Një tjetër gafë, nëse do ta quanim kështu… se në fakt është një “autogol”, është bërë sot nga ana e ish-ministrit të Drejtësisë, Gazmend Bardhi, në emisionin “Opinion”, ku pranoi me dokumenta të Prokurorisë, se të përgjuarit e dosjes “Babale”, me shtetasin e arrestuar tashmë Alfred Alizoti, janë kontigjentë të PD-së dhe anëtarët aleat të partisë së tij, të cilët gëzojnë krenarisht probleme me ligjin dhe drejtësinë.
Bardhi lexoi disa përgjime të Prokurorisë, ku saktësisht numrat që mbaronin me 700 dhe 771, që komunikonin me shtetasin e arrestuar Alfred Alizoti dhe merrnin nëpër gojë deputetin socialist Taulant Balla janë të bandës së partisë së tij, saktësisht Sali Lushaj dhe Avdyl Gjomakaj.
Sipas burimeve të siguruara nga gazeta, këta dy shtetas janë emra të njohur nga policia dhe mjaft problematik. Kohë më parë, ish-truproja e Sali Berishës, kur ky i fundit ka qenë President, është arrestuar bashkë me shtetasin Avdyl Gjomakaj, për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe kundërshtim të forcave të policisë. Lushaj dhe Gjomakaj, në shoqërinë e disa personave të tjerë, janë arresuar pas ndërhyrjes së forcave të tjera policore, për të shuar sherrin mes të ndaluarve dhe policisë./Ekskluzive.al
Ngjarja ku janë arrestuar
Debati mes policisë dhe Sali Lushës ka ndodhur pak pas mesnate kur uniformat blu të Komisariatit të Policisë së Kavajas kanë ushtruar kontroll në zonën e bregdetit për të sanksionuar të gjitha subjektet që nuk kishin zbatuar urdhrin. Në kuadër të minimizimit të ndotjes akustike, efektivët e policisë kanë ndërhyrë edhe në kompleksin “Rio” që është pronë e të arrestuarit Lusha.
Por Sali Lusha, pronar i kompleksit në zonën e “Shkëmbit të Kavajës” nuk u është bindur efektivave të policisë, të cilët i kanë kërkuar ulje të volumit të muzikës në lokalin e tij. Në këtë debat janë përshirë dhe 7 të rinj, për të cilët gjithashtu është prerë fletarresti. Të rinjtë Visar Kashari, Shkëlzen Susa, Mariglen Blliku, Renaldo Gecaj, Rusin Grazhani, Avdyl Gjomakaj dhe Egdar Muça janë arrestuar në të njëjtën akuzë, kundërshtim të forcave të policisë dhe prishje të qetësisë publike.
Kush është Sali Lushaj
Kjo nuk është hera e parë që Sali Lusha ka probleme me policinë. Nga policia ai është cilësuar si një shtetas problematik, pasi herë pas here ka regjistruar përplasje me policinë. Ka qenë i akuzuar për disa vepra penale, por, aktualisht është jashtë këtyre dosjeve, e jo me vendime të gjykatave. Sali Lusha ka qenë një ndër të akuzuarit kryesorë të dosjes së 14 shtatorit. Është një tjetër i dalë nga qelia për arsye shëndetësore: ftohje e rëndë. Ai ka paguar për këtë liri të kushtëzuar 15 mijë dollarë. Ka qenë një nga të pandehurit e grupit të tretë të dosjes së “14 shtatorit” dhe akuzohej si pjesëmarrës në drejtimin e revoltave të armatosura të shtatorit të 98-ës. Sali Lusha fitoi dhe azil politik në Belgjikë, por aktualisht ai ndodhet në vendin tonë dhe menaxhon kompleksin “Rio” pranë plazhit të Golemit, e cila është pronë e tij.