Sali Lushaj ka paditur në Gjykatën e Tiranës deputetin e Partisë Socialiste, Taulant Ballën. Mësohet se Gjykata e Tiranës ka depozituar padinë e Lushajt, babai i këngëtarit të njohur të rrepit, Stresi.
Ky veprim vjen pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar të PS-së Balla, i cili tha se Lushaj ishte pjesë e ‘bandës së Berishës’. ‘BalkanWeb’ ka mësuar se Sali Lushaj kërkon dy milionë lekë të reja dëmshpërblim nga Balla.
Në një video të publikuar për çështjen ‘Babalja’ deputeti i PD-së Ervin Salianji paraqiti sipas tij bisedën mes Sali Lushajt dhe Fredi Alizotit, bisedë në të cilën implikohej emri i Ballës. Kaq mjaftoi që socialisti të ‘shpërthente’ në akuza ndaj Lushajt.
Kujtojmë se Balla ka vënë në qendër të sulmeve të tij Lushajn edhe herë të tjera, kur ky i fundit ishte pjesë e një proteste të organizuar nga PD më dhjetor të vitit të kaluar, duke e cilësuar atë si njeri të besuar të Berishës.