Ishte një tentativë naive e një politikani nga Tirana para dy ditësh, ajo çka bëri që të gjithë 472 punonjësit e departamentit të sigurisë së të dhënave dhe ruajtjes së privacisë në kompaninë gjigande Facebook t’ja plasin të qeshuri.
Në zyrat qëndrore në Palo Alto, Kaliforni, ishte një ditë e qetë e marta e kaluar, kur në kopjuterët e kontrollit sinjalizohet një kërkesë nga kryeqytetit i Shqipërisë, Tirana, një pikë e vogël në një qoshkë të Ballkanit andej nga Evropa.
Politikani pensionist nga Tirana, Sabile Risha, duket se tentoi të mbrojë të dhënat personale nga shfrytëzimi i të tjerëve në rrjetin e njohur social të internetit.
Sipas burimeve amerikane për Gojët e Liga, i pari që reagoi ishte specialisti i të dhënave Evan Sajks:
“Amon më qafsh. Shife, klikoi “Friends only” për faqen e vet. Po vllajo, tani u sigurove!”, u kakaris Sajks duke ua treguar kolegëve, teksa i dolën lot nga gajasja.
Krejt salla nisi të mbajë barkun me dorë kur vunë re përmes kompjuterave se zoti Risha po fshinte një foto personale me tuta sporti.
“Mooos, e hoqi! Nuk do ta shohim më kurrë atë foto”, u mek stafi i Facebook-ut. “U, mos vdeksh kurrë more Sabile, se na shkrive”, tha Sajks përmes ilaritetit gazmor.
Në vijim, specialistëve po u dhimbnin brinjët nga e qeshura pas tentativave të lodhura të 43 vjeçares nga Skutari, Montana Avemi, për të bërë delete disa foto plazhi, të cilat bashkë me miliona foto të kësaj natyre u konservuan në serverat e gjigandit amerikan./Tema
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike