Një koleg i imi, (mësues), më tregoi dje një nga historitë interesante me nxënësit e tij në një gjimnaz. Kishte kërkuar një prezantim të shkurtë familjar në një nga klasat e nënta më të mira dhe pyetja kishte qenë prezantimi i prindërve. Në fakt edhe ndarja e klasave në një qytet si Shkodra ka kohë që bëhet me parime “të mirë dhe të këqinj”, ose “të pasur dhe të varfër” dhe përpara disa kohësh ishte dhe me parimin politik “demokrat dhe jo demokrat”, por kjo është marrëzi në vete e qytetit akoma jo në pluralizëm! Gjithsesi, kolegu ju kishte bërë pyetjen e prezantimit të familjes dhe “shoqërizimit në klasë”! Shumica në klasën e privilegjuar i kishin prezantuar baballarët me “e kam biznesmen, tregtar shumice, drejtor, këshilltar bashkiak, kryetar partie, doganier, inspektor në tatime, punonjës hipoteke, pronar lokalesh, sipërmarrës, pronar agjensie, etj., etj! Nga fundi, kishte mbetur një nxënës që kur i erdhi rradha e prezantoi babain kështu: zotni mësues, babai im është mësues si ju, por është një burrë i ndershëm! Të gjithë nxënësit më thotë ish kolegu i dikurshëm, si me buton kthyen kokën nga shoku i klasës, por askush nuk mori guximin t’i thoshte “edhe ne, burra të ndershëm i kemi baballarët”! Gjithsesi, mësuesi i falenderoi dhe mësimi mbaroi, por në mendje i mbeti fjala e nxënësit të klasës së nëntë që i tha “mësues, e kam babain burrë të ndershëm”!
Ka qenë zakon dhe një privilegj dikur, që nuk kishte rëndësi kaq shumë as pasuria, as pozicioni se sa fama e madhe për “babain burrë të mirë dhe të ndershëm”?! Ishte krenari jo vetëm për fëmijën, por për familjen dhe shoqërinë që “babai të ishte burrë i mirë dhe i ndershëm”?! Ishte një “improntë” ose një sistem referimi moral babai “burrë i ndershëm”?! Ishte një kërkesë e kohës! Po dhe në kohë të vështirë qoftë kjo dhe diktatura! Shkonte puna deri atje sa të thoshin “kryetar lagje është filani, por burrë i ndershëm”! Një shoqëri që vuante si në regjimin diktature, por dhe në regjimin monarkik e që parësore kishin “babain burrë të mirë e të ndershëm”?! Ishte një edukim me një fjali të tillë përcaktuese, për babain dhe nënën, apo dhe vëllain e motrën, gjyshin dhe deri te xhaxhai e daja! Si t’ju them- ishte një ndarje e vërtetë e shoqërisë jo në ministra, deputetë, pronarë, drejtore e biznesmenë apo tregtarë dhe të tjerët veçmas! Aspak, por “me burra të ndershëm dhe jo”?! E kam fjalën që ndershmëria ishte njësia matëse e shoqërisë në atë kohë dhe jo prona e pozicioni, apo dhe paraja e pasuria në veçanti! Ndershmëria dhe pikë!
Çfarë ka ndodhur sot! E para, nuk ka më edukatë dhe kulturë “të mos përdorimit të pasurisë apo pozicionit” për t’u krenuar në mjedis shoqëror! Lumpen proletariati i pasur shqiptar, është arrogant në demostrimin e pasurisë, në vend të virtyteve njerëzore dhe intelektuale, apo dhe të pikërisht qënies një burrë i ndershëm në shoqëri! Ky lumpen proletariat, kështu edukon dhe fëmijët! Arrogant dhe mbas një kualiteti që është pasuria dhe pafytyrësia me përdorimin e saj!
E dyta, është bindja e madhe në shoqëri se “një kapërcim i tillë në pasuri, nuk vjen me ndershmëri”?! Sigurisht është shumë gabim të përgjithësosh, por aty ku ka arrogancë dhe perversitet pasuror në shitmendje tragjike “pasuria ka ardhur si pasojë e mundësisë së pakët të deklarosh se babai im është burrë i ndershëm”?! Më e keqa është se ka shkuar puna se deklarata babai im është burrë i ndershëm, kuptohet për “babain budalla” që nuk di të pasurohet dhe nuk di të manovrojë!?! Kjo shoqëri sot, pothuaj e ka për turp të krenohet me shprehjen “babai im është burrë i ndershëm”?! Po pra, se nuk vjedh, nuk mashtron, nuk gënjen dhe nuk përfiton!? Kjo shoqëri i ka bërë respekt individit që është pasuruar me padrejtësi nga më të voglat, deri te të mëdhatë! Kjo shoqëri “nuk do më burra të ndershëm” por ” burrë bir ku..ve”?! Që pasurohet si duke abuzuar me zyrat e shtetit, që bën kontrabandë, që merret me hashash, që përfiton tendera, që vjedh shtetin dhe individin, që nuk paguan taksat si biznes dhe paguan të korruptuarin, që ju përvidhet tatime taksave, që bën presion si inspektor i shtetit për të përfituar lekë, që gënjen politikisht, që shkon deri në krim! Po pra por që jeton mirë, që ka kualitet jetë më shumë se në Gjermani dhe pse në shumicën e rasteve, nuk ka mbaruar dot as të mesmen! Ose ka pasur një familje të mirë dhe tashmë nuk është i zoti fëmija të deklarojë “babai im është burrë i ndershëm” sepse të gjithë e dinë se kur ka punuar në zyrën e shtetit, nuk ka qenë i tillë! Ose se është pasuruar në fillimet e tij me aktivitet kontrabandë, apo dhe me trafik! Dakord dhe kjo është ajo shoqëria që unë them “ka harruar të krenohet me babain burrë të ndershëm”! Kjo shoqëri që ka deformuar për fat të keq moralin e saj. Ajo i shkon me shumicë një gangsteri në varrim dhe pak vetë një mësuesi të varfër, që ka edukuar qindra fëmijë!
Kjo mënyrë e konceptimit të babait dhe familjes, ka marrë fund si model në fundin e diktaturës dhe gjatë 27 viteve fatkeqe, të pamoralshme dhe aspak të ndershme në shumë drejtime, që ne gabimisht i themi – demokraci!
Por në botën e qytetëruar akoma nuk ka mbaruar kjo shprehje! Ne e kemi keq, sepse si postet zyrtare, ato politike dhe biznesi, nuk ruajtën atë që konsiderohet parim themelor në njohje shoqërore e që është ndershmëria! Të ndershmin e bënë budalla, njeri kot, trap, të panevojshëm për shoqërinë, injorant, një person që nuk duhet konsideruar dhe biles duhet luftuar që të eliminohet realisht si moral, model dhe si një qytetar me parime ndershmërie! Ndershmëria është barazuar me “burrin e keq”!
Kjo është sigurisht dhe një nga marrëzitë amorale dhe shpeshherë imorale, që shoqëria tregon dhe degradimin real të saj sot! Kaq degradim sa dikush ka turp të thotë “burrë i ndershëm” për babain e tij! Nuk ka më turp, se sa kaq! E këtë gjë na e indikoi më shumë se çdo regjim “abuzimi me lirinë” që medemek demokracia shqiptare ka aplikuar si model perëndimor të drejtë që dikush e bën dhe human! Kaq shumë kanë abuzuar me lirinë, sa që babai trafikant dhe i korruptuar, është krenari dhe babai i ndershëm sigurisht aspak i pasur – një turp! Kur në fakt duhet të ishte krenari “babai i pasur dhe i ndershëm, por dhe i varfër i ndershëm”! Pra, në çdo rast, me një të përbashkët që është ajo “i ndershëm” si shoqëruese!
Nga Besi BEKTESHI