Nga Afrim Krasniqi
E hënë, 5 shkurt.
Gara midis shqiptarëve dhe natyrës përfundimisht ka humbur. Dikur njerëzit luteshin për të pasur reshje shiu si mundësi për më shumë prodhim, tani mjaftojnë ca orë shi dhe zona të tëra urbane e rurale përmbyten nga lumenjtë. Sa herë që ndodh ata që janë në qeveri premtojnë masa të jashtëzakonshme, dëmshpërblim dhe investime parandaluese, por sapo uji ikën, premtimet harrohen dhe situata emergjente përsëritet. Nuk është tërësisht faji i qeverive. Ato kanë përgjegjësinë e tyre sidomos sepse lejuan ndërtimin e banesave dhe bizneseve në shtratet e lumenjve, sepse nuk kontrolluan dot territorin, legalizuan pa kontroll gjithçka në funksion të fushatave dhe votave, si dhe sepse nuk investuan në masa parandaluese përgjatë viteve. Pjesërisht janë edhe qytetarët fajtorë, – ata zunë toka dhe hodhën investimet e jetës pa marrë parasysh kushtet e sigurisë, pranuan legalizimin pa menduar për mbrojtjen dhe sa herë bie shi ngrenë duart duke kërkuar mëshirë nga zoti e ndihmë nga qeveria. Rezultati? Shqipëria po paguan kostot e mëdha të shkatërrimit urban, mungesës së shtetit, korrupsionit të qeverive dhe papërgjegjshmërisë së qytetarëve. Dhe kosto vetëm sa ka nisur, – nëse nuk ka një reagim real dhe investim thelbësor, – kosto do jetë shumë më e madhe sesa vetë banesat e prodhimi, – humbje shprese, besimi dhe sigurie për pronën, familjen dhe jetën. Për fajin tonë, as të Zotit dhe as të natyrës.
E martë, 6 shkurt.
Në një sallë të boshatisur të parlamentit evropian u njoftua se Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje, përfshirë Kosovën, kanë perspektivë anëtarësimi në BE. Data më e afërt është 2025, data e largët nuk ka limit. Dikush e quajti mesazh shprese, dikush zhgënjim. Në fakt, BE nuk bëri asgjë më shumë sesa na nxori pasqyrën përpara dhe na tha, ja si jeni, ja çfarë duhet të ndryshoni dhe fatin tuaj e përcaktoni vetë ju. Dhe ne çfarë bëmë? Në vend që vendimmarrësit të mblidhen, të ndryshojnë veten dhe jo pasqyrën, të hartojnë strategji kombëtare reagimi në funksion të integrimit dhe të punojnë jo për të fituar kohën, por për të mos humbur kohë më shumë sesa 2025, – politikanët bënë të vetmen gjë që dinë të bëjnë më mirë, – refuzuan paktin dhe nisën sulme denigruese ndaj njeri tjetrit. Mësimi? Nuk kemi mësuar ende nga gabimet e të kaluarës dhe madje kemi aftësi e vullnet, t’i përsërisim ato në të ardhmen, – një lajm i trishtë për të gjithë, sidomos 20-25 vjeçarët e viteve ’90 që aspiruan “Shqipëria si Evropa” që do të duhet të shpresojë se në moshën 55-60 vjeçare fëmijët e tyre 30-35 vjeçar të kenë shansin ta shohin aspiratën të realizuar.
E mërkurë, 7 shkurt.
Disa nga më të pasurit e Shqipërisë u mblodhën në një hotel në Durrës për të zgjedhur kreun e Federatës së Futbollit. Në sallë kishte shumë politikanë dhe pak futbollistë. Zgjedhjet u bënë. Nuk ka rëndësi rezultati, por debati që shkaktoi ky proces, përfshirja e thellë e politikës në të dhe mbi të gjitha, marrëdhënie jashtëzakonisht e vështirë që shqiptarët kanë me votën, me zgjedhjet dhe me sensin e masës dhe përgjegjësisë. Në Akademinë e Shkencave nuk pati votim, por rokadë, në Federatë më shumë se votim pati luftë klanesh financiare, në parti politike nuk votohet, në universitete nuk votohet, në shkolla nuk votohet, ndaj mbetet utopi që një mjedis i tillë shoqëror të realizojë votime të drejta e të ndershme në zgjedhje lokale e parlamentare. Mentalitetet se “fituesi i merr të gjitha”, “humbësi poshtërohet dhe konteston zgjedhjet”, “legjitimiteti duhet të vijë nga jashtë”, se “politika gllabëron gjithçka” apo se “vota kundër shoqërohet me hakmarrje”, – nuk kanë lidhje me demokracinë, as me shtetin e së drejtës, as me Shqipërinë evropiane, dhe natyrisht, as me futbollin. Shqipëria ka shumë gra e burra të veshur bukur, të pasur dhe të pushtetshëm, por luksi, paraja, pushteti dhe as arroganca që buron prej tyre nuk arrin ta fshehë zbrazësinë e madhe dhe borxhin e madh që i kemi dijes, kulturës, sensit të masës , modestisë dhe aftësisë për të ndryshuar.
E enjte, 8 shkurt.
Parlamenti shqiptar është i vetmi parlament në botë që grindet orë të tëra mbi atë se cila palë është më besnike ndaj Presidentit amerikan Donald Trump dhe qeverisë amerikane. Nuk e bën askush tjetër. Pala që tregon më shumë dashuri ka një paradoks, – e do aq shumë Amerikën sa sulmon ashpër ambasadorin e saj në Tiranë, me akuzën se nuk e mbron Presidentin amerikan sa duhet! Pala tjetër që e do po aq shumë Amerikën nuk e pati problem të votojë kundër një rezolute që lidhej me nismën e saj. Alibia? Votuam si BE, por në fakt shumë vende në BE nuk votuan si Shqipëria. Thelbi i debatit? Dashuria me SHBA? Jo, absolutisht jo. Thjesht SHBA u përdor si alibi që palët të shfryjnë ndaj njëra tjetrës, të denigrojnë njëra tjetrën dhe të tregojnë edhe njëherë se politikanët që nuk duan vendin e vet, nuk mund të duan as vendin e huaj, qoftë edhe kur ai është vendi i lirisë. Amerikanët vetë kanë një pyetje ende pa përgjigje: si është e mundur që politikanët shqiptarë betohen se na duan, por ama kur SHBA ju bën kritika, secila palë është gati që në emër të sovranitetit tu përplasë derën në fytyrë përfaqësuesve amerikanë?
E premte 9 shkurt.
Nuk ka kaluar shumë kohë kur u jetësua reforma historike, – reforma në arsimin e lartë. U tha se është revolucion. Rezultati? Pas më shumë se tre vitesh 60% e akteve nënligjore nuk janë miratuar, Shqipëria është vendi i vetëm në botë ku prej 4 vitesh nuk ka asnjë promovim akademik, Shqipëria është vendi i vetëm në botë që ka një master ekzekutiv në ligj, të cilin nuk e aplikon asnjë universitet, ndërkohë të premten bëri lajm njoftimi se stafet akademike universitare janë pa rroga. U tha se mungon një VKM. Ministria ndërhyri, kërkoi falje dhe çështja do zgjidhet në 72 orë. Nuk është ky problemi, por thelbësor është shqetësimi se sa lehtësisht autoriteti shtetëror shkel, injoron dhe denigron të drejtat e njeriut, sidomos të trupës akademike e universitare dhe nga ana tjetër, sa e nënshtruar është kjo trupë, sa nuk arriti të ngrejë zërin për të drejtën as sa bariu i gjelave të detit në rrugën që të çon për në Shkodër. Ka edhe një kontrast të thellë “gabimi teknik” me rrogat e administratës dhe universiteteve: vetëm një ditë më parë u promovua me solemnitet e shfaqje mediatike revolucioni digjital, sipas të cilit, qytetarit i ofrohen shërbimet online, pa radhë, pa burokraci, pa korrupsion dhe humbje kohe. Ca folës aty, shumica zyrtar e klientë të zyrtarëve, shfaqën gëzimin e tyre të pashoq me realitetin e ri virtual, ama fqinjit profesor në UT, iu deshën tri ditë pagesa, sorollatje e mungesë në punë për të arritur të nxjerrë një vërtetim sipas të cilit, ishte i aftë për punën që bën me plot lavdërime prej 30 vitesh.
E shtunë 10 shkurt.
Ish Prokurori i Përgjithshëm ka lajmëruar dorëheqjen nga kthimi në gjyqësor pasi nuk do që të jetë objekt i vetingut. Përpara tij dhanë dorëheqje edhe dy anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, anëtarë të tjerë në Gjykatën e Lartë, disa kandidatë për strukturat e reja në drejtësi, disa avokatë, noterë, pedagogë të së drejtës, etj. Ka të bëjë me presionin? Me frikën? Me lëvizje taktike, për të legjitimuar të kaluarën apo pasurinë e tyre, apo të gjitha së bashku? E sigurt është se nuk ka të bëjë me integritetin profesional. Sepse një jurist me integritet përballet me faktet dhe mbron veten e tij në çdo rrethanë dhe në çdo kohë. Jam kurioz të dëgjon reagimet e atyre politikanëve që më 21 dhjetor desh shpallën ditë zie kur Llalla humbi postin, siç jam kurioz të dëgjoj OMN, KLD dhe organet e Vetingut të na thonë nëse dorëheqje të tilla legjitimojnë pasurinë/prapësitë e djeshme, apo se cilido që është, vjen apo ikën duhet të jetë objekt kontrolli e vlerësimi. Kjo ka vlerë të dyfishtë, jo vetëm për drejtësinë, por edhe për fushatën më të re, – vetingun në polici. Kjo e fundit duket diçka pa sens, sepse Policia emërohet dhe për çdo emërim ka kritere ligjore, ndaj nëse dikush ka gabuar, krahas atij që përfitoi duket dënuar edhe ai që në kundërshtim me ligjin ka kryer emërimin. Nga ana tjetër, vetingu në drejtësi nuk ka asnjë ngjashmëri me atë në polici. Policia është vertikale, ka epror direkt, nuk ka pavarësi në gjykim e vlerësim nga efektivat e rangjeve më të ulta, kemi dy polici paralele që ndërrojnë vendet sa herë ka rotacion politik, policia nuk ka shkollë të modelit të magjistraturës që ta freskojë dhe se në lagje më shumë kemi nevojë për një punonjës policie me përvojë dhe të aftë të njohë e mbaj nën kontroll “të fortët” e lagjes, sesa për një prurje të re me shumë gjuhë të huaja, por që sillet si turist apo vizitor i rastit në lagjet tona. Mbi të gjitha, rendja e madhe pas vetingut, – veting në drehjtësi, veting në polici, veting në administratë, veting në hipoteka, etj, ka lënë në harresë thelbin dhe burimin e problemeve që kemi, – mungesa e çdo nisme, aksioni dhe projekti për veting në politikë, aty ku nis e mbaron gjithçka.
Burimi: alpenews.al