Penelopa shqiptare? Jo mbretëresha e Itakës, e cila thurte ditën dhe prishte natën pëlhurën, për të shtyrë sa më tepër martesën me pretendentët e shumtë, në pritje të kthimit të Odisesë nga Troja. Irene Papas, aktorja e famshme greke që luan përkrah Bekim Fehmiut në serialin televiziv Odisea, ka deklaruar në një intervistë se mund të jetë me prejardhje nga Shqipëria.
“Im atë, i cili ishte një profesor i greqishtes, e dashuronte shumë natyrën, jetesën e shëndoshë; përçmonte ambientet e ndotura dhe për këtë arsye kishte braktisur kryeqytetin grek. Kishte dy pasione që ditët e sotme ngjajnë të jenë në kontrast: kulturën dhe natyrën.
Mbante gjithnjë në një xhep Platonin, e në tjetrin Aristotelin, ose, Shekspirin në një xhep dhe Gëten në tjetrin. M’i vinte pareshtur, Platonin e Aristotelin nën hundë, deri në pikën sa më bëheshin të urryer. Më shpinte shpesh në mal, në ajër të pastër, në tendë. Përçmonte çdo formë pushteti, përfshirë edhe pushtetin fetar. Një herë, u sëmura, por ai refuzoi të më çonte në qytet.
Më tha: “Nëse vdes, të varros unë. Kujton se prifti është më i mirë se unë?“, thotë Irene.
E pyetur përse është kaq ezmere, aktorja 90-vjeçare përgjigjet:
“I ngjaj sime mëje. Nëna ime ishte esmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte sipas gjasave nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare, ose gjysmë shqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”.
Papas është lindur me emrin Irene Leleku, në vitin 1926. Ajo ka 50 vite karrierë me më shumë se 90 role në filma.