Rajoni rrezikohet nga tkurrjet nacionaliste dhe gjuha e urrejtjes. Ditmir Bushati gjatë konferencës për 60 vjetorin e Shqipërisë në UNESCO kërkoi që Ballkani t’i rikthehet dialogut dhe të shmangen konfliktet.
Ditmir Bushati: Do të ishte iluzive nëse do t’i merrnim gjerat të mirëqena. Retorika populiste në rritje edhe në shoqëritë e zhvilluara, banalizimi i gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, presioni ndaj multilateralizmit dhe tendencat për tkurrje nacionale, na thërrasin për vigjilencë të shtuar dhe imponojnë nevojën për një fokus të përtërirë, më të qartë, më kërkues dhe për bashkëpunim më efikas. Angazhimi, vullneti, aftësitë dhe shkathtësitë e brezit të ri do të jenë vendimtarë si për Shqipërinë dhe rrugëtimin tonë evropian, por, edhe për të ndërtuar një rajon që jeton më së fundmi në paqe dhe prosperitet.
Ministri i Jashtëm këmbënguli për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëatre, si një nga themelet e stabilitetit në rajon.
Ditmir Bushati: Kemi mbështetur dhe do të vijojmë të mbështesim pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë në UNESCO, si një investim i njëmendtë për qytetarët e Kosovës, por edhe për forcimin e bashkëpunimin rajonal.
Butrini, Berati, Gjirokastra, Isopolifonia, Kodikët e purpurt të Beratit, Pyjet e ahut të lashtë të Rrajcës, rezerva e biosferës së Prespës, janë tashmë pjesë të pasaportës kulturore dhe natyrore të vendit tonë.
Vitin e ardhshëm pritet t’i bashkohet Trashëgimisëë Botërore edhe Liqeni i Ohrit, si një trashëgimi mikse natyrore e kulturore.