Deputeti i PD Ervin Salianji publikoi mbrëmë live një video ku ‘aktori’ i ‘Babales’ Fredi Alizoti pretendon se i është bërë presion nga Drejtori i Policisë për të pranuar se zëri në audiopërgjim është i tiji.
Alizoti deklaroi se e mori Ardi Veliu natën me makinë të MB të zezë dhe e ka dërguar tek prokurori natën, ndërsa pohon se është takuar edhe me Taulant Ballën, që siç thotë ai i ka ofruar 200 mijë euro. Sipas tij me Taulant Ballen u takuan në një kafe pranë Prokurorisë.
“Taulant Balla dhe Ardi Veliu me thanë hidhu nga ne” , thotë ai në video.
Ndërkohë, lidhur me këtë ka reguar kreu i Policisë, Ardi Veliu. Ky i fundit ka thënë për ‘Koha Jone’ se në atë kohë nuk ndodhej në Shqipëri, por në SHBA.
“Me një milion përqind garantoj publikun shqiptar se atë person nuk e kam takuar dhe se nuk ka asnjë shans që ai person, që foli në video, të ketë hipur në makinën time. Atë person e ka sjellë në Tiranë drejtori dhe zv/drejtori i policisë së Fierit. E kanë çuar direkt te Krimet e Rënda. Kjo është e verteta”- ka thënë ai.