Më 4 gusht 1965 gati 52 vjet më parë kinematografia shqiptare mori pjesë për herë të parë në një Festival Ndërkombëtar të Filmit, në Festivalin e parë të filmit ballkanik që u zhvillua në Varna të Bullgarisë, nën patronazhin e UNESCOS të përfaqesuar nga italiani Enrico Fulchignoni.
Delegacioni shqiptar përbëhe nga historian I kinemasë Abaz Hoxha, e regjisorët Viktor Gjika dhe Kristaq Dhamo. Por pjesëmarrja e grupit shqiptar shumë shpjet do të kalonte përmes një incidenti. Sipas historianit Hoxha gjatë zhvillimit të Festivalit u përballën me një provokacion antishqiptar- ku në kundërshtim me rregulloren dhe Statutin e Festivalit- u shfaq një film grek me pretendimet për “Epirin e Veriut”.
Ky ishte një akt i cili e detyroi delegacionin shqiptar të bënte një konferencë shtypi dhe të largohesh nga Festivali duke rezervuar të drejtën për pjesemarrje në ngjarje të tjera ndërkombëtare të Filmit. “Ky denoncim i yni u bë objekt i shtypit dhe televizioneve-kryesisht të ish vendeve socialiste dhe vecanërisht ato Jugosllave, Ceke dhe Hungareze duke na akuzuar si prishës së harmonisë të vendeve të Ballkanit. Qendrimit tonë i bëri jehonë edhe shtypi shqiptar nëpërmjet gazetës “Zëri i Popullit” e cila botoi në faqen e parë edhe deklaratën e delegacionit tone”, thotë historiani Hoxha.
Ja cfarë shkruante gazeta “Zëri I popullit” 52 vjet më parë? “Sikurse është njoftuar ditët e fundit u çel në Varna të Bullgarisë Festivali i Parë i Filmit Ballkanik.
Për t’i shërbyer qëllimit të Festivalit, mirëkuptimit e miqësisë midis popujve ballkanikë, Republika Popullore e Shqipërisë mori pjesë me një delegacion dhe me një numër filmash për t’u shfaqur në Festival. Për fat të keq, nga ana e autoriteve bullgare, të cilët ishin organizatorët dhe mikpritësit e festivalit, ky rast u shfrytëzua për të kryer një provokacion ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë.
Në këto kushte, pas protestave të tij energjike pranë Komitetit Drejtues të festivalit, më 12 gusht 1965, delegacioni shqiptar u detyrua të mbajë qëndrim me një konferencë shtypi në Varna, kundër këtij provokacioni antishqiptar dhe për këtë shkak të largohet nga festivali. Të njëjtën ditë, delegacioni shqiptar u drejtoi pjesëmarrësve të Festivalit të filmit ballkanik një deklaratë me shkrim me përmbajtjen që vijon:
“Delegacioni shqiptar në Festivalin e Parë të Filmit Ballkanik erdhi në kohë dhe në përbërje të plotë me njoftimin zyrtar bërë Komitetit të Festivalit.Ai erdhi me vullnet të mirë, për të kontribuar në realizimin e qëllimeve të caktuara nga statuti i Festivalit të Filmit Ballkanik, gjë që vërtetohet nga pjesëmarrja aktive e delegacionit në të gjitha aktivitetet e ushtruara sipas programit dhe nga të gjitha intervistat e dhëna gazetarëve të ndryshëm për shtypin dhe radion.
Gjatë bisedave krijuese me kineastët e vendeve të ndryshme dhe veçanërisht me kineastët bullgarë, anëtarët e delegacionit shqiptar shkëmbyen mendime dhe eksperiencë lidhur me çështje krijuese të artit kinematografik. Ky shkëmbim u cilësua reciprokisht i vlefshëm dhe frytdhënës.
Por ne konstatuam se në ekranet e kinoteatrove të Varnës në kohën e shfaqjeve të festivalit, është projektuar filmi artistik grek “Qielli”, ku pasqyrohen rivendikimet tokësore, shoviniste greke mbi të ashtuquajturën “Epir të Veriut”, siç e quajnë shovinistët grekë pjesën jug-lindore të Shqipërisë,që përbën një territor të gjerë të Republikës Popullore të Shqipërisë.Në film ky territor paraqitet si “tokë amtare greke”.
Ky është një provokacion i hapur nga qeveria bullgare, vendi organizator i Festivalit të Parë, i cili ka marrë dhe shfaqur këtë film pikërisht në Varna në kohën e Festivalit të Filmit Ballkanik. Delegacioni shqiptar, vuri menjëherë në dijeni Komitetin drejtues të Festivalit.24 orë pas kësaj, Komiteti në fjalë nuk kishte marrë akoma masa konkrete për mënjanimin e incidentit.
Delegacioni shqiptar proteston përsëri në mënyrë të vendosur pranë Kryetarit të Komitetit Drejtues.Megjithëse pala bullgare kërkoi ndjesë dhe premtoi se do të marrë masat e nevojshme, akoma edhe sot, ditën e kinematografisë shqiptare, filmi grek “Qielli” figuron në të gjitha reklamat e filmave të festivalit, të vendosura në të gjitha anët e qytetit, prandaj pala bullgare mban përgjegjësi të plotë dhe të rëndë për vetë aktin dhe për rrjedhimet që mund të ketë ky provokacion.
Ky është një provokacion i bërë me qëllim dhe drejtohet kundër frymës së vetë festivalit, kundër miqësisë shqiptaro-bullgare dhe i shërben politikës antishqiptare të qarqeve shoviniste greke dhe të imperializmit amerikan, politikës së përçarjes midis popujve ballkanikë, dhe jo miqësisë e mirëkuptimit, që janë qëllim i festivalit.
Në këto rrethana, delegacioni i kinematografisë shqiptare e konsideron të pamundur qëndrimin e tij të mëtejshëm në Festivalin e Parë të Filmit Ballkanik dhe proteston energjikisht kundër këtij akti të shëmtuar.
Përpara largimit të tij të detyrueshëm, përgjegjësinë, për të cilin e mban plotësisht pala bullgare, delegacioni deklaron edhe një herë se ai përkrah qëllimet e mira të Festivalit të Filmit Ballkanik.Delegacioni shqiptar shpreh keqardhjen për faktin që qysh në Festivalin e Parë, pati vend një provokacion kaq i ulët, që drejtohet kundër tërësisë tokësore të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Megjithatë, delegacioni rezervon të drejtën, për të marrë pjesë në Festivalet e tjera të këtij lloji”. Ky shkrim u botua mëfaqen e parë të gazetës “Zëri i Popullit” e shtunë 14 gusht,1965. Delegacioni shqiptar përbëhej nga : 1.Abaz Hoxha-Kryeinxhinier i Kinostudios “Shqipëria e re”(prezantuar si Zv/drejtor), Kryetar i delegacionit. 2.Kristaq Dhamo-regjisor, anëtar delegacioni. 3.Viktor Gjika-operator, regjisor, anëtar delegacioni.