Nga 1 janari nuk do të shikoni asnjë pikë bastesh apo kazino në Tiranë dhe në gjithë territorin e Shqipërisë.
Vendimi i qeverisë për të mos lejuar hapjen e bizneseve të lojërave të fatit është përshëndetur nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili përmes një postimi në twitter, shkruan se ndalimi me ligj i pikave të basteve e kazinove, është vendimi më fisnik e i guximshëm në dobi të familjeve shqiptare.
“Qeverisja e @ediramaal i ka sjelle sh të mira këtij vendi e më mirë se unë për këtë do flasë historia! Ama ndalimi me ligj i pikave te basteve e kazinove, është vendimi me fisnik e i guximshëm ne dobi te familjeve shqiptare! Mezi pres Janarin 2019 e @BashkiaTirane pa baste”, shkruan Veliaj.
Me qëllim largimin e të rinjve prej fenomeneve negative që kanë prekur shoqërinë shqiptare në këto vite tranzicioni, një nga masat që ka marrë Bashkia e Tiranës këto tre vite ka qenë dhe rehabilitimi i terreneve sportive në shkolla dhe rikthimi i bibliotekave nëpër lagje.
Ndërkohë, Tirana është qyteti i parë në Shqipëri që ka nisur zbatimin e projektit të shkollave si qendra komunitare, duke shfrytëzuar mjediset sportive të shkollave 9-vjeçare e të mesme të qytetit për komunitetin pas përfundimit të mësimit.