Nehat Kulla i është drejtuar ditën e sotme Gjykatës së Krujës duke i kërkuar liri me kusht për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të së shoqes. Më parë ai i kishte kërkuar gjykatës ta lironte, por e ka tërhequr këtë kërkesë.
Kulla e ka depozituar këtë kërkesë më 29 qershor të vitit 2018, një kërkesë ku kërkonte lirimin për sjellje të mirë dhe për shkak të problemeve me shëndetin.
Atij i ka mbetur më pak se një vit burg për të shlyer, por ka hequr dorë nga kërkesa për të qenë i lirë.
Kulla ka përfituar 5 vjet ulje dënimi gjatë 14 viteve të fundit.
Ai është dënuar me 20 vite burg në vitin 2005 për vrasjen me paramendim të Halim Gjuzit, ish-shoferit të ish-zv/ministrit të Arsimit, Halit Shamata dhe armëmbajtje pa leje.
Avokati mbrojtës i Kullës i ka dërguar një shkresë Gjykatëses së Krujës Ëngjëllushe Tahiri, ku deklarohej çështja e shqyrtimit për lirim nga burgu.
Aty shkruhej:
Meqenëse nga konsultimet me klientin tim, i cili më ka caktuar në këtë detyrë, kemi rënë dakord, kërkojmë që të heqim dorë nga kërkesa me objekt Lirim nga Burgu (qëndrim në shtëpi), pasi mendojmë se interesat tona do t’i vlerësojmë në një moment të dytë”.
LIDHJET ME POLITIKANË TË FUQISHËM
Një foto e tij me ish-kryeministrin Fatos Nano qarkulloi bujshëm disa kohë më parë, foto kjo e publikuar nga kundërshtarët e tij politikë.
Ata deklaruan se Nano kishte lidhje me kriminelë të rrezikshëm shqiptarë. Daljet e shpeshta të tij nga burgu i rritën këto dyshime mbi lidhjet e tij të ngushta me politikën.
KRYETARI I NJË BANDE KRIMINALE
Kulla njihej si kryetari i një bande kriminale që vepronte në Tufinë të Tiranës që u krijua gjatë viteve 1997-1998.
Ai mbajti të pacënuar repartin “Xhenios” së bashku me familjarë, miq e të afërm, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë.
“I forti i Tiranës” dhe të ashtuquajturit “ushtarë” të tij e mbajtën nën kontroll repartin për një farë kohe dhe u pagëzua me nofkën “Gjenerali” nga banorët e zonës, si një person me shumë influencë.
Kulla, gjatë vitit 1997, arriti të krijonte edhe një komisariat të mirëfilltë policie, kohë kjo kur shteti kishte rënë. Ai u garantonte qetësinë banorëve të Tufinës dhe Kinostudios dhe askush nuk guxonte të kalonte në territorin ku vepronte ai dhe banda e tij. Harta ku ai kishte shtrirë ndikimin e tij ishte e pacënueshme.
Banda njihet për shumë krime të frikshme të ndodhura në atë kohë.
NOFKA “GJENERALI”
Ai u vetëquajt ashtu pasi në vitin 1997 grabiti një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake.
Kulla ishte i vetmi në atë kohë që posedonte një mjet të tillë në vend dhe shoqërohej gjithnjë nga një eskortë e armatosur me automatikë. Ai vetë ka pozuar disa herë për mediat me uniformë dhe automatik, të cilin s’e lëshonte nga dora.