Adnan Xholi, një prokuror i njohur për lidhjet e ngushta me familjen Berisha dhe i përfshirë në disa çështje korruptive në të shkuarën, është rikonfirmuar sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Por, një vit më parë, prokurori bëri një akt të paprecedent, duke vendosur nën hetim Kuvendin e Shqipërisë, për marrjen në pyetje të Shkëlzen Berishës, djalit të ish-Kryeministrit Berisha, për aferën “CEZ”.
Me nismën e këtij prokurori, të emëruar në momentin e largimit të qeverisë Berisha në 2013-n, Prokuroria e Përgjithshme nisi të hetoi një komision hetimor parlamentar, të ngritur në përputhje me Kushtetutën, me synimin e zbardhjes së një prej aferave më të mëdha të ndodhura ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar, ajo e “CEZ”, aferë që i ka shkaktuar një dëm prej mbi 400 milionë eurosh taksapaguesve shqiptarë.
Shkëlzen Berisha u thirr disa herë për të dëshmuar nga Komisioni Hetimor, pas zbulimit të lidhjeve të tij të afërta me drejtuesve të lartë të CEZ dhe disa udhëtimeve të pashpjeguara në selinë e CEZ në Pragë, takime që paraprinë arritjen e një marrëveshje për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes në vitin 2009.
Ndonëse Shkëlzeni refuzoi në mënyrë të përsëritur të dëshmonte, tashmë, përmes një shkrese të protokolluar në datën 11 korrik 2017, Prokuroria e Përgjithshme, pa dashur të njihet me asnjë provë tjetër të zbuluar gjatë hetimeve, i kërkon llogari Kuvendit, se përse kanë thirrur djalin e ish-Kryeministrit në këtë Komision.
Në brendësi të shkresës, prokurori Xholi kërkon prej Kuvendit, përveç planit paraprak të hetimit të Komisionit Hetimor dhe procesverbaleve të mbajtura, edhe “të na bëhet me dijë arsyeja e thirrjes si dëshmitar e shtetasit Shkëlzen Berisha në këtë komision dhe të na vihet në dispozicion vendimi i ndërmjetëm i komisionit për thirrjen e tij”.
Në deklarimet periodike të pasurisë, Xholi është një prej prokurorëve që ka mospërputhjen më të madhe të pasurisë së vendosur, me të ardhurat që ka marrë nga detyra dhe nga mësimdhënia në një universitet privat.
Gjithashtu, mënyra se si ai u emërua në detyrën e prokurorit, tregon shumë për lidhjet e afërta që ka ky prokuror me qeverinë e mëparshme. Ai ishte pjesë e një vale prej më shumë se 50 gjykatësish dhe prokurorësh të emëruar në 2-3 muajt e fundit të qeverisë Berisha, në vitin 2013
Në vitin 2016, Xholi kreu një tjetër shërbim për familjen Berisha, duke nisur, sërish me nismën e tij vetjake, një “kryqëzatë” ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.
Xholi kërkoi atëherë shkarkimin e Tahirit, pasi sipas tij ai kishte shpërdoruar detyrën, pasi ministri përmendi emrin e një kolegu të Xholit, që injoronte dosjet që i vinin nga Policia e Shtetit. Sipas Xholit, një veprim i tillë është intimidim i drejtësisë./Ekskluzive.al