NATO, ka më shumë se 1500 tanke në arsenalin e saj ushtarak dhe është shtëpia e disa bazave të NATO-s, Greqia vazhdon të ndihet e rrezikuar nga përplasjet me Turqinë. Megjithatë vendi fqinj mund të bëhet në të ardhmen fuqia më e madhe ushtarake të Mesdheut, falë bashkëpunimit ushtarak me SHBA-në.
Ushtria e amerikane ka nisur zyrtarisht bisedimet për të zgjeruar operacionet e saj në Greqi, duke përfshirë ndër të tjera edhe përdorimin e të tjera bazave ajrore dhe detare në vendin fqinj. Ky shtim i pranisë ushtarake amerikane në Mesdhe, vjen vetëm disa javë pas vendimit të NATO-s për hapjen e bazës ajrorë në Kuçovë dhe pak pas rritjes së tensioneve me Turqinë, armikun tradicional të Athinës.
Sipas zyrtarëve amerikanë, ka një sërë faktorësh gjeopolitikë dhe gjeografikë që e bëjnë Greqinë një vend ideal për vendosjen e bazave të ushtrisë amerikane. Falë shqetësimeve të përbashkëta (ndërhyrja e Rusisë, anëtarësimi në NATO dhe konfliktet me Turqinë), marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Greqisë janë tanimë në kulmin e tyre. Përveç pozicionit të mirë gjeografik, Greqia ka një mot ideal për trajnimin e ushtarëve dhe fluturimin e avionëve ushtarakë përgjatë gjithë vitit. Në vendin fqinj janë vendosur po ashtu edhe disa baza të NATO-s.
Lajmi për bashkëpunimin e mëtejshëm ushtarak mes dy vendeve u bë i ditur gjatë një vizite, zyrtarët amerikane në Athinë, përgjatë ditëve të fundit. Ata u shprehën se si qeveria aktuale greke, ashtu edhe opozita janë të hapura për partneritetin ushtarak me SHBA-në. Përfaqësuesit amerikanë deklaruan në Athinë se Uashingtoni po konsideron vendosjen e një numri të madh trupash në Greqi, si dhe ngritjen e disa bazave ushtarake.
“Pozita gjeografike e Greqisë është një nga faktorët më të rëndësishëm,” tha gjenerali Joe Dunford, duke nënvizuar afërsinë e vendit fqinj me Sirinë dhe Afrikën e Veriut. Në fakt, Shtetet e Bashkuara kanë filluar prej kohësh shfrytëzimin e bazave greke. Për vite me radhë, ushtria amerikane ka përdorur bazën detare në Gjirin e Soudës, në bregun e Kretës, porti i vetëm në rajon që ka kapaciteti për ankorimin e aeroplanmbajtësve. Në maj, aeroplanmbajtësi amerikan “Harry S. Truman” kreu një vizitë katër ditore në portin e Soudas. Gati një muaj më vonë, aeroplani i Presidentit Trump u ndal në Souda, për t’u mbushur me benzinë, para se të mbërrinte në Singapor për takimin e parë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong -un. Po këtë verë, dhjetëra dronë amerikane “MQ-9 Reaper” u vendosën në bazën ajrore të Larisas.
“Faktori turk”
Zyrtarët amerikane theksuan se bisedimet, e udhëhequra nga gjenerali i ushtrisë, Curtis Scaparrotti nuk përfshijnë propozime për vendosjen e përhershme të trupat apo pajisjeve amerikane. Ata deklaruan gjithashtu se përdorimi i bazave greke, nuk do të zëvendësojë bazën ajrore Incirlik, në Turqi.
“Marrëdhënia dypalëshe me Greqinë nuk të ndërtohet në kurriz të Turqisë,” tha gjenerali Dunford.
Incirlik është një nga bazat më të mëdha ajrore në Europë, e projektuar për operacionet e NATO-s. Ajo ndodhet shumë pranë Sirisë, duke u dhënë kështu një përparësi të madhe ushtarëve amerikanë që po mundohen të shkatërrojnë bazat e fundit të luftëtarëve të Shtetit Islamik. Por grushti i vitit 2016 ndaj Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, blerja e sistemit anti-ajror rus dhe armatosja e luftëtarëve kurdë nga SHBA-ja, ka rritur tensionet mes dy vendeve. Që nga viti 2015, turqit kanë kufizuar operacionet që Shtetet e Bashkuara mund të kryejnë nga baza e Incirlikut. Në kundërpërgjigje, SHBA-ja ka zhvendosur avionët luftarakë në vende si Katari.
Për Greqinë, vendosja e ushtrisë amerikane do të ishte një “biletë sigurie” përballë kërcënimit nga Libia dhe Turqia. “Greqia është shumë e shqetësuar nga veprimet e pakontrolluara të Ankarasë”, tha gjenerali Dunford. Të dielën, zyrtarët arrestuan dy ushtarakë turq që po përpiqeshin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin grek, por u detyruan t’i lironi pas reagimit të ashpër të Turqisë.
Zyrtarët në Athinë nuk kanë konfirmuar zyrtarisht bisedimet për bashkëpunim ushtarak me SHBA-në, por vunë në dukje se Greqia është i vetmi vend që përmbush objektivin e shpenzimeve ushtarake të NATO-s. Në një konferencë në qytetin e Selanikut këtë muaj, Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, vlerësoi marrëdhëniet SHBA-Greqi. “Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku edhe në të ardhmen”, tha ai. “Me zgjerimin e marrëveshjeve ushtarake, Greqia të jetë një partner strategjik për të gjithë Mesdheun”.
Përse Greqia ka nevojë për mbrojtje ushtarake?
Greqia, si ekonomia më e brishtë e BE-së, paguan 2.38 përqind të PBB-së për mbrojtjen ushtarake, më shumë se çdo vend tjetër europian, duke u radhitur e dyta pas Amerikës. Duke pasur parasysh vështirësitë aktuale ekonomike, të gjithë mund të habiten nga shpenzimet dorëlëshuara të Athinës, të cilët e kalonin në të kaluarën 4 për qindshin e GDP-së së vendit. Në fakt, buxheti ushtarak i Greqisë pasqyron edhe mosbesimin ndaj çdo vendi me të cilin kufizohet, sidomos ndaj Turqisë. Megjithëse Turqia dhe Greqia janë anëtare të NATO-s dhe janë teknikisht aleatë, të dyja shtetet kanë konkurruar ushtarakisht që nga pushtimi i Qipros, katër dekada më parë
. Këto tensione u ringjallën sërish pasi dy shtetet konkurruan mbi burimet e naftës dhe gazit në Mesdhe, pas konfrontimeve ndërmjet avionëve turq dhe grekë dhe pas strehimit të gjeneralëve të arratisur nga grushti i shtetit në Turqi. Frika e përgjithshme e Greqisë ndaj Turqisë, ka bërë që Athina të rrisë shpenzimet nga viti në vit. Mund të thuhet se Greqia ka më shumë se 1.500 tanke në arsenalin e saj ushtarak, dyfishi i Britanisë së Madhe. Kjo ka ardhur për shkak të nevojës për t’u krahasuar me Turqinë dhe forcën e saj ushtarake. Në zemër të tensioneve ndodhen në fakt pretendimet territoriale. Greqia dhe Turqia ndahen nga një kufi tokësor në veri, por konfliktet kufitare vijnë për shkak të qindra ishujve në Detin Egje.
Ushtria greke shënoi 1,671 shkelje të hapësirës së saj ajrore nga avionët turq në vitin 2016. Për ta kuptuar sa serioze është situata duhet të themi se avionët e NATO-s kanë ndeshur vetëm 780 herë avionë rusë në hapësirën evropiane, që nga Lufta e Ftohtë. Një vit më vonë, numri i shkeljeve të ushtrisë turke në hapësirën greke, shkoi në 3,317 dhe 920 shkelje janë regjistruar vetëm për vitin 2018. Avionët shpreh herë sfidojnë njëri-tjetrin, fluturojnë egërsisht në qiell për të fluturuar më pas në lartësi të ulëta, duke alarmuar edhe banorët.
Gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të fundit, avionët luftarakë turq, shumica të pajisur me armë luftarake, kanë shkelur hapësirën ajrore greke dhe janë pikasur nga forcat greke, të cilat në shumë raste kanë ngritur një sërë avionësh për t’i bërë ballë armikut, përplasje që kanë ndodhur në shumicën e rasteve sipër kokave të banorëve të Egjeut Lindor.
Burimet: “Wall Street Journal”, “Bussiness Insider”