Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka reaguar pas pasqyrimit nga Shqiptarja.com të një raporti përmbledhës të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për ligjshmërinë e veprimtarisë së këtij organi:
“Jemi të detyruar t’ju bëjmë me dije se është e vërtetë që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar kontroll në Agjencinë tonë dhe nuk ka gjetur asnjë shkelje, sepse nuk ka asnjë të tillë, me përjashtim të rekomandimeve që janë dhënë nga ekspertët e KLSH. Në kronikën juai thuhet se janë zhdukur 22 llogari bankare nga manovrat e zyrtareve, por e vërteta është ndryshe dhe krejt e kundërta.
Nëse do të kishte një “fakt” të tillë, atëherë Kontrolli i Lartë i Shtetit do kishte konstatuar një dëm ekonomik e për rrjedhoje do të kishte dërguar për ndjekje penale zyrtarë të kësaj Agjencie. Dhe kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur, por as nuk është marrë masë administrative ndaj ndonjë punonjësi tonë.
Në realitet nuk bëhet fjalë për asnjë pasuri të zhdukur, aq më shumë, për llogari bankare. Bëhet fjalë për pasuri, të cilat nuk janë marrë kurrë në administrim nga AAPSK-ja, sepse nuk ekzistojnë fizikisht. Për ta bërë më të kuptueshme për gazetarët dhe publikun mund të japim një shembull:
Nëse gjykata vendos sekuestrimin dhe marrjen në administrim të një, dy apo tre automjeteve apo pasuri të tjera të luajtshme, ka ndodhur që gjatë ekzekutimit të Vendimit mos jenë gjetur të gjitha këto pasi mund të jenë tjetërsuar, fshehur apo shkatërruar nga personat kundër të cilëve është vendosur sekuestrimi.
Pra dhe KLSH në raportin e saj e ka konstatuar një gjë të tillë dhe për hir të transparencës ju bëjmë me dije se rekomandimi ka qenë pikërisht për të mbajtur një regjistër të veçantë për evidentimin e këtyre pasurive të pa marra në dorëzim. Sa i përket 22 llogarive bankare, sqarojmë se ato kanë qenë të sekuestruara personave dhe shoqatave të dyshuar për financim të terrorizimit.
Pas revokimit të kësaj mase, asnjë person apo përfaqësues i shoqatave nuk është paraqitur për të marrë këto llogari bankare, për rrjedhojë kthimi i tyre ka mbetur pezull. Siç citohet edhe në raportin e KLSH-së (pa destinacion)”, sqaron AAPSK.
Përgjigja e Shqiptarja.com
Shqiptarja.com sqaron se artikulli është bazuar tërësisht në gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe është në përmbushje të misionit të informimit. Titulli dhe komentet janë shoqëruar me citime nga raporti i KLSH si dhe me raportin e plotë përmbledhës së KLSH. Gjetjet janë më të detajuara në raportin e plotë prej 300 faqesh të KLSH, i cili disponohet nga Shqiptarja.com.
Publikimi i raportit përmbledhës është bërë pikërisht për përcjelljen e informacionit në mënyrë sa më objektive, të paanshme dhe të bazuar mbi një dokument zyrtar. Sa i takon ‘zhdukjes së 22 llogarive bankare’, në artikull dhe titull thuhet vetëm se nuk dihet destinacioni, siç konstatohet fjalë për fjalë nga KLSH. Sa i takon vështirësive në punë të AAPSK, Shqiptarja.com e ka përmendur që në krye të artikullit, por kjo çështje mund të adresohet tek KLSH dhe organet ligjbërëse.