Opozita dhe maxhoranca përplasen në Bruksel. Partia Demokratike kërkon zyrtarisht edhe në Parlamentin Europian, largimin e Taulant Ballës si bashkëkryetar i delegacionit shqiptar në PE. Në mbledhjen e Komisionit të Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri-BE, në Bruksel, nënkryetar i delegacionit nga opozita, ka thënë në fjalën e tij se opozita ka bërë një kërkesë për përjashtimin e Taulant Ballës nga delegacioni shqiptar, pasi akuzohet për lidhje me krimin e organizuar.
Edi Rama nguli kembë, ndoshta më shumë nga halli sesa nga qejfi, që Taulant Balla të mbetet fytyra parlamentare e Shqipërisë kundrejt Parlamentit Europian e Bashkimit Europian. Kjo është mënyra më efektive për të diskredituar Shqipërinë para Europës mbasi i mbushën radhët e deputetëve e kryebashkiakëve socialistë me soj e sorollop banditësh. Pse duhet që i pari i delegacionit parlamentar në Bruksel të jetë boçe e brekushe me begot, beçot, rrajot e të tjerë si ata. Apo tani që na doli ministri për Europën në biseda me bandat kush pyet për Taulantin.
Ne nuk mund të rrijmë e të votojmë deklarata me thirrje kundër krimit te korrupsionit me Ballën në presidium. Eurodeputetët mund të mos kenë mekanizëm procedural për ta larguar Ballën. Por, siç e thanë, do zenë hundën me dorë e vazhdojnë një orë punë. Dhe po i kerkojnë llogari ekzekutivit të tyre për skandalet e shumta të Balles.Edhe pseb kjo është hera e fundit me Ballen bashkryetar ne këtë parlament. Me Ballën shef delegacioni parlamentar sabotohet integrimin europian dhe silurohet hapja e negociatave vitin tjetër.
Genc Pollo, deputet i PD
Ka qenë kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri, eurodeputetja Monika Macovei, e cila i ka ndërprerë fjalën Pollos, duke i kujtuar se akuzat e tij janë provuar si të pavërteta.
Këto që thoni, është provuar që nuk janë të vërteta.
Monika Macovei, eurodeputete
Pas denoncimit të deputeti demokrat Genc Pollo për Taulant Ballën, përfaqësuesit e opozitës janë larguar nga mbledhja.
Ndërkohë, më herët reagoi kryetari i grupit parlamentar socialist, njëherazi bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, BE-Shqipëri, Taulant Balla, i kërkoi Lulzim Bashës të urdhërojë deputetët që të tërheqin kërkesën e tyre në Parlamentin Europian. Balla tha se shfaqja e deputetëve të opozitës në PE po turpëronte vendin.