Ai mban titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”, titull i akorduar nga Presidenti i Republikës. Ishte një ndër këngëtarët më të talentuar të muzikës së lehtë me një vokal të një kualiteti të rrallë, që dominoi skenën e muzikës së lehtë shqiptare për disa dekada, duke u veçuar si një ndër këngëtarët më të shquar të kësaj muzike ndër vite.
Lindi në Shkodër në vitin 1949. Që në moshë të re filloi të këndonte me zërin e tij të mrekullueshëm, dhuratë e Zotit, të cilin Tonini diti ta “administrojë”. Në vitin 1965, në Festivalin e Këngës, Toninit iu hap rruga e suksesit të pandarë e të pandalshëm. Mori pjesë në 20 festivale ku ishte katër herë fitues i çmimeve të para, një prej të cilëve edhe ai i këngës së Pjetër Gacit Kur vjen pranvera, në festivalin e 11-të të këngës në RTV dhe Të dua o det e Tonin Harapit.
I pajisur me atë zë të shkëlqyeshëm prej baritoni liriko-legjero, të cilësuar nga Marian Shestani si zë ujëvarë e diamant muzike, ai shfaq një vokal me karakteristika timbrike të ngrohta, me një vibrato vokale interesante dhe me një teknikë natyrale të shkëlqyer në përdorimin e zërit në rregjistrat e lartë dhe të ulët.
Kishte një ngjeshje ngjeshje vokale shumë të kontrolluar në dhënien e emocionit frazeologjik, një glisando të përsosur harmonikisht, me një rrjedhje të tillë që ndeshet rrallë te një këngëtar. Kujtojmë glisandon e Mark Kaftallit Kthjelltësi, lumtuni, realizuar me patos e ngrohtësi nga Tershana, një vlerë kjo e veçantë interpretative e këtij këngëtari të madh.
Demonstroi vlera të veçanta shprehëse edhe në interpretimin e këngës popullore. Kujtojmë: Kur me del në derë, Dashnor t’u bana, O moj e vogla si florini, Marshalla bukurisë tande etj. Është shquar si këngëtar për bashkëpunimin me kompozitorët e këngëve që këndonte. Si shembull i veçantë mbetet bashkëpunimi me Pjetër Gacin, shumë këngë të të cilit Tonini i këndoi me sukses duke i ngritur ato në nivele çmimesh të fituara.
Mesazhi i Toninit për këngëtarët e rinj është i thjeshtë e dashamirës: “Sot ka shumë këngëtarë, por është e udhës që t’i përkushtohen më shumë të kënduarit e këngës, tekstit e melodisë”.
Tonin Tershana mbetet një ndër figurat e shquara të interpretimit vokalist, shembull e model për gjeneratat e reja, datën e vdekjes të të cilit nuk ka vlerë ta vendosim, pasi ai me muzikën e tij është dhe do të jetë përherë i gjallë!
Andreas Dushi/Konica.al