Analisti Lorenc Vangjeli ka zbuluar një detaj domethënës në gjuhën e koduar të Twitter-ave me të cilat Rama i është drejtuar ditët e fundit kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës.
Gjatë emisionit “Java” në Radio Televizionin Shqiptar, Vangjeli ka thënë se Rama i është drejtuar me fjalët, “Fli… deri… kur të kem disa të reja për ty…”; “E di sa thellë je futur, por nuk të ndihmoj dot!”; “…mos shpreso kot se do të rrijë mbuluar ajo pjesa që dimë të dy!”, sepse ai po e shantazhon.
Sipas analistit kryeministri i është referuar vazhdimisht dosjes sekrete të mbërritur nga SHBA për llogari të hetimit që prokuroria shqiptare po bën për paratë e lobimit të vitit të shkuar të PD-së.
“Rama ka dijeni për ekzistencën e kësaj dosjeje amerikane që heton burimin e 675 mijë dollarëve të pretenduar se janë paguar nga PD për lobimin në Uashington. Ky është “shantazhi” dhe shpjegimi i gjuhës në kod me të cilën Rama i drejtohet Bashës dhe që gabimisht në Tiranë e lidhin me të fshehtat e tyre të përbashkëta në natën e marrëveshjes së 17 majit”, – ka treguar ai më tej