Autoriteti i Aviacionit Civil ka reaguar pas publikimit të lajmit në gazetën “TemA” se kompania ajrore “Blue Panorama” torturon qytetarët me vonesat e shumta duke ju referuar denononcimit të disa qytetarëve të cilët u ankuan pranë redaksisë.
Më poshtë po ju përcjellim reagimin e AAC mbi raportimin për ngërçin e krijuar dhe mungesën e masave për rehabilitimin e situatës.
Reagimi i plotë
Autoriteti i Aviacionit Civil do të sqarojë opinionin publik se lajmi i publikuar në Gazeta “Tema” Online ka disa pasaktësi:
Në lidhje me vonesat e gjata dhe anullimit të fluturimeve:
Këto vonesa të gjata dhe anullime janë subjekt i Rregullores Evropiane 261/2004, e transpozuar me Urdhërin e Ministrit Nr. 1, datë 26.02.2013 “Për kompensimin dhe asistencën e pasagjerëve në rastin e mospranimit në bord të avionit dhe anulimit ose vonesës gjatë fluturimeve”.
Në bazë të kësaj rregullore, kanë të drejtën e mbrojtjes dhe kompensimit të gjithë pasagjerët e prekur nga vonesa mbi 3 orë ose anullime të fluturimeve.
Pretendimit që “Aviacioni Civil mbyll sytë” e konsiderojmë të pa-vërtetë pasi për të drejtat e pasagjerëve, për herë të parë në 25 vjet, Aviacioni Civil ka ndërmarrë këto hapa:|
Është hapur zyra për të drejtat e pasagjerëve në Rinas, ku stafi i AAC është i angazhuar për të asistuar pasagjerin në të tilla raste dhe ndihmon gjatë procesit të kërkesës për dëmshpërblim kundër kompanive ajrore.
Në datën 5 të cdo muaji, AAC publikon listën e kompanive më problematike sa i përketë vonesave dhe anullimeve, me qëllim garantimin e transparencës për publikun.
Për herë të parë, falë ndërmjetësimit të AAC, kemi evidenca të plotësimit të rreth 2000 formularëve të ankesave për dëmshpërblim dhe kompensimet vazhdojnë, ku deri në fillim të sezonit veror janë kompensuar rreth 300 pasagjerë. Ne jemi optimist se shifra do tw jetw më e lartë dhe në muajt në vazhdim do të publikohen edhe shifrat e kompensimeve që i përkasin sezonit veror por theksojmë se ky është një proces që nuk përfundon tani por do të zgjasi në vazhdimësi si një fenomen që do shoqëroj gjithmonë aviacionin civil ndwrkombwtar.
Në lidhje me çeshtjet teknike që lidhen me programet e Inspektimeve SAFA dhe SANA, artikulli në fjalë ka një lapsus në brendi pasi lidh inspektimin teknik me vonesat apo element të tjerë operacional:
Inspektimet SAFA (Safety Assessment of Foreign Aircraft), në bazë të rregulloreve Evropiane (Commission Regulation (EU) No 965/2012), janë Inspektimet të Sigurisë së Operimit që AAC zhvillon ndaj avionëve të huaj, të cilët lidhen me aspekte rigorozisht teknike, të detajuara në manualet dhe procedurat standarde të transpozuara në rregulloret ndërkombëtare.
Ndërsa Inspektimet SANA (Safety Assessment of National Aircraft), gjithashtu në përputhje me rregulloret Evropiane, janë inspektime të Sigurisë së Operimit që AAC zhvillon ndaj avionëve të rregjistruar në Shqipëri.
Të dyja këto inspektime rigoroze, kanë të detajuar procedurat dhe hapat që ndjek secili inspektor gjatë zhvillimit të tyre, dhe raportohen menjëherë në bazën e të dhënave të administruar nga Agjencia Evropiane për Sigurinë e Operimit në Aviacion (EASA).
Autoriteti i Aviacionit Civil, rithekson për opinionin publik se siguria në operim është proriteti jonë madhor, bashkë me mbrojtjen e të drejtave të pasagjerëve, për të cilët në vazhdimësi është treguar i hapur mbi performancën e kompanive ajrore, vecanërisht kompanitë italiane Blue Panorama dhe Ernest, si kompanitë që kanë shkaktuar shqetësimet më të mëdha tek pasagjerët. Gjithashtu, AAC është në komunikimi të drejtëpërdrejtë me Autoritetin e Aviacionit Italian, pasi ky autoritet wshtw përgjegjësi direkt për certifikimi, licensimin, monitorimit, kufizimit apo ndalimit të operimeve të këtyre kompanive. Me homologët Italianë kemi dakordësuar një vazhdimësi të këtyre kompanive në tregun Shqiptar bazuar mbi performancën e tyre në ofrimin e shërbimeve për të cilat shqiptarët paguajnë.
AAC i ka kërkuar këtyre kompanive, me qëllim përmirësimin e performancës nw vazhdimwsi, që të ulin numrin e fluturimeve nga/për TIA ose të shtojnë numrin e avionëve në dispozicion për tregun tonë. Si masë shtesë, AAC ka kërkuar garanci të shtuara me qëllim mbrojtjen e pasagjerëve që udhëtojnë në këto destinacione.
Në përfundim, falenderojmë Gazetën “Tema” Online për pasqyrimin me korrektësi të aktiviteteve tona, si domosdoshmëri për informimin dhe orjentimin e duhur të pasagjerëve kur hasen me probleme të tilla, jo vetëm në aeroportin tonë por edhe në aeroporte Evropiane.