Dosjet duhen hapur edhe për arsyen e saj njerëzore. Droja se pas tyre mund të ndodhin akte të rënda hakmarrje, ose, edhe më keq se kaq, mund të fillojnë hasmëri të shumta, nuk është e natyrshme. Shumica e atyre që janë dënuar e dinë ndoshta më mirë se sa dosjet e mangëta të sotme, se kush i ka dënuar në të djeshmen. Gjyqi, ndoshta i fundit politik, në qytetin e Shkodrës, kundër Rustem Tabakut e Enver Bicakanit, të dënuar me vdekje nga një gjyq i drejtuar nga Rustem Gjata, ishte mes të tjerave, qesharak, edhe për vetë denoncuesit e tyre. Provokues të shumtë ishin futur mes atyre njerëzve, disa nga të cilët krejtësisht të pashkolluar, kishin luajtur me vuajtjen dhe mundimin e tyre, punën e rëndë në një kaldajë, dhe nga ana tjetër me një mendim që kishin shfaqur dy ushtarakë, për të shkuar tek marrja e dy jetëve.
Dosjet që kanë krijuar probleme të mëdha politike duhen hapur të parat. Dhe bartësit e tyre, të paktën për ata që i bartën pasojat, duhen të jenë të njohura. Për të shkuar më tej: për të mos lënë mjegullën e denigrimit të jetë mbi kokat e njerëzve. Për shumëçka nuk jam i një mendjeje me zonjën Topalli, ish shefen e parlamentit, por dua të besoj se fakti që drejtori i famshëm i Institutit të Misrit e Orizit, shkencëtari Hysen Laçej, ishte një njeri i skeduar, nuk ka të bëjë me informacionet që thonë se janë dërguar prej saj si “Dizenjatorja”. Mëria politike nuk ka të bëjë me të vërtetat, dhe nëse kjo ndodh, atëherë do të thotë se njëri nga fiset më të tabanshëm në Shkodër, Çobajt, paskan humbur shumë nga vetja. Personalisht, nuk e besoj, nuk dua ta besoj.
Nëse do të ishte në dorën time, dosjet e para që do të hapja do të ishin pikërisht ato që janë krijuar nga informacionet e dhëna nga ish komunistët dhe punonjësit e sferave të larta. Pse e them këtë? Sepse në Shqipëri ka pasur një ligj, i cili e ndalonte pjesëmarrjen e komunistëve si informatorë të Sigurimit të Shtetit, duke shkuar nga deviza se, partia e kontrollon atë dhe jo Sigurimi të kontrollojë partinë. Përjashtimet nga ky rregull, janë bërë në shumë raste nga devotshmëria e paprinciptë e këtyre njerëzve, të cilët, për vetë pozitën e tyre dhe statusin, kanë qenë më të rrezikshëm, sepse ishin edhe më të besuar. Të njëjtën gjë do të kisha bërë me informacionet e dërguara nga sekretarët e partisë, që nga dikasteret e deri tek fakultetet, sepse shpesh herë nga informacionet e tyre kanë filluar proçese të rëndësishme. Për të vazhduar me dëshmitarët e rremë, të sajuar vrimave. Në gjyqet kundër Frederik Rreshpjes, poetit të shquar migjenian, dëshmitarët më të shumtë do të ishin nga ata që kishin pirë kafe me të, që e kishin vizituar, që e kishin provokuar. Dhe kështu, shumë vite të begata të jetës së poetit, mbetën në shkretëtirë.
Dhe një fund për veten:
Jeta është treguar bujare me mua. Sikur një minutë të vetme të kisha qenë hallkë e këtyre strukturave, do e kisha thënë ndershmërisht, do të isha tërhequr në jetën time vetjake, dhe publicistika do të kishte qenë e largët për mua. E solla këtë mbyllje, sepse, në fund të fundit, unë i respektoj ata njerëz, qofshin edhe publicistë apo të politikës, që ndershmërisht, tepër hapur e pa bujë, e kanë pranuar faktin se në një moment të jetës së tyre janë thyer, kanë ulur kokën, por kanë gjetur forcën për të marrë veten, që jeta e tyre të mos jetë pjesë e jetës së prishur të dikujt tjetër.
Vetëm të marrët dhe të vdekurit nuk ndryshojnë, më thoshte një natë në Gjenevë miku im i vyer, Adem Demaçi. Të gjallët ndryshojnë. Mund të besohet në ndryshimin e tyre, nëse ata janë vetë pjesë e këtij ndryshimi, dhe kjo fillon nga sinqeriteti i njohjes së një faji që kanë bërë, ndoshta edhe të ngushtuar nga rrethanat e jetës./ Nga Bedri Islami /
Marrë nga “Enigmat e një spiuni”