Mediet ndërkombëtare i kanë bërë jehonë vendimit të publikuar sot nga Kryeministri Edi Rama për largimin e kazinove dhe pikave të basteve nga zonat e banuara.
“Qeveria shqiptare ka vendosur të largojë kazinotë dhe pikat e basteve nga zonat rezidenciale për të penguar përhapjen e tyre veçanërisht në Tiranë”, raporton prestigjiozja australiane me shtrirje të gjerë ndërkombëtare “ABC News”.
Nga ana tjetër, britanikja “Associated Press”, shkruan gjithashtu se “Kryeministri Edi Rama tha sot se duke filluar nga data 31 dhjetor të gjitha kazinotë, përfshirë pikat e basteve mbi sportet dhe garat me kafshë, do të mbyllen dhe do të zhvendosen në periferi të qytetit”.
Rrugët e qyteteve në Shqipëri, prej shumë vitesh janë mbushur plot me pika bastesh për sportet.
Kryeministri Rama tha se ndonëse numri i kompanive të basteve ka rënë në 20 nga 40 që ka qenë në vitin 2013, taksimi i bërë nga qeveria mbi të ardhurat që vijnë nga lojërat e fatit është rritur në 54 milionë dollarë, nga 37 milionë që ishte pesë vite më parë.
Ky vendim i qeverisë shqiptare është pasqyruar edhe në Itali ku media si “Agenzia Nova” raportojnë se: “kryeministri Rama ka paralajmëruar mediat për heqjen e reklamave të basteve dhe kazinove, të cilat deri tani kanë shkelur ligjin”.