Ambasadori i SHBA në ikje, Donald Lu, do të mbahet mend gjatë si ‘njeriu i hekutr’, që i shpalli luftë frontale krimit e korrupsionit në Shqipëri, duke asistuar në reformën e tmerrshme, atë të Drejtësisë, që shembi sistemin e kalbur të drejtësisë dhe i futi dridhmat politikës. Teksa ndodhet tashmë në ditët e fundit në Shqipëri dhe po jep mesazhet e lamtumirës me çdo politikan, kryediplomati Donald Lu nuk do të largohet pa u siguruar që pasardhësja e tij të vijojë me të njëjtën forcë kundër krimit e korrupsionit.
Donald Lu ka bërë gati listën me emrat e politikanëve të inkriminuar dhe ‘kokave’ të krimit në Shqipëri, të quajtur nga ambasadori si ‘peshqit e mëdhenj’, që do t’ia lërë ambasadores së re të SHBA, Kathleen Ann Kavalec, që pritet të vijë në vendin tonë për të nisur menjëherë goditjen e tyre.
Ambasadori Donald Lu ka guxuar gjithmonë në këto vite në Shqipëri të flasë me emra rreth botës së krimit dhe padyshim që këto emra do të jenë në listën e zezë, që ai do të lërë në zyrën e tij pasi të largohet nga Shqipëria.
Në radhët e politikës janë një sërë emrash të lidhur me krimin dhe korrupsionin, të skeduar nga Donald Lu, si Arben Ndoka, Elvis Rroshi, Mark Frroku, Aqif Rakipi, Shukri Xhelili, Koço Kokëdhima, Armando Prenga dhe Dashamir Tahiri. Këto emra janë përmendur shumë nga ambasadori, por në listën e tij përfundimtare do të ketë padyshim edhe emra të tjerë të politikës shqiptare, që janë të zhytur kokë e këmbë në krim e korrupsion, dhe që kontrollojnë ‘kokat’ e bandave më të rrezikshme brenda dhe jashtë vendit.
Nga këto të fundit, Donald Lu ka shënjestruar disa prej ‘kokave’ më të forta, që kanë në dorë dhe vetë politikën shqiptare. I tillë është Klement Balili, i etiketuar si ‘Eskobari i Ballkanit’, pasi është një ndër trafikantët më të mëdhenj të drogës në vendet e Ballkanit dhe Evropës. Emra të tjerë, të cilët Donald Lu i ka cilësuar si ‘peshq të mëdhenj’ dhe që ka bërë shpesh deklarata të forta kundër tyre janë edhe Lul Berisha, Emiljano Shullazi, Arben Frroku, Sokol Mjacaj, etj.
Këto emra, Lu do t’i përmendte edhe në intervistën e tij të fundit si ambasador në Shqipëri, teksa tha: “Jam i skandalizuar që dy vjet e gjysmë pasi qeveria greke nxori urdhër-arrestin, ende nuk e kemi kapur Klement Balilin. Jam i skandalizuar që Lul Berisha lirohet herët nga burgu dhe që mund të ecë i lirë nëpër rrugët e Durrësit. Dhe jam i skandalizuar që këtë javë që keni gjyqin e Shullazit, ku Shullazi vetë ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq. Si ka mundësi që ky vend të ecë përpara kur ndodhin këto gjëra? E di që Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku dhe Ardi Veliu do të gjykohen mbi faktin nëse do të jenë të aftë t’i vënë këta kriminelë pas hekurave”.
Me këtë deklaratë e mbylli mandatin e tij njeriu ‘i hekurt’ i Amerikës, duke i lënë listën e ‘peshqve të mëdhenj’ mbi tryezë pasardhëses së tij, e cila duket të jetë edhe më ‘e hekurt’ se Lu-ja dhe që do të vijojë me po të njëjtin vrull luftën ndaj kriminelëve./Pamfleti