Shërbimi Informativ Shtetëror duket se është përfshirë në çështjen e “Babales” gjatë kohës kur drejtohej nga Visho Ajazi Lika. Të paktën kështu thuhet në fashikullin e prokurorisë, ku bëhet me dije se skenari për “filmin” ka nisur që në mes të tetorit të vitit 2017, ku agjentë të SHISH kanë pajisur Albert Veliun me përgjues. Në lidhje me këtë përfshirje të SHISH ish-kryetari i shërbimit sekret, Fatos Klosi shprehet për “Sot”: “Nuk mund të di nëse SHISH ka pasur rol në gjithë këtë histori sepse puna e Shërbimit me ligj është sekrete, kështu që kushdo që ka nxjerrë ndonjë gjë, kjo punë mund të zgjidhet me prokurorinë dhe me SHISH dhe nuk ka nevojë ta marrë vesh publiku. Por do të më vinte vërtetë shumë keq nëse edhe SHIK ka rënë në këto pozita. Në kohën tonë nuk guxonte kush, kushdo qoftë, edhe nga shefat e mëdhenj të politikës që të jepte detyra të tilla që SHIK të merrej me këto punë. Do t’i përbuznim vërtetë me shumë neveri. Kështu që nëse është e vërtetë, do më vinte keq për SHIK dhe katandisjen e tij. Unë as që e diskutoj fare që Visho Lika ka qenë në shërbim të PD”, tha Fatos Klosi.
“Për sa kohë që ai jepte llogari përpara tek njerëzit e PD e më pas tek kryeministri, ose mbase nuk jepte fare llogari tek kryeministri, ose i seleksiononte informacionet: këto duhet t’i marrë vesh kryeministri, këto jo. Këtë nuk e shtroj fare si problem. Ka qenë evident për mua që Visho Ajazi Lika i shërbente PD. Një gjë e tillë ka dalë edhe në media, kështu që mua më vjen keq për SHIK që është marrë me të tilla gjëra. Se çfarë tregon gjithë kjo histori është më e parëndësishme sesa fakti që SHIK pranon të merret me të tilla gjëra”, u shpreh ish-kreu i SHISH.
Sipas dosjes, plani për të realizuar një “film” të tillë ka nisur që në tetor 2017, kur në krye të SHISH ishte Visho Ajazi Lika. Fillimisht ka qenë Albert Veliu që e ka pranuar diçka të tillë.
“Për këtë përgjim ishte pajisur nga personeli i SHISH me një pajisje përgjuese me pamjen e një çelësi pult automjeti ‘Audi’. Përgjuesi e fillonte funksionimin në mënyrë mekanike duke shtypur butonin e pultit me shenjën e hapjes së automjetit. Në momentin kur hynte në funksion përgjuesi jepte një dridhje. Përgjuesi pushonte së funksionari nëpërmjet po të njëjtit buton dhe në momentin kur pushonte jepte dridhje. Sipas Albertit, pas realizimit të përgjimit, mjetin përgjues ia kishte dorëzuar punonjësit të SHISH, i cili e kishte pajisur me të. Grupi i SHISH përbëhej nga dy persona, ku njëri komandonte. Ky grup ishte i pajisur me aparatura vëzhguese dhe përgjuese”,thuhet në kërkesën e prokurorisë për dëshminë e Albert Veliut.