Pasi Prokuroria foli duke zbuluar inskenimin e Partisë Demokratike me çështjen “Babale”, deputeti demokrat Ervin Salianji, njeriu që e publikoi atë, duket se është braktisur edhe nga të vetët në përpjekjen për të dalë pa lagur nga kjo histori.
Mbrëmjen e djeshme deputeti demokrat Ervin Salianji publikoi një video në të cilën Fredi Alizoti, personi për të cilin hetimet e prokurorisë zbuluan se kishte imituar zërin e vëllait të Ministrit Fatmir Xhafaj, jep një version të ri në favor të Salianjit.
Videoja e publikuar dje nga Salianji, ku “dëshmon” Fredi Alizoti, një person tashmë nën akuzë, në vend që t’i shtojë kredenciale Salianjit në këtë betejë, në vetvete rikonfirmon disa fakte që e nxjerrin bllof përpjekjen e tij.
Së pari, dalja e Fredi Alizotit në videon e publikuar nga Salianji konfirmon se po, ishte ai që pati imituar zërin e vëllait të Ministrit Xhafaj në videon e parë që PD e cilësoi si skandal të madh qeveritar.
Pra është i njejti person që pranoi të përdorej nga Partia Demorkatike në një audio-përgjim fals, në këmbim të 200 mijë eurove (siç tregojnë bisedat e tij telefonike me Babalen), i cili me sa duket po luan një tjetër rol me kerkesë të Salianjit.
Së dyti, fakti që videon e re e publikoi sërish Salianji, është tregues i lidhjes së afërt që deputeti demokrat paska me këta persona, Babalen dhe Alizotin. Kjo konfirmon edhe dyshimet se audiopërgjimin ku Alizoti imitonte Agron Xhafajn, nuk e solli një gazetar pranë PD-së, por vetë Salianji i cili e çoi te gazetari. E për këtë deputeti do duhet të përballet tanimë i vetëm përpara organit të akuzës.
I braktisur nga të vetët, përfshirë edhe Basha, Salianji ia mbathi dje i frikësuar nga studio e Tv Klan kur mësoi se prokurorët po shkonin aty për t’i kërkuar usb-në e videos së re, duke provuar se i frikësohet organeve të drejtësisë. Por vetëm zbardhja e kësaj çështjeje nga drejtësia do të ishte e vetmja mënyrë për të mbyllur njëherë e mirë një teatër, në të cilin skenarët ndryshohen vazhdimisht nga aktorët e partisë demokratike. Kjo do të ishte gjithashtu e vetmja mënyrë që faktet të ndahen njëherë e mirë nga trillimet politike.