Festimet për Vitin e Ri kanë ndryshuar shumë gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri, si sa i përket rëndësisë, ashtu edhe për mënyrën se si festohej kjo natë.
Vigjilja e Vitit të Ri ishte një prej festave më të mëdha popullore gjatë komunizmit, kryesisht për shkak se Shqipëria, nën Enver Hoxhën, ndaloi çdo festë fetare dhe kishte pak festa zyrtare.
Që prej ringjalljes së festimeve për Krishtlindje, festa e Vitit të Ri ka humbur disi shkëlqimin e dikurshëm.
Tatjana Peci, një pensioniste 65-vjeçare, thotë për BIRN se festimet e dikurshme për Vitin e Ri janë një nga pak gjëra për të cilat ajo ndjehet nostalgjike kur kujton jetën në komunizëm.
“Festa e Vitit të Ri bashkonte familjet, fqinjtë dhe miqtë. Ishin tre ditë festime dhe të gjithë vizitonin njëri-tjetrin”, thotë ajo.
Peci mendon se festimet e sotme kanë humbur shumë nga emocionet e dikurshme dhe janë bërë më rutinë.
“Më kujtohet që duke nisur nga 31 dhjetori deri në janar ne vizitonim njëri-tjetrin, edhe duke udhëtuar jashtë Tiranës për të takuar të afërmit në vende të tjera. Tani marr vetëm telefonata dhe nuk pres të më vizitojnë dhe të vizitoj. Në njëfarë mënyrë, gjatë këtyre festave ndjehem vetëm”,pranon ajo.
“Gjatë komunizmit nuk kishim televizor, por na shijonte kërcimi deri në orët e para të 1 janarit, duke dëgjuar Radio Tiranën”, kujton ajo.
Përdorimi i teknologjisë për të dërguar kartolina është diçka që e shqetëson Xhanfize Begon, një 60-vjeçare, që punon në industrinë e printit.
“U dërgonim dhe merrnim kartolina nga të gjithë të afërmit dhe miqtë. Ishte një gëzim i madh të hapje zarfet dhe të shihje fotot e bukura në kartolina dhe urimet e mira të shkruara në letër të mirë”, kujton ajo.
“Tani marr vetëm urime të mira në tekste standarde. As nuk u kthej përgjigje. Më duken mesazhe pa shpirt,” thotë ajo.
Edhe ata që kanë kaluar pak nga fëmijëria e tyre duke festuar Vitin e Ri në komunizëm, ndjehen nostalgjikë.
Genti Minga, një redaktor 32-vjeçar i revistës Living, thotë se bollëku i produkteve të gatshme në dispozicion të festimeve, i lë një ndjenjë pakënaqësie.
Atij i mungon ajo veprimtaria krijuese në prag të Vitit të Ri, që shpenzohej duke sfiduar rrethanat e vështira financiare.
“Në vend të pemës së Krishtlindjes, kishim një degë peme pishe, që dukej fantastike dhe e madhe në sytë e mi si fëmijë. Në vend të stolive të shndritshme, e dekoroja me letra të thejshta dhe pambuk. Më mungojnë këto gjëra të vogla dhe të bukura”, thotë ai.
“Ndonjëherë, më pak është më shumë”, buzëqesh ai./Zathur/