Napoli mundi Lacion 4-1 mbrëmjen e së shtunës dhe në këtë takim Elseid Hysaj fitoi duelin derbi me Thomas Strakoshën. Natyrisht, mediat italiane kanë vlerësuar me notë shumë të lartë Hysajn, të cilin e quajnë inspirues të fitores dhe se të gjithë aksionet e golit erdhën pikërisht nga krahu i tij. Madje, mbrojtësi shkodran duket se ka bërë ndeshjen më të mirë të sezonit. “IL MATTINO” shkruan për të: “Hysaj është për notën 8. Nuk ndalet gjatë gjithë kohës dhe lëviz shumë shpejt e me ide impresionuse. Milinkoviç-Saviç e mban të karikuar në pjesën e parë, por më pas nuk e kupton ku është lojtari i Lacios”.
“CORRIERE DELLO SPORT” e vlerëson me notën 6.5 dhe shkruan: “Napoli e bën lojën nga krahu i tij dhe Hysaj nuk ndalet kurrë”. Po ashtu, edhe “GAZZETTA DELLO SPORT” ka një vlerësim të mirë për mbrojtësin shkodran, ashtu si dhe për mbrojtësin e krahut të majtë, Mario Rui. Për Hysajn janë elozhe të merituara, pasi prej disa javësh ishte vënë në pikëpyetje aftësia e tij në skuadër. Madje Hysaj sakrifikoi, pasi vinte nga një gjendje e rëndë gripale. /Pamsport.com