Lajmëtari nuk mund të jetë pa fytyrë, pa emër, pa identitet! Ai është një lajmëtar që shikohet, takohet dhe është real! Por dhe informacioni nuk mund të jetë pa pronar, ose me pronar të infektuar nga mashtrimi dhe gënjeshtra! Por dhe opinioni, analiza, akuza, nuk mund të jenë pa emër dhe mbiemër dhe në mungesë të identitetit dhe të së vërtetës! Lajmi nuk mund të vidhet dhe shitet si yti, sepse ti nuk ke fytyrë dhe nuk je legal! Nuk mund të lejohet hajnia e informacionit dhe të përdoret kështu mundi, djersa, dhe deri vënia në rrezik e jetës nga gazetarë, reportere, analistë dhe opinionistë të portaleve, gazetave, televizioneve legalë, të regjistruar, me taksa të paguara, me emra dhe mbiemra të ditur, me fuqinë e kritikës me emër dhe mbiemër të gazetarëve dhe reporterëve! Legalizimi i medias online dhe sidomos portaleve kriminalë shpesh herë jo për shpifjen që kërkon të ndalë kryeministri Rama, por të krimit me median jo transparente dhe aspak reale që shkojnë deri aty sa të fusin shoqërinë në krizë morale – është veprim i domosdoshëm, në një shoqëri që edhe në këtë drejtim, është e pa ndershme!
Mundet shumë kush të thotë kryeministri e bën se do ti mbyllë “gojën shtypit të lirë”! Portalet e paidentifikuara, të rrejshme në të dhëna, që fshihen, nuk janë të lira dhe as të drejta?! Janë shkatërruesit e medias të lirë, sepse fshihen, janë jo të vërteta dhe pa asnjë farë “burrnie” mediatike dhe etike! Ky veprim mbas mbylljes së basteve dhe kazinove, në urbanitetin e qyteteve është një tjetër e mirë që kryeministri dhe qeveria po bëjnë?! Mund ti bëhen shumë vërejtje qeverisë, por këto dy elementë, janë të drejtë dhe të domosdoshëm! Janë dy veprime që realisht ishin dashur me kohë të mbaronin sepse në të dy rastet, shoqëria është tronditur dhe është përdorur kaq shumë, sa që sot, një pjesë e madhe e stresit, ka vulën e poshtër të tyre! Po nga keq përdorimi i kazinove dhe basteve afër shkollave dhe në mes qytetit ose në çdo 50 metra dhe nga portalet anonim, pa emër dhe mbiemër por dhe kriminelë në akuzën dhe të pavërtetën e saj!
Portalet e shumta pa emër, me sigla mashtruese, logo shpesh herë perverse, të një degradi etik dhe moral, të vjedhjeve të punës së tjetrit dhe pronës intelektuale, kanë bërë dhe bëjnë namin!
Një pjesë e informacionit dhe lajmit kryesor, por dhe të rëndësishëm që prodhon dhe “Gazeta SOT” gjendet me “ctrl-c dhe ctrl-v” në dhjetra portale, si lajm i tyre! Ky është një nga abuzimet fantastike mbi punën dhe prodhimin intelektual të tjetrit! Pisllëqet shpeshherë pa moral ose vetëm për klikime, kanë bërë të pasur perversë pa emër dhe pa fytyrë! Që komandojnë pra portale pa emër dhe me emër mashtrues në FB, domene dhe rrjete! Duke mos pasur emër dhe mbiemër, drejtim dhe legalizim standard si rregull, është bërë krim me lajmin dhe akuzat! Janë prodhuar gënjeshtra që janë paguar nga individë, parti, tarikate kriminale, banda dhe grupime të panjohura, për diversion, krim mediatik dhe deri luftënxitje e antikombëtarizëm!
E kjo në saj të “medias të lirë dhe pavarur” por realisht në shërbim të çdo individi, që do të fabrikojë provokacione dhe denigrojë si njerëz dhe shoqëri! Fshehin email-e dhe manipulojnë regjistrimin online, që të mos kuptohen dhe pastaj fabrikojnë lajme, fyejnë dhe provokojnë duke u “konsideruar heronj të medias së lirë”?! Po po dhe duke u bërë të famshëm në padrejtësinë e së qënit anonim dhe abuziv! Kur të tjerët rrezikojnë nga pushtetet dhe horrat e rrugës, duke pasur emër dhe mbiemër dhe mbajtur përgjegjësi! Në fakt, janë njësoj si qeverisjet anti popullore dhe jo demokratike, sepse kanë të përbashkët mashtrimin, provokacionin e përfitimin me vjedhjen! Konkurojnë gazetarët dhe mediat e qarta, legale dhe taksapaguese, por dhe me fytyrë e emër të qartë, duke qenë sigurisht “minj portalesh pa surrat dhe paemër dhe mbiemër real”! Kaq të rrezikshme janë dhe kanë qenë sa është një shoqëri e gjitha që i ka kuptuar. Por që nuk i ndalon dot! Mund ti anashkalojë ti anulojë si shikim por të futen me një mijë mënyra në çdo moment rrjeti dhe përdorimi të tij! Portale që paguhen dhe nga agjensi aspak mike dhe deri armike, për të fabrikuar antikombëtarizëm akut! Po dhe të tilla portale ka!
Prandaj duhen ndalur, duhet të bëhen seriozisht dhe sinqerisht, media e lirë dhe e pavarur dhe jo media përfituese, anonime e përdorur dhe mashtruese! Ashtu pastaj le ta shajnë sa të duan si qeverinë dhe partinë e saj, apo opozitën dhe partinë e saj dhe të kritikojnë apo akuzojnë individë kriminelë, ministra dhe të bëjnë punën e drejtë të medias ballas dhe lirshëm!
Sikundër e bëjnë gazetat dhe portalet legale! E jam i qartë se trima dhe të ndershëm nuk janë për të përballur padrejtësinë! Janë vetëm të vjedhin, të mashtrojnë dhe të abuzojnë me “scoob-e” idiote, me lajme pornografike, fëlliqësira imorale fotosh dhe qelbësira fjalësh pa kontroll dhe pa etikë e moral që bëhen për klikime dhe para! Duke fyer dhe kolegët e tyre të portaleve serioze! Ne dhe në këtë drejtim, jemi abuzuesit më të mëdhenj në tregun mediatik! Ky është momenti për ti thënë ndal! Nuk ka rëndësi se kush po e realizon. Absolutisht ju lumtë nëqoftëse e realizojnë këtë gjë mediatike dhe “kazino bastet”! Me ligj, me të drejtën morale dhe ligjore, për të pasur drejtësi dhe legalizëm mediatik edhe në Shqipëri! Duhen të formalizohen dhe të dihen kush është dhe realisht a mban përgjegjësi ligjore e qytetare. Kaq, se të tjerat pastaj riparohen dhe sigurohen vetvetiu! Media abuzive online është imoralitet mbi lajmin dhe të vërtetën!/Nga Besi BEKTESHI