Nga Pjetër Logoreci
Dëshiroj ta filloj shkrimin tim me një thënie të huazuar nga ish-ministri i jashtëm austriak, Dr. Alois Mock, që, në këtë rast, tingëllon shumë aktual dhe është lajtmotivi më i përshtatshëm për të simbolizuar lidhjet kulturore mes Austrisë dhe Shqipërisë.
“Kush tjetër do të ishte më i përshtatshëm sesa Aleksandër Moisiu për të simbolizuar marrëdhëniet kulturore mes Austrisë dhe Shqipërisë?”
Personalisht, si studiues dhe kërkues ndër arkivat austriake, kam krijuar bindjen se jo vetëm figurat si: ylli i skenës Moisiu, ndërtuesi gjenial Karl Gega, vllehtë e famshëm voskopojarë Baroni Sina dhe Nikollë Dumba, studentët shqiptarë që u diplomuan me rezultate të larta në universitetet e Austrisë, por edhe qindra dokumente dhe objekte të ruajtura ndër arkivat austriake, që flasin për historinë e Shqipërisë e gjuhën shqipe, dëshmojnë dhe forcojnë miqësinë mes dy vendeve tona.
Shumë profesionistë nga të gjitha fushat e jetës, të shkencës e të kulturës si: kirurgu duarartë Federik Shiroka, gjuhëtari Eqerem Qabej; intelektualët Gjergj Pekmezi, Nush Bushati, Kolë Rrota, Stef Curani e shumë të tjerë, të cilët dolën nga shkolla austriake dhe që ishin ajka intelektuale e atdheut, sollën në Shqipëri vlerat e kulturës dhe eksperiencat e një kombi nga më të përparuarit e botës, si Austria.
ALEKSANDËR MOISIU
Në mbrëmjen e 22 marsit 1935, një lajm mortor bëri xhiron e botës. Në ora 19.10, në Grand Hotel të Vjenës, vdiq ylli i skenës botërore Aleksandër Moisiu. Lajmi i vdekjes së aktorit u pasqyrua menjëherë në faqet e para të gazetave më prestigjioze të Evropës. Vdekja e rrëmbeu për të mos na e kthyer më, “specialistin”, atë që, gjatë karrierës, vdekjen e përjetoi mbi 1500 herë në rolet e tija. Ekziston thënia se: ”…Gjenitë vdesin herët, të rinj…”, ashtu edhe gjeniu ynë, Aleksandri, vdiq në vitin e 56-të së jetës së tij, në kulmin e karrierës e të pjekurisë artistike.
Familja, kolegë, miq e shokë u mblodhën për t’u ndarë me Moisiun, në ceremoninë e djegies së kufomës së tij, në Krematorin e Vjenës. Në sallën mortore të mbushur plot, në mes të personaliteteve të artit ishin dhe aktorët Albert Bassermann, Werner Kraus, Emil Jannings si dhe drejtori i teatrit Hermann Röbbelling. Tregojnë se në mes të kësaj atmosfere mortore dhe dhimbjeje të thellë, miku i ngushtë i Moisiut dhe mbajtësi i Unazës së famshme të Ifflandit, aktori Albert Bassermann hoqi nga gishti Unazën Iffland, të cilën e mbante si aktori më i madh gjerman, dhe e vendosi mbi sargun e Moisiut duke thënë: ”Kjo Unazë i përket vetëm Moisiut”… Për momenti ky gjest preku zemrat e të gjithë të pranishmëve, por më vonë u gjet si shkak për të hapur diskutime dhe kritika të ashpra nga gazetarë, kritikë si dhe personazhe nga rrethet e fuqishme të politikës.
Ndodhi që, rrugëtimi i Unazës ngjalli shumë debate, për mënyrën e kalimit ose për personazhet që e mbanin, shpeshherë duke i gjykuar ato sipas këndvështrimit politik të kohës. Ndikimi i regjimit NS bëri që edhe Moisiu të shikohej si kundërshtar politik, komunist, çifut apo emigrant (i huaj) në tokën gjermane.
Më poshtë jam përpjekur të sjell disa artikuj të përzgjedhur në mes të qindra shkrimeve që u botuan ndër gazetat e kohës, të cilat sjellin në mënyra dhe interpretime të ndryshme atmosferën dhe ngjarjen e asaj dite në Krematorin e Vjenës.
GAZETAT GJERMANE PËR UNAZËN IFFLAND, MENDIMET PRO DHE KUNDRA
Funerali i Moisiut sipas gazetës Salzburger Volksblatt, e martë, 26 mars 1935:
Dje, mbasdite, në Krematorin e Vjenës, u dogj kufoma e Aleksandër Moisiut. Albert Bassermann, zotëruesi i Unazës së Ifflandit, mori vendim që të vendosë mbi sargun e mikut të tij të vdekur Unazën Iffland. Mbajtësi i unazës, sipas rregullit, mund të vendosë vetë për kalimin e Unazës Iffland prej tij tek më i miri aktor gjerman.
Unaza Iffland
Unaza Iffland
Unaza Iffland është një objekt zbukurimi për t’u mbajtur në gisht dhe mban sipër portretin e aktorit August Iffland të punuar në metal dhe të rrethuar me diamante. Unaza mund të kalojë nga dora e aktorit mbajtës në dorën e një tjetri aktor gjerman, më të mirit të kohës. Mbas zotëruesit të saj fillestar, August Wilhelm Iffland, që vdiq në vitin 1814, atë e mbajtën Ludwig Devrient, Emil Devrient, Theodor Döring dhe Friedrich Haase. Me vdekjen së Haases në vitin 1911, unazën e zotëroi Albert Bassermann. Kjo unazë, aktualisht, iu vendos një kufome në gisht. Ceremonia e vdekjes filloi denjësisht. Sargu me ngjyrë të errët qëndronte mbi një pod të fortë prej xhami të rrethuar nga një det lulesh, kurorash, dhe buqetash shumëngjyreshe. Fare pranë sargut, ishin të pranishëm të gjitha personalitetet e famshme nga bota e artit. Konsulli italian Reggiera mbajti në italisht një fjalim të shkurtër, ku me shumë kujdes përmendi plotësimin e dëshirës së fundit të aktorit që vdiq, që të ishte shtetas italian. Ai i shprehu familjes ngushëllimet në emër të atdheut, Italisë. Miqtë e Moisiut, Bruno Walter dhe Profesor Alfred Rosé, luajtën Adagio nga Beethoven, nën tingujt e së cilës sargu zbriti poshtë pas një porte të hekurt, drejt vatrës së zjarrit për t’u djegur.
Me rastin e vdekjes së Aleksandër Moisiut, Shtypi Skandinav i kushton personalitetit të tij një vëmendje të madhe, duke nderuar vlerat e mëdha artistike e para së gjithash përshkruan ndikimin e artit të tij në mendimin skandinav.
Ndërsa Radio Moska, përveçse lavdëroi rëndësinë e veprës së tij artistike, duke iu referuar orientimit politik të Moisiut, e quajti atë një mik të veçantë të komunistëve.
Gazeta Berlineze “Lokalanzeiger“ këto ditë sulmon ashpër aktorin Albert Bassermann, pasi ai, në ditën e djegies së kufomës së Moisiut në Kremator, i vuri atij në gisht Unazën e famshme të Ifflandit. Çka është më keq, gazeta e quan këtë veprim më shumë se të çuditshëm. Ishte e qartë që ky ishte një akt i pastër kundër kombit gjerman. Bassermann, me këtë veprim, i dha një shuplakë të rëndë në fytyrë kolegëve të vet gjermanë.
Kritikat për Bassermannin
Gazeta Weltpresse, 13 dhjetor 1945
Gazeta Weltpresse, 13 dhjetor 1945
Më 13 dhjetor 1945, Gazeta Weltpresse shkruan: Albert Basserman ikën në Gjermani.
78-vjeçari Albert Bassermann do të jetë i pari ndër aktorët e mëdhenj i cili kthehet në Gjermani nga mërgimi. Ai la skenën gjermane në vitin 1934, pasi i dëbuan nga teatri gruan e tij, si çifute. Dy vjet më vonë, ai u largua drejt Anglisë, ku jetoi i tërhequr në ishullin Wight. Më pas shkoi në Hollywood. Në kohën më të mirë të karrierës në Gjermani, iu dha çmimi më i lartë për një aktor. Ai u bë mbajtësi i Unazës Iffland, të cilën mund ta marrë vetëm aktori më i mirë gjerman. Me vdekjen e Aleksander Moisiut në vitin 1935, Bassermann hodhi në sargun e tij Unazën e Ifflandit, duke thënë: Me Moisiun vdiq dhe skena gjermane…
Një diskutim mbi Unazën e Ifflandit: në Gazetën Salzburger Volksblatt, 29 mars 1935:
Albert Bassermann, në Vjenë, ka dhënë këtë sqarim: Lexoj në “Berliner Lokalanzeiger” akuzën që kjo gazetë më bën në rastin e trashëgimit të Unazës së Ifflandit nga unë tek Aleksandër Moisiu, që ky veprim i imi qenka “një gjest i qartë kundër Gjermanisë”, duke shtuar që “u kam dhënë të gjithë kolegëve gjermanë një shuplakë në fytyrë”. Me të njëjtën të drejtë mundet që, edhe kolegët austriakë e aktorët vjenezë të ndihen po ashtu të fyer. I pari që kisha zgjedhur për t’i trashëguar Unazën Iffland ishte Aleksandër Girardi, po ai vdiq. I dyti ishte Max Pallenberg, i cili u aksidentua nga rrëzimi i një avioni. I treti ishte ai që për mua është një artist gjenial që e kam nderuar veçanërisht, Aleksandër Moisi. Ai u prek nga një grip i pabesë. Ky konstatim është i tmershem për një njeri si unë, që nuk është mosbesues. Të tre të zgjedhurit nga unë për Unazën vdiqën në kulmin e krijimtarisë së tyre. Prandaj duhet që mbas Aleksandër Moisiut, askush të mos e mbajë më Unazën. Që unë ia vura Unazën në gisht Moisiut të vdekur dhe që ajo u dogj është një mit i krijuar. Edhe nga ana juridike, nuk e kam këtë të drejtë. Veprimi u bë vetëm nga ana figurative. Unë nuk do ia trashëgoj Unazën asnjeriut tjetër, por do ta vendos në një vend të zgjedhur e të sigurt. Ky vendim i imi është jo i motivuar politikisht.
“Der Morgen”, 1 prill 1935
“Der Morgen”, 1 prill 1935
Gazeta “Der Morgen”, 1 prill 1935, për të shprehur mosaprovimin e saj, ka botuar një shkrim shumë të ashpër nga Heinrich Eduard Jacob, EPILOG MBI UNAZEN E IFFLANDIT, i cili, duke analizuar veprimin e Bassermannit, kritikon atë dhe e quan të motivuar politikisht dhe emocional. Po vendos këtu disa pasazhe nga ky shkrim i gjatë dhe shumë interesant:
Albert Bassermann dhe Aleksandër Moisiu
Albert Bassermann dhe Aleksandër Moisiu
…Albert Bassermann, i cili mban në dorën e tij një unazë me vlerë të paçmuar, ia dhuroi atë Moisiut të vdekur. Për grekët e lashtë fjala Dhimbje dhe fjala Pathos ishte e njëjta. Ashtu edhe Bassermanni ka besuar në Pathosin e natyrshëm të dhimbjes së tij, që Unaza i përkiste vetëm atij. Ai mund të vepronte me Unazën siç dëshironte vetë. Dhe veproi siç donte, ndërsa ndodhi që nga “Simbol Nderimi”, ta kthejë Unazën në një Relike dhe ta vendoste mbi sargun e Moisiut. Me këtë veprim Bassermann ka prishur tradicionin e kalimit të Unazës…
…Është e sigurt që kur Iffland ia kaloi Unazën nxënësit të tij Devrient, kishte qëllim që të krijonte një traditë të pafund, që do trashëgohej në pavdeksi në sferën e artit skenik gjerman…
…A mos është një simbol tjetër, që pranë sargut të mjeshtrit gjerman të fjalës, Aleksandër Moisi, nuk u fol as edhe një fjalë gjermanisht? Që askush nga rrethi i kulturës gjermane, në të cilin Moisiu për vite me radhë luajti një rol të rëndësishëm, nuk ishte i dërguar në varrim, ndërsa përfaqësuesit e shtetit italian ishin prezentë dhe fjalët në gjuhën italiane ishin provokuese e “linin për të dëshiruar”.
Pas “skandalit” dhe shumë diskutimeve që ngjalli kalimi i Unazës së Ifflandit Aleksandër Moisiut, Bassermann vendosi ta dorëzojë atë (siç e kish shprehur) në Muzeun Kombëtar të Teatrit në Vjenë. Për këtë veprim Gazeta Salzburger Chronik e 26 prillit 1935 me shkrimin “Unaza e Ifflandit në Muzeun Kombëtar të Teatrit” lajmëron:
“Si lajmërohet nga Vjena, Albert Bassermann e depozitoi Unazën e Ifflandit në Muzeun e Teatrit në Vjenë. Unaza e famshme tani është një objekt muzeal.
…më parë, kalimi i Unazës tek Moisiu ngjalli diskutime dhe keqkuptime. Pat shumë versione, sikur Bassermann ia vendosi në gisht Moisiut të vdekur, versioni tjetër ishte sikur Unaza u vendos mbi enën që mbante Hirin e Moisiut, ose që Bassermann sqaroi vetëm me fjalë që Unaza i takonte artit gjenial të Moisiut, për t’i bërë atij një nderim të fundit. Tashti Unaza do të qëndrojë në Muzeun Kombëtar të Teatrit, ku ka një vend nderi dhe nuk mund të vazhdojë të jepet.”
Por në tetor të vitit 1954, nga personalitetet gjermane të artit dhe të kulturës, u vendos që Unaza Iffland të vazhdojë rrugëtimin, duke kapërcyer dyert e Muzeut Kombëtar të Teatrit, për të kaluar tek aktori Werner Kraus, më pas tek Josef Meinrad dhe në fund tek aktori zviceran Bruno Ganz, që e mban dhe sot.
Emil Devrient, aktor mbajtës i unazës
Emil Devrient, aktor mbajtës i unazës
Friedrich Haase, aktor mbajtës i unazës
Friedrich Haase, aktor mbajtës i unazës
Basserman, aktor mbajtës i unazës
Basserman, aktor mbajtës i unazës
Werner Kruas, aktor mbajtës i unazës
Werner Kruas, aktor mbajtës i unazës
Në mbyllje, në kujtim të gjeniut Aleksandër Moisiu, shpreh respektin për veprën dhe trashëgiminë artistike që la pas. Shpirti i tij pushoftë në paqe.
Vjenë, më 19.03.2018
Referencat:
Gazeta Salzbuger Volksblatt 1935, Gazeta Die Weltpresse, 1945
Gazeta Die Weltpresse 1935, Gazeta Pilsner Tagblatt, 1935
Gazeta Der Morgen 1935, Gazeta Salzburger Chronik, 1935
Libri: Der Iffland Ring, Viktor Reimann