Dikur miq më pas kundërshtarë të ashpër. Tom Doshi e akuzoi se ai donte ta eliminonte. Pranga, akuza të forta politike, video përgjime, në skenë Durim Bami dhe Mark Frroku, por Ilir Meta kundërshtoi fort, e quajti skenar dhe e gjitha u mbyll.
Kjo ishte një nga betejat më të ashpra, një nga çështjet më të nxehta të politikës gjatë qeverisjes Rilindje-LSI.
Deputeti socialist Tom Doshi akuzoi Ilir Metën, në atë kohë kryetar kuvendi se donte ta eliminonte fizikisht. Për këtë u sollën dëshmi por edhe video përgjime.
Për Tom Doshin, Meta ishte “Padrinoja”. Në atë kohë në skenë ishte edhe i ndjeri Dritan Prifti, por duket si të gjitha historitë politike në Shqipëri kanë fund “të lumtur”.
Tom Doshi dhe Ilir Meta janë pajtuar dhe “mblesi” është Fahri Balliu i cili njihet si mik i të dy eksponentëve politikë.
Një drekë miqësore dhe gjithçka ka ndryshuar, por përtej Fahriut janë edhe dy vizitat në Vatikan që kanë paqësuar deputetin rebel Tom Doshi me “armikun” e tij Ilir Meta.
Fahriu tashmë në tavolinat e pallavrave me gazetarë në bllok rreh gjoksin për këtë pajtim të madh dhe deklaron se nuk ka qenë Ilir Meta ai që donte ti bënte atentat, por gjithçka ka qenë dora e kryeministrit Edi Rama. Por ndërkohë këto qëndrime ngelen në kuadër të thashethemeve të Balliut, që njihet si mjeshtër i skenarëve dhe intrigave me shpifje e mashtrime.
Përtej Fahriut tashme dy “armiq” për vdekje në politike janë pajtuar, larg syve dhe zhurmës të mediave dhe opinionit publik.