Nga Viktor Malaj
Rrjedha e pritshme që ka marrë çështja “Babale”, në aspektin moral, politik dhe juridik, po përjetohet sot në mënyra të ndryshme por edhe shumë domethënëse. Kur doli në skenë ky problem, jashtë zhurmës dhe vringëllimave të shpatave politike, thelbi i gjithë çështjes ishte, dhe mbetet ende edhe sot: Ishte regjistrimi i zërave në audiokasetë origjinal dhe i vërtetë apo kishim të bënim me një inskenim të ulët moralisht, vetëdiskreditues politikisht dhe të dënueshëm ligjërisht ?
Tani, kur s’ka mbetur pikë dyshimi rreth falsitetit të të gjithë “aferës”, neve na shfaqen përpara syve tanë pamjet e gëzueshme por edhe hakërruese të politikanëve pa moral Basha, Berisha, Salianji, Alibeaj, Paloka, etj. Daljet e tyre thuajse të përditshme në media, tiradat e pafundme të akuzave dhe thirrjet për dorëheqje, largim të qeverisë, mobilizim të popullit për një “kauzë” morale e politike të lartë si dhe angazhimet e pafundme në shtyp dhe TV të gjithfarë gazetarësh e analistësh zhurmëmëdhenj dhe moralpakët, na kujtojnë sot shkallën mjerisht të lartë të batakut moral të politikës shqiptare dhe degradimin e pandalshëm të dinjitetit tonë shoqëror.
Përveç politikanëve, që po rezulton se janë ideatorët, regjisorët dhe aktorët e njërës prej komedive më tallëse dhe poshtëruese ndaj asaj pjese të shoqërisë shqiptare që ka zgjedhur të jetojë me dinjitet vetjak dhe kombëtar, në këtë “teatër” kriminal u aktivizuan me shumë zell një numër pafundësisht i madh dhe paturpësisht këmbëngulës i njerëzve të medias, nën maskën e fjalës së lirë dhe luftës për të vërtetën por që, realisht,motorët e makinerisë së tyre propagandistike ushqeheshin thjesht nga pakënaqësitë dhe urrejtja ndaj Kryeministrit aktua l.
Tani që është provuar, jo vetëm që audioregjistrimi ishte i rremë, por edhe se ky falsifikim është ideuar, drejtuar dhe keqpërdorur nga një bandë politike e pashpresë për t’u rikthyer në pushtet me normalitet demokratik, do të duhej që, të paktën, gazetarët dhe analistët e vetëangazhuar në këtë betejë mashtruese, t’i kërkonin ndjesë popullit shqiptar për rrenat, dredhitë dhe konkluzionet “bindëse” të tyre për vërtetësinë e materialit propagandistik që iu shit shqiptarëve si i vërtetë. Mirëpo ndjesë kërkon virtyti ndërsa vesi mbetet këmbëngulës në udhën e tij të mbrapshtë dhe të dëmshme.
Shikojini me vëmendje autorët dhe aktorët e farsës morale e politike dhe veprës kriminale, të dënueshme në çdo vend perëndimor. Ata po bëjnë çmos që, jo vetëm ta kalojnë këtë dështim të mashtrimit të tyre si diçka pa rëndësi por, madje, po bëjnë çmos të krijojnë zhurma të tjera dhe të këmbëngulin në rrugën e tyre kriminale. Ajo që ka ndodhur përbën, përveç se një kompleks veprash penale në shërbim të një qëllimi politik, edhe një skandal të përmasave të mëdha, i krahasueshëm me skandalin Uotergeit* të vitit 1972 në SHBA kur ndihmësit e Presidentit Nikson (edhe me dijeninë e tij) vunë pajisje përgjuese në zyrat e shtabit elektoral të partisë kundërshtare për të mundësuar marrjen e informacioneve rreth strategjisë dhe taktikave elektorale të kundërshtarit politik. Zbulimi i skandalit atje çoi në dorëheqjen e presidentit në detyrë dhe ndjekjen e tij penale (i amnistuar më vonë).
Këtu tek ne, në rastin më të mirë, po bëhen përpjekje për ta paraqitur skandalin si vepër e dy njerëzve ordinerë nga Vlora dhe të një gazetari të papërgjegjshëm. E vërteta e madhe është se “afera” në fjalë është vepër e planifikuar nga një grup njerëzish pa din e iman në kupolën e PD-së, të kryesuar e komanduar nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha.
Kur ngjarja në fjalë u bë publike, ideatori i fshehtë i saj, Sali Berisha deklaroi se “Ne e kemi përgjuar për një kohë të gjatë vëllanë e Fatmir Xhafës”. Kjo thënie e bën të qartë se audiopërgjimi i rremë i Agron Xhafës nuk është një punë e dy halabakëve nga Vlora që e bënë atë punë njëri për të fituar azil politik e tjetri për të marrë ca para (nga kush?!) dhe, rastësisht, kjo kasetë përfundoi në SHQUP, por tregon se krejt skenari dhe regjisura janë bërë në SHQUP dhe për t’i shërbyer gangsterëve politikë dhe jo atyre ordinerë. Askush nuk u ndie nga organet e hetimit, megjithëse ka disa nene në kodin penal që dënojnë përgjimet, vendosjen e aparaturave, shpifjet etj.
Kupola e PD-së, e diskredituar moralisht dhe politikisht, duke qenë e paaftë dhe e padenjë për të prodhuar ide dhe duke e ditur se me normalitet politik (siç e ka pohuar vetë Berisha)” nuk mund të vijë në pushtet”, iu është qepur rrugëve dhe mjeteve antidemokratike dhe antiligjore. Pasi humbën radhazi disa zgjedhje kombëtare, pasi e panë se as bojkotet parlamentare, as Çadrat gaztore, as mitingjet me frymëzim të rremë, as thirrjet për revoltë, kryengritje e shporrje, as marrëveshjet tregtaro-politike “një herë unë-një herë ti në pushtet “nuk dhanë rezultat, iu futën veprimtarisë tjetër antikushtetuese, përgjimeve të kundërshtarëve dhe, në pamundësi, sajimit të përgjimeve me subjekte të rreme.
Pas të provuarit se krejt “Afera Babale” ishte e rreme, prokuroria shqiptare duket e ndrojtur dhe aspak profesionale në hetimin me themel të kësaj çështjeje. Në gjithë këtë aferë kanë ndodhur një numër veprash penale si falsifikime, shpifje, kallëzime të rreme, pengime të drejtësisë në zbulimin e së vërtetës etj. Babale dhe miku i tij Alizoti janë “vrima e fundit e kavallit” në këtë histori. Të vendosësh ata nën arrest me burg dhe të lësh të lirë gazetarin që ka qenë nyja lidhëse midis ideatorëve dhe aktorëve më të rëndomtë të skandalit dhe ka penguar drejtësinë duke mos i dhënë regjistrimin origjinal, të burgosësh dy ordinerë pa shkollë e mend dhe të mos kërkosh heqjen e imunitetit dhe ndjekjen penale të një halabaku politik si Salianji i cili, përveç se ka qenë aktiv në çdo fazë të aferës, tani, kur e vërteta filloi të dalë në shesh, ai po pengon drejtësinë (së bashku me gazetarin Olldashi) duke fshehur regjistrimet origjinale të hershme dhe atë më të fundit që ua tregon shqiptarëve në TV, por ua fsheh organeve hetimore, kjo nuk bie erë drejtësi.
Ai që fsheh provat ka një hall të madh që ia ka shkaktuar vetes por duhet “shpëtuar” duke e vënë përballë ligjit. Lulzim Basha dhe disa figurina pa integritet moral rreth tij (ndonëse kanë qenë edhe Ministra Drejtësie) duhet të thirren, të pyeten hollësisht rreth atyre që dinë për aferën, rreth atyre që Babale dhe Alizoti thonë për paratë e premtuara dhe rreth manipulimeve dhe keqpërdorimeve të materialit të rremë, madje duke e ekspozuar në ambientet e partisë së tij dhe përballë kamerave, duke mashtruar shqiptarët dhe duke fyer e denigruar figurat politike kundërshtare.
Nëse pretendon se besonte se materiali ishte i vërtetë (ai e ka ditur shumë mirë falsitetin e tij) duhet të përgjigjet pse nuk i adresoi “zbuluesit” në organet e drejtësisë, por i ftoi në zyrat politike nga ku besonte (me mendjelehtësi) se do të destabilizonte rendin shoqëror dhe do të mundësonte mashtrimin e shqiptarëve duke i keqpërdorur ata për qëllimet e tij politike.
Ajo që ka ndodhur, dhe nuk është e vetmja (kështu do të dalë edhe çështja e Fushë Krujës), është një skandal politik dhe veprimtari kriminale që do të duhej, së pari, të çonte në dorëheqjen e Bashës nga posti partiak dhe dorëzimin e imunitetit si deputet dhe, pa mëdyshje, në marrjen e tij të pandehur (çfarë ka bërë më shumë Tahiri dhe a s’janë provat më të shumta e të qarta për Bashën ?). Populli shqiptar nuk iu ka borxh sharlatanëve politikë të paguaj kohë, strese dhe pasiguri për shkak të etjes dhe dëshpërimit të tyre për pushtet, për shkak të këmbënguljes së tyre për të mos u penduar dhe mos u ndrequr por, në vend të kësaj, të manipulojnë popullin me mjete e mënyra të ulëta moralisht dhe të dënueshme ligjërisht..
Lulzim Basha nuk mund të gjente mënyrë më efikase se sa kjo për t’u vetëdiskredituar dhe për t’iu treguar shqiptarëve falsitetin e figurës së tij politike dhe mjerimin e tij moral qytetar. Njeriu që ka shpallur fushatën “për pastrimin e politikës nga krimi” ka zgjedhur si bashkëpunëtorë dhe vegla qorre të tij dy të dënuar ordinerë (Veliu dhe Alizoti); politikani që hiqet si luftëtar kundër korrupsionit iu ka premtuar dy të dënuarve ordinerë shuma të mëdha parash kundrejt një manipulimi ordiner për qëllime politike; ai që bën thirrje për “Ligj Antimafje” ka organizuar dhe drejtuar një grup politikano-ordinerësh për të kryer veprime kriminale të stilit mafioz siç janë përgjimet dhe shtrëngimet me material përgjues të të tjerëve për përfitime.
Le të shohim tani taktikat e grupit kriminal që sajoi, drejtoi dhe keqpërdori “aferën Babale” sapo filloi të dalë e vërteta në shesh. Ideatori kryesor Sali Berisha e shpalli Ramën të sëmurë psikik duke u munduar të relativizonte pohimet e tij rreth aferës në fjalë dhe atyre që i kishte thënë Basha vjet. Vetë L.Basha, në stilin e atit të tij shpirtëror, sulmoi Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke i quajtur “celulë kriminale”, aq sa i detyroi ata të dilnin me një deklaratë publike mbi ecurinë e hetimeve.
Njeriu, dukshëm pa integritet moral, E. Salianji përgatiti dhe nxori në TV një kasetë tjetër me shpresë se do të sfumonte falsitetin e të parës. Për specialistët e vërtetë dhe njerëzit e vëmendshëm dialogjet e paraqitur në dy audioregjistrimet tregojnë se “vija e sjelljes” së aktrimit është thuajse e njëjtë, domethënë se instruktori i personazheve Veliu dhe, veçanërisht, Alizoti, në të dy rastet është i njëjti person. Këtë e tregon mënyra e të folurit, të të përgjigjurit dhe përmendjes së “personazheve me interes politik” nga Alizoti.
Vetë Salianji dhe të tjerët pas tij i janë vërsulur prokurorisë, jo se ajo u ka ndonjë borxh, por për të krijuar idenë e rreme se prokuroria po “heton vetëm në një drejtim”. Salianjin nuk po e pyet kush ende se nga e dinte PD-ja se Alizoti kishte zbuluar aferën e rolit të vet dhe të disa të tjerëve dhe prandaj i bëri audioregjistrimin e dytë pak përpara riparaqitjes për të dëshmuar në prokurori, audioregjistrim që rreket të zhvlerësojë dëshminë e tij. Salianjin nuk po e pyet kush se përse ai dhe drejtuesit e PD-së, nëse ishin dhe janë të interesuar për të vërtetën, refuzuan t’iu dorëzojnë organeve të hetimit regjistrimet origjinale por iu dhanë kopje.
Sipas një deputeti “filozof” të opozitës “dëshmia e Alizotit në Prokurori nuk është provë shkencore” megjithëse e marrë nga organet kompetente dhe sipas procedurave të ligjshme. Sipas këtij farë burri, prova shkencore dhe të besueshme duhen konsideruar regjistrimet e bërë fshehtas nga gjithfarë halabakësh politiko – ordinerë dhe në rrugë të paligjshme. Një politikan tjetër gangster që ka qenë Ministër Drejtësie tha se nuk kishte fare rëndësi e vërteta e audiokasetës. Për ata që nuk ka rëndësi e vërteta, nuk ka rëndësi as morali, as drejtësia dhe as populli, por vetëm interesat e tyre vetjake. Ata janë pjella bastarde të një kohe pa moral e pa skrupuj.
Po gazetarët dhe analistët predikues, moralizues dhe sakrifikues për “të vërtetën” çfarë bënë? Fillimisht, sikur s’kishte ndodhur asgjë, disa prej tyre heshtën; njëri u muar me probleme rrugësh diku në Veri; një tjetër rifilloi këngët e vajtimeve për kriminalitetin dhe “zjarrin që e kemi të gjithë në votër”; një i tretë u muar me çështje seksuale; një gazetar i partisë që qe hedhur në sulm kundër policisë kinse nga revolta kundër krimit dhe u largua prej aty me gjak në fytyrë, tani bën thirrje për kryengritje dhe “shtypje me këmbë” të atyre në pushtet; dikush tjetër, duke mos pasur fare respekt as për veten e tij, tha se manipulimi i kasetës audio ishte i mundshëm sa nga SHQUP-i aq edhe nga Vila e Surrelit.
Sipas këtij analisti me spec djegës në gojë dhe bajga në kokë, qeveria i kishte gjetur Babalen dhe mikun e tij, gjithashtu edhe gazetarin PD-ist Olldashi dhe i kishte udhëzuar si të vepronin, pastaj, po qeveria e kishte futur Salianjin të fliste me Alizotin 14 herë për 20 ditë dhe, madje,edhe i kishte nxitur politikanët pa integritet moral të kupolës së PD-së të keqpërdornin kasetën e rreme, të kërkonin dorëheqjen dhe rrëzimin e qeverisë dhe kishte organizuar edhe mitingun qesharak opozitar me 500-600 vetë kundër “krimit qeveritar”.
Pasi dolën nga heshtja, këta manipulues të opinionit shoqëror u thirrën me vrap në disa emisione dhe ekrane antiqeveritare dhe, si të ditur për gjithçka, u pyetën dhe u përgjigjën në rolin e juristëve megjithëse njohuritë e tyre juridike janë gjëja e fundit që mund t’i ndihmojë të jenë dinjitozë. Madje, ashtu siç i orientonin hapur dhe turpshëm drejtuesit e emisioneve në fjalë, këta “juristë” morën në analizë punën e prokurorisë, e “zhdëpën” atë si “armë në duart e bandës në pushtet” dhe, ashtu si mësuesi që kërkon të ndihmojë për të kaluar klasën një nxënës të keq, këta i erdhën në ndihmë Salianjit duke i thënë: “Me një fjalë, ju po thoni se prokuroria ka punuar vetëm për të vërtetuar versionin e Ramës. Kjo ka rëndësi…”.
Merret lehtë me mend se çfarë do të kishin bërë këta propagandues morali e drejtësie, por gjahtarë interesash e pasurie sikur kaseta të kishte qenë e vërtetë, apo sikur veprimet e Bashës dhe grupit të tij t’i kishte bërë Rama me të vetët. Shikoni disa nga emisionet në TV se si moderatori përzgjedh gazetarë antiqeveri, devijon debatin në çështje dytësore dhe iu fryn reve të pluhurit për të zvogëluar krimin politiko – ordiner të kupolës opozitare dhe nuk e sjell debatin rreth çështjes kryesore: A është kaseta montim (tashmë i vërtetuar)? Kush e sajoi dhe dirigjoi këtë akt dhe cilat janë përgjegjësitë morale, politike dhe ligjore të autorëve? Çfarë është kjo parti që bën përgjime, madje të manipuluara, është organizatë politike apo bandë që përpiqet të bëjë “shtetin paralel”?
Partia Demokratike ka të njëjtën vlerë si partitë e tjera shqiptare dhe duhet të bëhet një parti politike konkurruese dhe shpresëdhënëse për shumë shqiptarë por, për aq kohë sa nuk do të vetëdijesohet për gabimet, fajet dhe krimet e kryer tash 28 vjet nga kupola e saj dhe për aq kohë sa nuk do të dënojë berishizmin, babalizmin dhe bashizmin si shëmbëlltyrë e dy të parave, ajo as e meriton dhe as duhet të vijë në pushtet. Me rrena, montime, falsitete, inskenime, shpifje e trillime mund të konkurosh në panairin e kotësive dhe pazarin e ligësive por jo në procese të mirëfillta demokratike me të cilat nuk të lidh asgjë dhe të cilat s’ke lënë gjë pa bërë për t’i devijuar, shtrembëruar, dhunuar dhe tjetërsuar. Të parët që duhet të ndërgjegjësohen për këtë dhe ta dënojnë të keqen e shtëpisë së tyre politike duhet të jenë pjesa e painkriminuar e PD-së.
Vetë populli shqiptar duhet të ndërgjegjësohet dhe, pavarësisht pakënaqësive edhe të ligjshme ndaj qeverisjes aktuale, duhet të mos pajtohet kurrsesi me sjellje dhe akte mashtruese, destabilizuese dhe, akoma më keq, poshtëruese për intelektin dhe dinjitetin individual dhe kolektiv të popullit shqiptar, akte që kryhen nga politikanët e paskrupullt duke e konsideruar masën popullore si një tufë dele që e meriton të mashtrohet, fyhet dhe nëpërkëmbet.
Nga ana tjetër, nëse Prokuroria dhe gjykatat që do të merren më këtë/këto çështje nuk do të tregohen skrupuloze, profesionale dhe këmbëngulëse në zbulimin e hollësishëm dhe 100% të atyre që kanë ndodhur dhe nëse nuk do iu japin dënimet e merituara skenaristëve, regjisorëve dhe aktorëve të intrigave kriminale dhe antikushtetuese, atëherë do të na tregojnë se asgjë nuk ka ndryshuar nga më parë, se Vetingu është një përrallë dhe se shqiptarët duhet të humbin edhe shpresën e fundit për një jetesë dinjitoze në këtë vend. Diplomacia perëndimore, që i ka mbajtur deri tani shqiptarët me pilula shprese, duhet të inkurajojë organet e drejtësisë në zbatimin pa ngurim dhe frikë të ligjit ndaj kujtdo dhe, nga ana tjetër, duhet të mbajë qëndrime dinjitoze ndaj figurave politike tashmë të inkriminuara dhe vetëdiskredituara në mënyrë të përsëritur në Shqipëri.
Titulli orgjinal BABALEGEIT
** Watergate – Emri i një kompleksi zyrash në Uashington ku ishte vendosur shtabi elektoral i Partisë Demokrate në vitin 1972 dhe ku u realizuan përgjimet e paligjshme dhe përpjekje për vjedhje dokumentesh partiake nga njerëzit e presidentit Nikson..