Kozmonauti rus, Aleksey Ovchinin, dhe ai amerikan, Nick Hague, do të shkojnë në hapësirë në pranverë, pasi fluturimi i tyre dështoi një ditë më parë. Kjo konfirmohet nga shefi i agjencisë hapësinore ruse.
“Ne po planifikojmë fluturimin e tyre për pranverën e vitit të ardhshëm”, tha ai, duke shtuar se të dy kozmonautët tashmë ishin kthyer në qendrën e trajnimit hapësinor “Star City”, pranë Moskës.
Ovchinin dhe Hague iu afruan jo pak vdekjes, kur një anije “Soyuz” pësoi një defekt pas lançimit nga kozmodromi i Baikonurit në Kazakistan, të enjten. Ky ishte i pari aksident i tillë në historinë e Rusisë postsovjetike dhe një goditje e rëndë për krenarinë e industrisë së saj hapësinore.
Lançimi i dështuar ndodhi në prani të administratorit të NASA-s, Jim Bridenstine, që ndodhej në Rusi dhe ishte një siklet jo i vogël për Rusinë, që së fundmi ka publikuar planet për të dërguar kozmonautë në hënë dhe në Mars.
Raketa hapësinore “Soyuz” është aktualisht e vetmja mundësi furnizimi për Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) dhe aksidenti pritet të cënojë punën e laboratorit orbital. /Top Channel