Gjykata e Lartë ka pranuar rekursin për pronat e sekuestruara të Adriatik Llallës. Vetëm dy ditë pas zbardhjes së vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Zaganjorin, Gjykata e Lartë u mblodh në dhomë këshillimi dhe vendosi të pranojë kërkesën për rekurs të depozituar pak kohë më parë nga ana e avokatit mbrojtës të Llallës. Ndërkohë në ditët në vijim do të bëhet publike dhe data se kur do të zhvillohet çështja si dhe trupa gjykuese. Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Lartë, ish-kryeprokurori Llalla kërkon heqjen e sekuestros. Ish-kryeprokurori pretendon duke u bazuar në nenin 6 të Konventës Evropiane, se ndaj tij është zhvilluar proces i parregullt ligjor. Kjo për faktin se pas sekuestrimit të pasurisë nga ana e organit të akuzës, ish-kryeprokurori iu drejtua Gjykatës së Apelit e Krimeve të Rënda.
Por ndonëse Llalla kërkoi heqjen e sekuestros, Gjykata e Apelit, më datë 9 gusht, vendosi që pasuria e tij të vijojë të mbetet në sekuestro. Madje, gjatë seancës gjyqësore që zhvilloi Apeli, ish-kryeprokurori së bashku me avokatin e tij nuk u paraqitën në seancë, duke detyruar kështu gjyqtarin e çështjes, Idriz Mulkurtin që të kërkonte asistencën e një avokati tjetër për të dhënë vendimin. Por dhënia e vendimit në mungesë duket se nuk i ka pëlqyer ish-kryeprokurorit, i cili ju drejtua Gjykatës së Lartë. Një betejë që duket se Zaganjori do përpiqet t’i bëj qokën Adriatik Llallës përpara se Komisioneri Publik të ankimojë vendimin e KPK tek Kolegji i Apelimit.
Pasuritë e sekuestruara të Llallës
Gjykata Shkallës së Parë, pak kohë më parë, pranoi kërkesën e prokurorisë për të vënë në sekuestro preventive pasurinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Në këtë mënyrë, është bërë sekuestrimi i një apartamenti banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës. Po ashtu në sekuestro janë vënë: tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë. Pas vendimit të gjykatës, policia ka zbatuar urdhrin dhe të gjitha pronat e ish-kryeprokurorit janë vënë në sekuestro preventive. Sipas organit të akuzës vlera e tyre është afro 1 miliard lekë të vjetra. Në dosjen e dorëzuar në gjykatë, prokuroria ka dhënë dhe arsyet se përse u kërkua që pasuria e ish-kryeprokurorit të vendoset në sekuestro. Sipas saj, ka pasur indicie se ai mund t’i shiste ato.
Ja si Llalla ndryshonte vlerat e pronave
Në bazë të deklarimeve të pasurisë që ka bërë Llalla pranë ILDKP, ai çdo vit ka bërë rivlerësim të tokave. Ajo që bie në sy është se Llalla ka blerë toka shumë lirë fillimisht dhe më pas ka deklaruar se i ka shitur shumë shtrenjtë. Për shembull, në vitin 2007 Llalla ka deklaruar një ullishte në Bathore, blerë 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011 ai e rivlerëson pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja. Ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016 është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë ka pasur dhe për apartamentin në Durrës, tani i sekuestruar. Ai është blerë në mars të vitit 2012 në vlerën 2.2 milionë lekë të reja, ndërsa në prill po 2012, ai e ka rivlerësuar në rreth 5 milionë lekë të reja. E njëjta gjë ka ndodhur me një tokë në Qeha Shytaj në Tiranë. Ai e ka blerë në dhjetor të vitit 2016 në vlerën 4.5 milionë lekë të reja. Por në maj të 2017 është rivlerësuar në 36 milionë lekë të reja, ose 360 milionë lekë të vjetra. ILDKP ka zbuluar se e njëjta gjë ka ndodhur dhe me prona të tjera.
Endri Arizi