“Arra e Babë Myslymit është një monument nature. Ajo ndodhet pranë qendrës së fshatit Pezë e Madhe, vetëm pak metra larg shtëpisë muze të Babë Myslimit. Është e lartë reth 12 m, ndërsa gjerësia e kurorës arrin në 4 – 5 m.
Të kjo arrë më 16 shtator 1942 u organizua Konferenca e Pezës, ku forcat politike shqiptare hartuan platformën e luftës çlirimtare nga pushtuesit e huaj fashistë. Në hijen e kësaj arre pushonte heroi i popullit Myslym Peza.
Më pas u tregua kujdes për ruajtjen e këtij druri, ndërsa përreth u shtuan edhe drurë të tjerë arre, mani, plepi, lisi, ligustra etj.
Që prej disa vitesh këtu është krijuar një park dhe pikë turistike që frekuentohet shpesh nga banorët e Tiranës. Çdo vit këtu përkujtohet mesazhi i madh pluralist i kësaj konference “të bashkohemi pa dallim klase, feje, krahine, dhe bindje politike”.
Në 3 – 4 vitet e fundit, plugimi i tokës përreth këtij monumenti në thellësinë mbi 35 cm dëmtoi sistemin rrënjor, ndaj arra po shkon drejt tharjes së plotë. Ky monument ka vlera historike e biologjike me rëndësi vendore. Për ta vizituar atë meret rruga automobilistike (25 km) Tiranë – Pezë e Vogël – Pezë e Madhe.