Detaje të reja janë zbuluar lidhur me masakrën që ka ndodhur ditën e sotme në Mat. Mësohet se 2 nga viktimat janë punonjës të bashkisë Mat, ndërsa viktima e tretë është banor i fshatit. Mësohet gjithashtu, se i plagosuri i katërt është banor i fshatit Burgajet.
Policia njofton se dy viktimat Mentor Hoxha dhe Erzen Aliaj ishin njëri shofer fadrome dhe tjetri shofer kamionçine. Autori Kujtim Koxha, rreth orës 12:30 të mesditës ka qenë në lokalin e fshatit. Në këtë moment në lokal janë ulur punonjësit e bashkisë për të ngrënë drekë.
Në këtë moment, autori iu ka thënë punonjësve të bashkisë: Përse nuk vini dhe më shtroni rrugën afër shtëpisë time, përse po shtroni vetëm këtë rrugë?
Në këtë moment, shoferi i kamionçinës, Erzen Aliaj ka debatuar jashtë lokalit me Kujtim Koxhën dhe e ka qëlluar me shuplakë. Më pas, autori ka shkuar në banesë, ka marrë armën dhe më pas ka qëlluar punonjësit që po konsumonin drekë.
Njoftimi i plotë i policisë së Shtetit:
Zbardhet ngjarja e ndodhur në Shëlli të Matit.
Shtetasi Kujtim Koxha, 54 vjeç, banues në fshatin Shëlli- Mat, në lokalin e shtetasit Q.K, pas një konflikti për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri automatik shtetasit;
Mentor Hoxha, 36 vjeç, (shofer fadrome) banues në fshatin Burgajet Mat, si dhe ka plagosur rëndë e më pas kanë humbur jetën në spital në Tiranë shtetasit :
Erzen Aliaj , 49 vjeç, banues në Burrel (shofer kamionçine)
Hamit Buci , 43 vjeç, banues në fshatin Shëlli Mat . (banor fshati)
Dhe është plagosur rëndë shtetasi A.H, 40 vjeç, banues në fshatin Burgajet të rrethit Mat.
Nga veprimet procedurialep të kryera ka rezultuar se shtetasi Kujtim Koxha ka qenë ne lokalin e fshatit Shëlli rreth ores 12.30, dhe në këtë kohë kanë ardhur punonjësit e Bashkisë të cilët po punonin në një rrugë fshati , ku janë ulur për të ngrenë drekë në lokalin e fshatit .
Në këto moment shtetasi Kujtim Koxha ju ka thenë punonjësve të Bashkisë dhe kryesisht shtetasit Erzen Aliaj se përse nuk vini dhe më shtroni rrugën afër shtepisë time, përse po shtroni vetëm këtë rrugë . Në këtë kohë është çuar nga tavolina shtetasi Erzen Aliaj ku kanë dalë jashtë lokalit dhe ka debatuar me shtetasin Kujtim Koxha, dhe e ka goditur me shuplakë ne fytyrë .
Ne këtë kohë janë ngritur punonjësit e tjerë duke i ndarë pasi shtetasi Kujtim Hoxha ishte në gjendje te dehur .
Më pas autori është larguar në drejtim të banesës së tij ku ka marrë armën e zjarrit dhe pasi është afruar tek lokali ka qëlluar punonjësit të cilët po konsumonin drekë.
Pas krimit të kryer autori është larguar drejt pyllit të fshatit Burgajet, ku falë një pune të mirëorganizuar nga Policia e Matit në bashkëpunim me Strukturat e D.V.P.Dibër, si rezultat i ndjekjeve të pandërprera, brenda 1 ore, kanë kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar Kujtim Koxha.