Xhuzepe Masani ishte fotograf italian. Megjithëse nuk ka të dhëna të sigurta për të, duket se ka lindur në Rimini në vitin 1901 dhe ka studiuar ne Universitetin e Bolonjës duke filluar në vitin 1920.
Masani u bë ithtar i flakët i lëvizjes fashiste dhe doli në pah me një album fotografik për Musolinin dhe fashizmin: La sua terra (Toka e tij), Bergamo 1936.
Pas kësaj, botoi një sërë albumesh për rajonet e Italisë: Sicilia në vitin 1938 dhe Liguria në vitin 1939.
Në prill 1939, Shqipëria u pushtua dhe iu aneksua perandorisë së re romake të Musolinit.
Ishte momenti i duhur për fotografin që t’i prezantonte publikut italian trevat e reja të Italisë përtej Adriatikut. Sigurisht me mbështetjen zyrtare, Masani udhëtoi gjerësisht në Shqipërinë ‘italiane’ dhe bëri fotografi të mrekullueshme.
Fotot u botuan në vëllimin Albania: testo e foto di Giuseppe Massani (Shqipëria: teksti dhe fotot nga Xhuzepe Masani), Romë 1940, me një kapitull të fundit të propagandës fashiste ‘Bashkimi Italoshqiptar.’
Të gjitha pamjet e botuara më poshtë nga DITA janë marrë nga ky libër.
Në vitet 1960 dhe 1970 Masani botoi disa albume të tjera, shumica e të cilave tashmë janë lënë në harresë.