Pas dëshmisë në video të Fredi Alizotit, se ai ishte çuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda me makinë nga drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ky i fundit do të merret sot në pyetje.
‘BalkanWeb’ mësohet se Veliu ka shkuar në orën 13:00 tek Krimet e Rënda, ku do të japë sqarime për çështjen ‘Babalja’.
Kujtojmë se pas publikimit të videos në fjalë Policia e Shtetit mohoi se Veliu ka kontaktuar apo është shoqëruar me personin në fjalë duke e quajtur videon fund e krye të pavërtetë. Për më tepër policia tha se mund të verifikohej lehtë se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti u shoqërua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera.
Veliu mohoi totalisht përfshirjen në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtu-njohur publikisht si çështja “Babale”.
Alizoti, i dyshuar si aktori që imitoi zërin e Agron Xhafajt në audiopërgjimin e ‘Babales’, në dëshminë e tij dhënë këtë të enjte në Prokurori, ka pranuar se videon e përgjuar të publikuar nga deputeti i PD-së Ervin Salianji, e ka realizuar pas datës 1 qershor, pra pas datës kur është marrë në pyetje nga Prokuroria.
Ai akuzohet për “kallëzim i rremë”, ndërsa Prokuroria ka kërkuar për të masën ‘arrest me burg’.